Ndërlidhjet

Ymeri: Kontrata me shumë anomali


Visar Ymeri
Visar Ymeri
Kontrata e lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel & Enka”, përmban shumë padrejtësi dhe anomali, tha për Radion Evropa e Lirë, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

RADIO EVROPA E LIRË
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar tri dokumente në lidhje me kontratën ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel & Enka”. Çka përmban kjo kontratë?

VISAR YMERI

Në fakt, ajo që kemi publikuar ne është kontrata e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel & Enka”, si dhe një dokument, të cilin ia ka dërguar EVSH-së Qeveria së Kosovës, kompani kjo e kontraktuar nga kjo e fundit për ta këshilluar këtë të fundit karshi kontratës me kompaninë “Bechtel & Enka”.

Kontrata, e cila është mjaft voluminoze, shihet qartë që është mjaft e pafavorshme dhe e padrejtë për Kosovën, sepse në pjesën më të madhe të saj merret me interesin e kompanisë “Bechtel & Enka”, domethënë me ato përgjegjësi që Qeveria e Kosovës ka ndaj kompanisë - si financiare, ashtu edhe teknike, ndërkohë që fare pak përmendet dhe mbrohet interesi i Kosovës në atë kontratë.

Kjo gjë lë vend për dyshim që Qeveria këtë kontratë e ka bërë me qëllim që në rrugëtim e sipër ta dëmtojë, me vetëdije, buxhetin dhe qytetarin e Kosovës dhe, natyrisht, që t’i hapë mundësi vetes për të përfituar nga kjo kontratë, edhe personalisht për të përfituar anëtarë të ndryshëm të Qeverisë.

Sa i përket dokumentit tjetër, kompania “EVSH” ka bërë një vlerësim juridik dhe financiar të kontratës së negociuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe “Bechtel & Enka”. Kompania “EVSH” i ka bërë disa sugjerime për ndryshime në kontratë, të cilat do ta përmirësonin deri diku kontratën.

Në fund, i është rekomanduar Qeverisë së Kosovës se po qe se këto ndryshime nuk merren parasysh, atëherë rekomandimi i kompanisë “EVSH” nuk është që të nënshkruhet kontrata, për shkak se ajo, në formën çfarë ata e kanë parë, mbetet shumë e pafavorshme për Qeverinë e Kosovës.

Ne i kemi analizuar vërejtjet që i ka bërë kjo kompani, edhe kontratën, dhe kemi parë që vërejtjet e "EVSH"-së nuk janë përfshirë fare në kontratë dhe, në fund, Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar atë kontratë me kompaninë “Bechtel & Enka”. Kjo marrëveshje, edhe nga këshilltarët e tyre është quajtur si e pafavorshme.

Kontrata në vete përmban shumë padrejtësi, madje dhe anomali, qoftë edhe të ekonomisë së tregut, sepse aty ke pagesa shumë të çuditshme që Qeveria e Kosovës obligohet ndaj “Bechtel &l Enka”-s. Për shembull, në fillim paguhen rreth 40 milionë euro nga Qeveria e Kosovës ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”.

Pastaj, është edhe një klauzolë tjetër që thotë se “Behtel & Enka” do ta ketë të drejtën ekskluzive që të ndërmjetësojë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe palëve të treta nënkontraktuese për projektin e autostradës dhe për këtë ndërmjetësim qeveria i paguan “Bechtel & Enka”-s, 8 për qind provizion, që është e pakuptimtë, 8 për qind të vlerës së kontratës me nënkontraktuesin.

Pra, në njërën anë, ata marrin pozitën ekskluzive të ndërmjetësimit pa pasur nevojë dhe, në anën tjetër, marrin para për këtë punë.

Kudo ku përmendet për çfarëdo ndryshimi apo vonese në implementimin e projektit të autostradës ku fajin e ka Qeveria e Kosovës, kjo obligohet t’i paguajë edhe dënim, përveç pagesave tjera, kompanisë “Bechtel & Enka”, ndërkaq nëse vonesat bëhen me fajin e kompanisë, nuk ka kurrfarë klauzole që obligon “Bechtel & Enka”-n, që t’i kthejë ose të paguajë dënim për këto vonesa.

Po ashtu, një aspekt tjetër i dëmshëm është edhe obligimi, në të cilin hyn Qeveria e Kosovës në çmimet e njësive, të cilat janë dakorduar me këtë marrëveshje. Pra, aty shihet që çmimet për disa njësi që i kemi analizuar ne, shihet që janë dyfish më të larta sesa çmimet që mund t’i gjesh në tregun e Kosovës, siç është rasti i betonit, zhavorrit dhe furnizimeve tjera që janë të nevojshme për ndërtimin e autostradës.

Po ashtu, një gjë tjetër mjaft e dëmshme është që “Bechtel & Enka” ka të drejtën që të përdorë çfarëdo pasurie publike, pra gurët dhe zhavorrin, etj që mund t’i gjejë në pronë publike, dhe për këtë përdorim nuk obligohet t’i paguajë asgjë buxhetit të Kosovës. Ndërkohë, po qe se ky burim i, ta zëmë, gurëve, shkëmbinjve që mund të përdoren në autostradë, është në një largësi të caktuar prej vendit ku ndërtohet autostrada, atëherë Qeveria e Kosovës obligohet që t’ia paguajë transportin prej vendit deri në autostradë.

