Ndërlidhjet

Spitalet private si rrugëdalje


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Shërbimet shëndetësore, të cilat nuk kryhen në sektorin publik, do të ofrohen nga spitalet private për pacientët, të cilët aplikojnë në këtë program të Ministrisë së Shëndetësisë. Ministri Ferid Agani deklaroi se kjo është një praktikë e re e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me përmirësimin e qasjes së qytetarëve ndaj shërbimeve kualitative shëndetësore në vend.


Ministria e Shëndetësisë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me institucionet private shëndetësore, ku pacientët aplikues, do të përfitojnë shërim falas për shërbimet që nuk ofrohen në sektorin publik shëndetësor.

Ministri Ferid Agani deklaroi se shuma maksimale që një pacient do të përfitojë nga ky institucion, është 30 mijë euro.

Në këtë drejtim Ministria e Shëndetësisë e ka bërë një hap pozitiv, me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në sektorin publik. Tani ata nuk kanë nevojë të dalin jashtë shtetit që t’i marrin ato shërbime që kryhen brenda vendit”, deklaroi Agani.

Sipas ministrit Agani, pacientët do të mund ta zgjedhin institucionin privat, ku dëshirojnë të mjekohen, nga lista e institucioneve private, me të cilat Ministria e Shëndetësisë do të nënshkruajë marrëveshje.


Bekim Dula, kardiokirurg në njërin nga spitalet private në vend, tha për Radion Evropa e Lirë se me këtë marrëveshje është bërë një hap pozitiv në shëndetësinë kosovare.

“Kjo është një gjë shumë pozitive, sepse për herë të parë në Kosovë pacienti nuk do të paguajë për shërbimet, të cilat i ofrojnë spitalet private. Operacioni kushton shumë, por pacientët do të përfitojnë, sepse Ministria e Shëndetësisë i paguan këto shërbime, kështu që pacienti do të operohet brenda vendit dhe nuk do të paguajë para”, u shpreh Dula.

Ministri Agani tha se në të kaluarën institucioni që ai udhëheq, i ka dërguar pacientët jashtë vendit, në institucione të mirëfillta shëndetësore, por ka qenë e vështirë të përcillet gjendjen e tyre shëndetësore nga ekipet e mjekëve atje.

Andaj, ministri Agani theksoi se është bërë një hap pozitiv për pacientët e vendit, për qasje ndaj shërbimeve kualitative.

“Unë shpresoj se çmimet do të jenë më të ulëta në vend, se sa jashtë vendit dhe do të kursejmë para, kurse do të përfitojë një numër më i madh i qytetarëve nga ato 2 milionë euro sa janë të ndara për trajtimin e pacientëve”, shpjegoi Agani.


Ndërkaq, kardiokirurgu Dula tha se do të shqyrtohet mundësia që pas marrëveshjes me Ministrinë e Shëndetësisë, të bëhen oferta speciale për pacientët që përfitojnë nga ministria, në mënyrë që këto raste të trajtohen me çmime më të lira.

“Lidhur me çmimet, besoj se do të ketë ofertë speciale, sa i përket spitalit tonë”, shtoi Dula.

Sidoqoftë, me 2 milionë eurot e ndara nga Ministria e Shëndetësisë për programin e trajtimit jashtë vendit, në katër muajt e parë të këtij viti janë trajtuar rreth 150 pacientë jashtë Kosovës, nga 300 sa kanë aplikuar.

Lexoni edhe këtë:
Agani: Shëndetësia, mungesa të jashtëzakonshme
XS
SM
MD
LG