Ndërlidhjet

Veteranët e UÇK-së, në ditën e 6 të grevës


Foto nga arkivi (Greva e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 14 prill 2009)
Foto nga arkivi (Greva e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 14 prill 2009)
Para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po vazhdojnë grevën e tyre në ditën e gjashtë. Ata thanë se janë të vendosur që të mos e ndërpresin grevën derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Këshilli grevist, po ashtu, paralajmëroi se që nga dita e sotme, nuk do të komunikojë më as me zyrtarë të institucioneve, e as me media.


Rreth 50 veteranë të UÇK-së, në ditën e gjashtë të grevës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, përsëritën edhe një herë qëndrimin e tyre se janë të vendosur ta vazhdojnë grevën derisa të realizohen kërkesat e tyre.

Kërkesa kryesore e grevistëve është që Institucionet e Kosovës të miratojnë dhe zbatojnë sa më parë ligjin për vlerat e luftës. Anëtari i Këshillit grevist, Ylber Selmani, në një konferencë me gazetarë, tha:
Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që me procedurë të përshpejtuar të sillet në Kuvend projektligji për vlerat e luftës.


“Ne, luftëtarët e lirisë, që jemi në grevë edhe një herë u drejtohemi të gjitha institucioneve dhe popullit të Kosovës se nuk e ndërpresim grevë deri në realizimin e plotë të kërkesave tona. Nuk besojmë më në asnjë marrëveshje gojore dhe nuk lejojmë që kjo çështje të zvarritet. Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që me procedurë të përshpejtuar të sillet në Kuvend projektligji për vlerat e luftës. Sa më shpejt që të jetë e munduar të miratohet ligji duke i marrë parasysh kërkesat tona”.

Drejtuesit e Këshillit grevist thanë se numri i grevistëve po rritet, kurse kryetari i këtij këshilli, Xhevdet Qeriqi, bëri të ditur se gjendja e disa veteranëve në grevë është përkeqësuar.

“Sot kemi pasur gjashtë raste që kanë kërkuar ndihmën e mjekut, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Për momentin gjendja është e rëndë”, tha Qeriqi.

Nëse nuk veprohet shpejt nga institucionet, ne si Këshill, jemi të shqetësuar se durimit tonë mund t’i vijë fundi dhe ta ndryshojmë formën e protestës.

Anëtari i Këshillit grevist, Ylber Selmani, deklaroi se nëse institucionet e vendit nuk ndërmarrin diçka në drejtim të realizimit të kërkesave të tyre, siç u shpreh ai, ata edhe mund ta ndryshojnë formën e protestës.

“Nëse nuk veprohet shpejt nga institucionet, ne si Këshill, jemi të shqetësuar se durimit tonë mund t’i vijë fundi dhe ta ndryshojmë formën e protestës. Ne po presim, por deri kur, kjo varet nga institucionet”, deklaroi Sylejmani.

Pos kërkesës që urgjentisht të miratohet dhe zbatohet ligji për vlerat e luftës, ata parashtruan edhe kërkesa të tjera, si: UÇK-së dhe luftës së saj t’i bëhet njohja politike duke e bërë si kategori kushtetuese; veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të kenë trajtim nga Ministria e Mbrojtjes, e jo nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; veteranët dhe invalidët e luftës të kenë imunitet dhe të mos kenë ndjekje penale për krime lufte.

Ndryshe, grevistët të premten i vizituan disa nga përfaqësuesit e grupeve parlamentaret të Kuvendit të Kosovës, të cilët kërkuan që të ndërpritet greva.

Kjo kërkesë u refuzua nga grevistët, kurse përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës deri më tash nuk janë marrë me këtë çështje.
XS
SM
MD
LG