Gjithashtu ka edhe shumë anomali të tilla ekonomike, të cilat në njëfarë mënyre e shndërrojnë këtë kontratë në një kontratë, ku jo të dy palët kanë qenë të barabarta dhe jo të dy palët kanë nënshkruar me vullnet të mirë.

Krijohet përshtypja që kjo kontratë ka qenë e imponuar, sepse askush me vullnet të lirë konsideroj se nuk do ta kishte nënshkruar një kontratë të tillë kaq të dëmshme.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ymeri, përmendët se çfarë, në fakt, mund të ketë kjo kontratë. Por, sa vlerësoni se janë humbjet e Kosovës nga kjo kontratë?

VISAR YMERI

Kjo është edhe një çështje shumë e dëmshme e kontratës kur nuk dihet sa do të kushtojë rruga. Këta po thonë 700 milionë. Po nga kontrata nuk mund të kuptosh se sa do të kushtojë rruga, nuk mund t’i japësh çmim fiks për shkak se çmimet janë aty për njësi dhe pagesat bëhen për segmente dhe kur janë çmimet për njësi, kur nuk ke çmim fiks të dakorduar paraprakisht, atëherë varet se sa njësi do të përdoren për ta njoftuar autostradën.

Pra, nëse thuhet në kontratë se metri kub i zhavorrit do të kushtojë 28 euro, atëherë varet se sa metra kub do t’i marrë kjo autostradë, në mënyrë që ta dimë se sa do të na kushtojë krejt zhavorri. Këtu është edhe një aspekt, ose një element tjetër që i hap mundësi keqpërdorimit. Ne, siç e dimë, rruga tashmë ka filluar edhe ka avancuar; deri në kilometrin e 38 është bërë gati për t’u shtruar në asfalt, ndërkohë që ende Qeveria e Kosovës nuk ka kompani mbikëqyrëse të zbatimit të projektit, pra askush nuk e mbikëqyr kompaninë “Bechtel & Enka” se çfarë sasie të materialit po përdor në ndërtimin e kësaj rruge.

Kjo gjë i lë derën e hapur apo i jep çekun blanco “ Bechtel & Enka” që të shkruajë sa të dojë gjoja se i ka përdorur aty. Natyrisht që sa më shumë që të thuhet se është përdorur materiali, kjo e ndikon çmimin e autostradës. Pra, është e vështirë të kuptohet ose të vlerësohet se sa do të kushtojë autostrada, e aq më vështirë bëhet në situatën tonë kur përveç që është kontrata e hapur, që nuk ka çmim fiks, në të është hyrë pa pasur një vlerësim të qartë gjeologjik të tokës ku do të ndërtohet dhe pa e pasur të projektuar trasenë finale.

Qeveria e Kosovës ka hyrë në kontratë pa e ditur se nga do t’i bie rruga. Tash po merrni vendime për ta ndryshuar trasenë. Duke i pasur të gjitha këto informata ose mungesë informatash që po sillen rreth kësaj teme atëherë unë nuk e di se si po e vlerëson kryeministri Hashim Thaçi që autostrada do të kushtojë rreth 700 milionë euro.

Në kontratë nuk mund të kuptohet një gjë e tillë, ndoshta ky e ka ndonjë informatë tjetër që nuk po e publikon, mirëpo sa i takon kontratës, një gjë e tillë nuk mund të kufizohet.

EVROPA E LIRË
Qeveria ka kritikuar se jeni kundër ndërtimit të autostradës. Cili është vlerësimi i juaj në këtë drejtim?

VISAR YMERI
Qeveria e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi dhe disa ministra që po e dëgjojnë atë dhe që janë të afërt me të, me këtë reagim të tyre pas publikimit të kontratës, kanë treguar qartë se në çfarë paniku janë. Pra, e keni vërejtur se në vend se të merren me atë që është thënë në kontratë, ata janë marrë me akuza që nuk kanë të bëjnë fare me realitetin, pra se ne e kundërshtojmë autostradën, se ne qenkemi kundër pavarësisë së Kosovës, e gjëra të tilla që i tha të enjten.

Po e përsëris edhe një herë se nuk jemi kundër ndërtimit të autostradës që e lidh kombin dhe natyrisht që jemi për ndërtimin e më shumë rrugëve që e lidhin Kosovën me Shqipërinë, më shumë hekurudhave dhe pjesëve tjera infrastrukturore që do të na ofronin neve me Shqipërinë, sepse ky është edhe qëllim programor i Lëvizjes Vetëvendosje, pra bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Mirëpo, jemi kundër abuzimit të tillë çfarë po bëhet me paratë publike, me pasurinë e kombit në emër të kombit dhe këtë, natyrisht, që jemi duke e kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë vazhdimisht, sepse kjo mënyrë e abuzimit me fondet duke u fshehur prapa kombit, është shumë e poshtër dhe një gjë të tillë po e bën Hashim Thaçi tash, siç e bënte edhe më herët, domethënë sa herë që të gjendej në një vrojtim më të ashpër dhe më aktiv të publikut.

Pra, konsiderojmë që rruga e kombit duhet të ndërtohet dhe mund të ndërtohet, por jo duke i abuzuar paratë e kombit, sepse ka edhe mënyra tjera, pra, mund të ndërtojmë infrastrukturë pa vjedhur para.
XS
SM
MD
LG