Ndërlidhjet

FSK-ja nuk bëhet polici


Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës
Draft-memorandumi i iniciuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës mund t’iu japë detyra shtesë pjesëtarëve të FSK-së. Kjo gjë do të jetë në të mirën e sigurisë së qytetarëve të vendit, deklaruan ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, dhe ai i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, derisa raportuan në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri.

Ministri Agim Çeku bëri të ditur se inicimi i këtij dokumenti që është në fazën fillestare të tij, është duke u hartuar në baza të Ligjit të FSK-së dhe Kushtetutës së vendit.

Ky draft-memorandum është një projekt i iniciuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës me qëllim që të fuqizohet FSK-ja dhe t’i marrë ato detyra që i ka të përshkruara në mandatin e vet. Është një dokument i panënshkruar, është një dokument shumë fillestar. Për miratimin e këtij dokumenti kemi një hartë rrugore dhe e kemi paraparë se si duhet të vijë, por dalja në publik disi e ka penguar dinamikën e aprovimit të këtij dokumenti”, tha Çeku.

Ministri i FSK-së - Agim Çeku...
Ky dokument, sipas drejtuesit të FSK-së, ka për qëllim avancimin e kësaj force dhe jo degradimin e saj. Çeku, madje, hodhi poshtë deklaratat e publikuara në media se me këtë memorandum “mund të politizohet FSK-ja”.

Është një projekt për ta fuqizuar sektorin e sigurisë në Kosovë. Pra, që Policia e Kosovës mund të llogarisë që ka në kë të mbështetet në ndonjë operacion më të ndërlikuar kur i duhet, një fuqi njerëzore më shumë, apo edhe ta mbulojë një pjesë në fushat e veprimit, dhe kjo vetëm nëse kërkohet. Është një projekt që e bën FSK-në më të dobishme për vendin se sa që është sot. Është një projekt që fare nuk i përzihet Policisë në kompetencat e veta dhe as që e politizon FSK-në”, deklaroi Çeku.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se memorandumi, i cili pritet të miratohet, duhet të jetë konform ligjeve në fuqi. Siç u shpreh ministri Rexhepi, para arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet dy ministrive, do të njoftohen të gjitha organet shtetërore të vendit.

Ky është versioni që është propozuar nga FSK-ja, dhe po them parimisht shqetësimet që unë i kam parë në media kanë qenë që FSK-ja po përzihet në punët e policisë, arrestimi i delikuenteve dhe kontrolli i turmave. Dikush ka aluduar se ne po shkojmë nga një shtet policor në ushtarak - gjë që nuk është” sqaroi Rexhepi.

Bajram Rexhepi - Ministër i Punëve të Brendshm
Ndër të tjera, draft-memorandumi parasheh angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe në “arrestimin e delinkuentëve dhe mbajtjen e tyre derisa t’i dorëzohen policisë”, për “menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit”, por edhe për “kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime”.

Disa nga anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, thanë në takim se cilido angazhim i FSK-së që është jashtë misionit të paraparë me Kushtetutën e vendit, është i papranueshëm në aspektin politik, juridik, e ushtarako-policor.

Kryetari i këtij Komisioni, Ahmet Isufi, u bëri thirrje të dy ministrive që asnjë marrëveshje apo nënshkrim i memorandumeve, të mos bëhet pa qenë në pajtim me rregullat dhe ligjet në fuqi të vendit.

Memorandumi duhet të jetë në përputhje me ligjin. Unë nuk e di se ku dhe nga ka mundur të dalë ai draft ose ai dokument, të cilin edhe mediat e kanë publikuar. Është jashtë kompetencave në bazë të nenit 9.3, ku thuhet se FSK-ja do të jetë e dizajnuar dhe e përgatitur për t'i përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë”, theksoi Isufi.
XS
SM
MD
LG