Ndërlidhjet

Sparks: EULEX-i të mos gjykohet në bazë të arrestimeve


Policë të EULEX-it...
Policë të EULEX-it...
Zyrtarë të lartë të misionit EULEX shprehën vendosmërinë e tyre për të vazhduar arrestimet e personave të përfshirë në krim të organizuar e korrupsion në veri të Kosovës, pavarësisht protestave të fundit të serbëve lokalë atje. Megjithatë, ata kërkuan që puna e EULEX-it të mos gjykohet në bazë të numrit të arrestimeve të figurave të larta që dyshohet të jenë të përfshirë në krim të organizuar e afera korruptive.


Zëvendësshefi i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Endrju Sparks, kërkoi që puna e EULEX-it të mos vlerësohet në bazë të arrestimeve të personave për krim të organizuar e korrupsion në vend.

Këtë kërkesë numri dy i EULEX-it e bëri në një konferencë për media, në të cilën u paraqit raporti i punës së gjyqtarëve të EULEX-it për vitin 2010. Raporti vë në pah se gjatë vitit të shkuar, gjyqtarët evropianë kanë kryer 87 raste, prej të cilave 19 kanë të bëjnë me korrupsion e krim të organizuar.

Në rastet e përfunduara lidhur me këtë çështje përmenden rasti i Leme Xhemës, “Lënda Kasabank”, rasti “Ove Johansen”, ai ndaj Nexhat Dacit e Ahmet Alishanit dhe të tjera, mirëpo nuk flitet për raste në hetim e sipër, siç është ai i Fatmir Limajt, ish-ministrit të Transportit e Postë-Telekomunikacionit, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në afera korruptive.

Sparks tha se misioni po i vazhdon hetimet për këtë çështje dhe se do të varet nga ecuria e tyre kur rastet e caktuara do të jenë të gatshme të dalin para gjyqit.
Qëllimi është ta ndihmojmë Kosovën të bëhet vend me sa më pak korrupsion, e me sa më shumë respektim të sundimit të ligjit.


“EULEX-i nuk duhet të gjykohet bazuar në atë se sa figura të nivelit të lartë ne arrestojmë apo dënojmë - ky nuk është qëllimi. Qëllimi është ta ndihmojmë Kosovën të bëhet vend me sa më pak korrupsion, e me sa më shumë respektim të sundimit të ligjit”, u shpreh Sparks.

Dokumenti i EULEX-it e cilëson si sfidë për këtë vit punën në gjykatat në veri të Kosovës, ku bazuar në fuqinë e tyre ekzekutive, vetëm misionarët evropianë bëjnë shqyrtimin e lëndëve “urgjente” që kanë të bëjnë me krim të organizuar, lëndëve penale të pazgjidhura dhe lëndëve të tjera, mosshqyrtimi i të cilave ka lënë në paraburgim për një kohë të konsiderueshme persona të caktuar.

Kryetarja në largim e Asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Maria Xhuliana Civinini, shpjegoi këtë problematikë:

“Për këtë arsye ne merremi me krime, si: vrasjet, dhuna nëpër shtëpi, dhunimet që nuk janë në linjën e parë të mandatit tonë, por që janë pjesë e kompetencave tona dytësore. Këto të gjitha janë të ndërlidhura me rastet, në të cilat i pandehuri është në paraburgim për rreth tre vjet -madje edhe para okupimit të Gjykatës, në mars të vitit 2008”.

Pavarësisht kritikave në rritje lidhur me zbatimin e mandatit të EULEX-it në veri, Sparkes theksoi përkushtimin e misionit për të garantuar sundimin e ligjit atje.

Ndërsa, i pyetur nëse misioni do t’i vazhdojë arrestimet e personave që merren me krim të organizuar dhe korrupsion në veri - pavarësisht protestave të serbëve lokalë ndaj arrestimit të një serbi, Sparkes u shpreh:

“Absolutisht. Pa dyshim”.

Kah mesi i këtij muaji EULEX-i arrestoi një serb që dyshohet të jetë i përfshirë në krim të organizuar në pjesën veriore të Mitrovicës. Arrestimi i tij thuhet se ka ardhur si rezultat i hetimeve të kryera rreth krimit të organizuar, kontrabandës me karburante, shmangies së tatimit dhe shmangies mashtruese të taksave të importit dhe akcizës.

Përmes protestave që kanë vazhduar edhe gjatë së enjtes, serbët e veriut kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij arrestimi.
XS
SM
MD
LG