Ndërlidhjet

Tensione në veri


Mitrovicë
Mitrovicë
Komandantët e Policisë së Kosovës të stacioneve në veri të vendit, të cilët janë suspenduar, pritet të kthehen në detyrë pas përfundimit të afatit të suspendimit. Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, thotë se këta pjesëtarë të policisë kanë rënë pre e presionit të strukturave jolegjitime, të cilat veprojnë në veri të Kosovës.


Afati i suspendimit të komandantëve të stacioneve policore në veri të Kosovës, të gjithë me përkatësi serbe, do të skadojë sot.

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, thotë se policët, të cilët janë suspenduar, për shkak të kundërshtimeve të tyre lidhur me ndryshimet strukturore, do të duhej të ktheheshin në detyrë.

Por, sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm nëse ata e respektojnë vendimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, me ç’rast do të ndryshonte edhe statusi i tyre në këtë polici.
Besim Hoti

Kundërshtimi eventual i këtyre policëve, sipas Hotit, do të nxiste inicimin e masave të tjera disiplinore ndaj tyre. Por, Hoti thotë se kundërshtimet e deritashme të pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës në veri, janë rezultat, siç e quan ai, i presionit që i janë nënshtruar ata.

“Kemi të bëjmë drejtpërdrejt me një kundërshtim nën presion, faktikisht, do të thosha nga strukturat më tepër jolegjitime, të cilat veprojnë në veri të Kosovës, pre e të cilave besohet se kanë rënë vetë komandantët e këtyre stacioneve”.

“Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndikuar te pjesëtarët tjerë të Policisë së Kosovës. Për detyrat dhe obligimet për udhëheqje ose menaxhim të stacioneve përkatëse, në mungesë të komandantëve të stacioneve, kanë marrë përgjegjësinë zëvendësit e tyre. Përveç refuzimit nga vetë eprorët e policisë, përkatësisht, komandantët e stacioneve, telashe të tjera nuk kemi pasur me funksionim të veprimeve policore”, bën të ditur Hoti.

Në anën tjetër, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, ndërrimin e komandantëve të stacioneve policore në veri të Kosovës e vlerëson si një presion të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare ndaj popullatës serbe në veri të vendit. Ndërrimet e tilla, sipas tij, janë në kundërshtim me vullnetin e serbëve në këtë pjesë të vendit.
Ky është demonstrim i dhunës nga institucionet e Kosovës, i cili është i përllogaritur dhe tendencioz, duke ndërruar dhe vendosur komandantë të tjerë të policisë.

“Ky është demonstrim i dhunës nga institucionet e Kosovës, i cili është i përllogaritur dhe tendencioz, duke ndërruar dhe vendosur komandantë të tjerë të policisë. E gjithë kjo është bërë në kundërshtim me vullnetin e popullit serb dhe në kundërshtim me vullnetin e organizatave tona legjitime, ndër të tjera edhe të Bashkësisë së komunave serbe”, thotë Ivanoviq.

Ndryshe, situatën në veri e ka bërë edhe më të ndjeshme protesta e serbëve lokalë, të cilët e kanë bllokuar rrugën magjistrale Mitrovicë-Zubin Potok. Ata po protestojnë kundër arrestimit të një të dyshuari serb për vepra kriminale.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se janë duke e monitoruar situatën dhe deri më tash nuk ka pasur ndonjë përshkallëzim të saj.

Ndërkaq, eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu, vlerëson se e gjithë situata e krijuar në veri është produkt i manipulimit të popullatës serbe në këtë pjesë të vendit nga Qeveria e Serbisë dhe instrumentet që ajo ka instaluar aty.

“Shërbehen me njerëz që i kanë në terren, në pjesën veriore të Kosovës, por edhe në pjesët tjera të vendit. Janë në shërbim të politikës së jashtme agresive karshi Kosovës, me qëllim që të përfitojnë sa më tepër benifite për shtetin e vet. Këto i përdorin si instrumente, me të cilat duan ta kushtëzojnë edhe bashkësinë ndërkombëtare, por edhe Kosovën, që të përfitojnë sa më shumë”, vlerëson Musliu.


Por, Ivanoviq thotë se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe paralajmërimet e institucioneve në Prishtinë për përpjekjet për të instaluar sundimin e ligjit në veri, mund ta destabilizojnë situatën atje. Sipas tij, institucionet e Kosovës po provokojnë një konflikt të mundshëm.

“Gjithsesi se i gjithë ky proces e çrregullon situatën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës. Por, faktori gjendet në Prishtinë dhe në institucionet e Kosovës, si dhe tek ata që u ndihmojnë”, shprehet Ivanoviq.

Ndryshe, eksperti për çështje të sigurisë, Musliu, vlerëson se përshkallëzimi eventual i situatës në veri mund të jetë produkt vetëm i Qeverisë së Serbisë.

“Situata mund të përshkallëzohet aq sa i duhet Qeverisë së Serbisë, në momente që dëshiron të bëjë presion në politikën e jashtme, përmes kësaj pjese të Kosovës. Institucionet e Kosovës, së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in, respektivisht NATO-n, mund të kenë njëfarë tolerance dhe mirëkuptimi, si dhe biseda me popullatën serbe”.

“Por, një gjë është esenciale. Kushtetuta dhe ligjshmëria, përfundimisht, po e nënvizoj, duhet të vendosen në çdo cep të Kosovës. Përndryshe, kjo do ta marrë një formë të deformimit përfundimtar, të cilin nuk do të mund ta kontrollojë më askush”,
përfundon Musliu.
XS
SM
MD
LG