Ndërlidhjet

Reformat nuk shmangin manipulimet


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Lëvizja Vetëvendosje kritikoi ngritjen e Komisionit për ndryshime në Ligjin zgjedhor. Përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje, Dardan Sejdiu, tha se kjo po bëhet për ta shmangur vëmendjen nga çështja e ndjekjes së, siç u shpreh, manipuluesve dhe vjedhësve të votave në zgjedhjet paraprake. Por, Mazllum Baraliu, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se ngritja e këtij komisioni dhe ndjekja penale e të dyshuarve për vjedhje të votave, janë dy çështje të ndara.


Ngritja e Komisionit për ndryshime në Ligjin zgjedhor, si pjesë e marrëveshjeve politike, nuk është bërë për interesa të qytetarëve të Republikës së Kosovës, vlerësoi Lëvizja Vetëvendosje.

Përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje, Dardan Sejdiu, tha të mërkurën në një takim me media, se ngritja e këtij komisioni është bërë për interesa të klasës politike, apo për mbajtjen në pushtet të njerëzve të njëjtë që janë dhe sot.

Sejdiu kritikoi kompetentët për mosinicimin e procedurave ligjore ndaj, siç i quajti ai, manipuluesve dhe vjedhësve të votave, në zgjedhjet e përgjithshme të fundit.
Pra, të zhvendoset vëmendja nga ndjekja penale e mashtruesve në, kinse, reformimin e sistemit zgjedhor.



“Kjo është edhe më e qartë, kur synohet që zgjidhja e problemit të bëhet me anë të komisioneve, e jo me anë të sistemit të drejtësisë. Pra, të zhvendoset vëmendja nga ndjekja penale e mashtruesve në, kinse, reformimin e sistemit zgjedhor".

" Pra, ata që kanë udhëzuar dhe kanë bërë manipulime sistematike të votës, duke futur gjithë mekanizmin shtetëror dhe partiak në funksion të manipulimit të votës, tash të njëjtit mundohen të fshihen prapa komisioneve për reformë të sistemit zgjedhor. Pra, po të njëjtit mundohen ta zhvendosin vëmendjen nga veprat penale në kinse debat për atë se si duhet të jetë sistemi zgjedhor”,
tha Sejdiu.

Por, njohësit e rrethanave zgjedhore në Kosovë vlerësuan se çështja e ngritjes së Komisionit për ndryshimet në Ligjin zgjedhor dhe çështja e ndjekjes penale të personave të dyshuar për manipulim ose vjedhje të votave, janë çështje krejtësisht të ndara.

Mazllum Baraliu, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se ngritja e Komisionit për ndryshime në Ligjin zgjedhor, është e domosdoshme.

“Gjithsesi që një proces reformues dhe një punë e një komisioni parlamentar, i mandatuar për të bërë një punë të domosdoshme, për të përmirësuar legjislacionin, që është katastrofal, nuk është me çdo kusht i lidhur me një segment të kësaj çështjeje, që do të thotë, ndjekja penale e tyre”.

“Ajo mund të bëhet duke u punuar kjo, por duhet të ketë vullnet politik për t’i ndjekur keqbërësit në procesin elektoral dhe duhet të ketë seriozitet dhe përgjegjësi të organeve të sundimit të ligjit. Në këtë rast, të organeve gjyqësore dhe të drejtësisë përgjithësisht në Kosovë, që vërtet të ndiqen të gjithë ata”, vlerësoi Baraliu.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas Sejdiut, nuk është kundër ndryshimeve në Ligjin zgjedhor. Por, ai tha se për këto ndryshime duhet ta japin mendimin e tyre qytetarët e Kosovës, apo, siç u shpreh Sejdiu, sovrani.

“Procesi i reformimit të sistemit zgjedhor duhet të sigurojë, së pari, një debat gjithëpërfshirës. Nuk mund të kërkojmë prej qytetarëve që të hedhin votën e tyre vetëm në momentin kur marrim vendime. Qytetari duhet të jetë pjesë e procesit të diskutimeve dhe debatit gjithëpërfshirës, i cili duhet të jetë kualitativ dhe ku duhet të përfshihen grupet e interesit”.

Pra, gjithkush që ka zë në këtë republikë, duhet të jetë pjesë e debatit dhe kështu të reformohet sistemi zgjedhor, e jo në zyra të mbyllura, me komisione që mundohen të krijojnë përshtypjen se ‘ne e kemi të qartë se ku kemi dështuar dhe tash ne me një reformim do ta zgjidhim problemin’”, u shpreh Sejdiu.

Në këtë pikë, u pajtua edhe Baraliu, i cili tha se një debat gjithëpërfshirës është më se i nevojshëm gjatë procesit të ndryshimeve në Ligjin zgjedhor.
Pa një debat publik, ku do të merrnin pjesë të gjitha segmentet e shoqërisë, i tërë spektri politik, social dhe civil i shoqërisë, nuk mund të ketë një akt të mirëfilltë juridik...



“Pa një debat publik, ku do të merrnin pjesë të gjitha segmentet e shoqërisë, i tërë spektri politik, social dhe civil i shoqërisë, nuk mund të ketë një akt të mirëfilltë juridik, siç është në këtë rast Kodi zgjedhor, i cili është i interesit dhe rëndësisë parësore për të gjithë qytetarët dhe për çdo qytetar veç e veç. Prandaj, debat po, të gjerë, të shtrirë dhe një konsensus politik dhe debat publik”, pohoi Baraliu.

Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje tha se, megjithatë, do të marrë pjesë në komisionet dhe organet që do të merren me sistemin zgjedhor, duke vazhduar punën në krijimin e një modeli zgjedhor që garanton përfaqësim, si dhe një sistem zgjedhor që, siç thuhet, është në funksion të qytetarit, e jo në funksion të kastave politike.
XS
SM
MD
LG