Ndërlidhjet

Prishtina kërkon nga EULEX-i vendosmëri


Forcat e KFOR-it dhe EULEX-it në veri të Kosovës
Forcat e KFOR-it dhe EULEX-it në veri të Kosovës

Prishtina zyrtare kërkon nga EULEX-i veprime konkrete në drejtim të instalimit të sundimit të rendit dhe ligjit në veri.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, raportin e Zyrës së Koordinatorit për Strategjinë e Veriut të Kosovës, pos që e vlerësojnë si real, thonë se ai identifikoi edhe gjetje të reja.

Në raportin e kësaj zyre thuhet se veriu i Kosovës është në duar të strukturave të jashtëligjshme paralele serbe.

Atje mungojnë rendi e ligji dhe Policia e Kosovës është kryesisht e pafuqishme, thuhet në raport.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se ky raport do të ndihmojë për një bashkëpunim më të mirë ndërmjet autoriteteve vendore e ndërkombëtare në koordinimin e veprimeve në veri.

Këshilltari politik i ministrit të Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, shpjegon:

Qeveria e Kosovës

“Ky raport përshkruan gjendjen reale në veri të vendit. Pa dyshim që sundimi i ligjit çalon në atë pjesë të vendit dhe ekziston një prezencë e fuqishme e strukturave paralele atje, të cilat janë të ndërlidhura me grupe të organizuara kriminale dhe që e mbajnë situatën të tillë çfarë është atje”.

Megjithatë, për gjendjen e krijuar në veri, këshilltari Rexhepi kritikon misionin evropian, EULEX, për një qasje jo të shpejtë në forcimin e sundimit të ligjit atje.

“Ne, si institucion i Republikës së Kosovës, në vazhdimësi kemi kërkuar nga EULEX-i dhe KFOR-i që të ketë veprime konkrete në drejtim të instalimit të sundimit të rendit dhe ligjit atje. Ndërkohë, që EULEX-i ka ndjekur deri më tani një qasje më graduale, e cila jo gjithmonë ka dhënë rezultate”, shprehet Rexhepi.

Nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë konsiderojnë se tashmë janë shpenzuar të gjitha mundësitë politike e diplomatike që veriu i Kosovës të futet në përbërjen e Kosovës.

Sipas drejtorit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, institucionet e vendit duhet të veprojnë me të gjitha mënyrat që një herë e përgjithmonë të shpërbëhen strukturat paralele.

“Nuk ka tjetër rrugëdalje përveç të ndërmerren masa konkrete me njësi speciale të fillohet të sqarohen hesapet me të gjithë atë destabilizuat, të cilët veprojnë në atë pjesë të territorit tonë. Ata serbë në përbërjen e Policisë së Kosovës që janë atje, më shumë po punojnë për interesa të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, sesa për interesat e Republikës së Kosovës”, vlerëson Qehaja.

Për funksionimin e strukturave paralele serbe në veri, Qehaja fajëson edhe faktorin ndërkombëtar. Siç shprehet ai, mund të ketë kërkesa për ngadalësimin e veprimeve nga ana e institucioneve të vendit.
Ramadan Qehaja


“Siç duket deri diku edhe politika ndërkombëtare, e cila po zhvillohet ndaj Kosovës, është një kërkesë për institucionet tona për pritje të mëtutjeshme gjoja se do të bëhet mirë. Por, kjo nuk do të bëhet mirë, nëse përdoren forcat dhe mjetet, të cila i parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thekson Qehaja.

Eksperti i sigurisë, Qehaja, thotë po ashtu se as misioni evropian, EULEX, nuk e ka përmbushur mandatin e vet në tërësi, i cili e përcakton atë si mision teknik me qëllim të mentorimit, monitorimit dhe këshillimit të institucioneve kosovare në fushën e sundimit të ligjit.

Këshilltari në MPB, Rexhepi, thotë se aktualisht institucionet e vendit janë duke punuar më shumë në fuqizimin e policisë në veri. Ai deklaron se do të ndërmerren masa, por do të jenë të sigurta.

“Me rëndësi është që të mos ndërmarrim veprime, të cilat vetëm sa do ta përkeqësonin situatën në atë pjesë të vendit. Po ashtu, me rëndësi është që në veri ne, bashkërisht (me EULX-in), të ndërmarrim hapa të vegjël përpara, po asnjëherë hapa prapa, dhe kjo është qasja që ne po ndjekim”, deklaron Rexhepi.

Sundimi i rendit dhe ligjit në veri të Kosovës nuk duhet të mbeten peng i dialogut ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit, deklarojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Sipas tyre, një dialog më konstruktiv do të ndihmonte në relaksimin e gjendjes dhe raporteve ndërmjet komuniteteve në veri.

Lexoni edhe këtë:
Pezullohen komandantët e policisë në veri
XS
SM
MD
LG