Ndërlidhjet

Beogradi të inkurajojë integrimin e veriut


Mitrovicë
Mitrovicë
Qeveria e Kosovës, ajo e Serbisë, Bashkësia Ndërkombëtare dhe banorët e pjesës veriore të Kosovës janë faktorët kryesorë që do të mundësojnë integrimin e veriut në jetën institucionale, tha të enjten kryetari i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Petar Miletiq. Përfaqësues të organizatave joqeveritare për çështje të minoriteteve thanë të kundërtën. Sipas tyre, Beogradi ka krijuar një mur ndarës në mes të veriut e jugut të vendit.


Përfaqësues të Këshillit Konsultativ për Komunitete theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë faktorëve relevantë për t’i integruar banorët e veriut të Kosovës në jetën shoqërore e institucionale të vendit.

Kryesuesi i këtij këshilli, njëherësh sekretar gjeneral i Partisë Liberale Serbe, Petar Miletiq, i tha Radios Evropa e Lirë se për integrimin e banorëve të asaj pjese duhet pyetur edhe Beogradi zyrtar.
Petar Miletiq

Petar Miletiq

“Unë mendoj se kur është fjala për veriun e Kosovës dhe integrimin e njerëzve në sistemin kosovar, nuk mund të gjendet një zgjidhje pa pjesëmarrjen e katër faktorëve më të rëndësishëm që funksionojnë në Kosovë, e këta janë Qeveria në Prishtinë, Qeveria në Beograd, bashkësia ndërkombëtare dhe popullata lokale që jeton në veri, pa marrë parasysh a është serbe apo shqiptare”, u shpreh Miletiq.

Mirëpo, drejtori i Qendrës Evropiane për Çështje Minoritare në Kosovë, Adrian Zeqiri, tha se ndikimi i Beogradit mbi serbët kosovarë - sidomos mbi ata në zonat në veri të vendit, ka krijuar një mur në mes të veriut dhe pjesëve të tjera të Kosovës.

Zeqiri theksoi se integrimi i banorëve të veriut do të mundësohet atëherë kur Qeveria serbe ta ketë ndalur financimin e strukturave të saj në veri.
...Beogradi duhet të ndalojë financimin e strukturave, të cilat e kundërshtojnë praninë e çdo elementi të Kosovës në atë pjesë.


Unë mendoj që Beogradi duhet të ndalojë financimin e strukturave, të cilat e kundërshtojnë praninë e çdo elementi të Kosovës në atë pjesë”, theksoi Zeqiri.

Çështja e integrimit të banorëve të veriut u paralajmërua të jetë temë e diskutimeve të mbledhjeve të ardhshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Në mbledhjen e fundit të këtij mekanizmi mori pjesë, për herë të parë që nga emërimi në postin aktual, edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nën autoritetin e së cilës vepron Këshilli në fjalë.

Kushtetuta e Kosovës mandaton këshillin “për të komentuar në një fazë të hershme nismat legjislative dhe politike, të cilat mund të përgatiten nga Qeveria, për të sugjeruar nisma të tilla dhe për të kërkuar që pikëpamjet e tyre të përfshihen në projektet dhe programet përkatëse”.

Miletiq tha se puna e deritashme e këshillit ka hasur në neglizhencën e autoriteteve kosovare.

“Për fat të keq, më duhet të them se kërkesat tona dhe ajo, për të cilën ka diskutuar këshilli, nuk është marrë parasysh shumë shpesh. Shembulli i fundit ka të bëjë me arsimin, ku më së shumti është prekur komuniteti boshnjak. Ata kanë disa vërejtje të caktuara në ligjin aktual, madje, edhe në ligjin që është duke u përgatitur. Ne kemi formuar grupin punues, i cila i ka dhënë të gjitha vërejtjet. Por, në këto vërejtje nuk është përgjigjur askush”, tha Miletiq.


Për mungesë të bashkëpunimit e koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse, foli edhe Zeqiri:

“Kosova është ende në fazën e mësimit se si të funksionojë sistemi institucional, të cilin e ka krijuar pas pavarësisë, për sa i përket mbrojtjes së komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.

Plani i fundit i autoriteteve kosovare, përmes të cilit synohet integrimi i banorëve serbë në jetën shoqërore e institucionale të vendit, është strategjia për veriun e hartuar në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare në fillim të vitit të kaluar.

Ky dokument cilësohet si “i vdekur” dhe “i dështuar” nga analistët politikë, por edhe nga opozita vendore.
XS
SM
MD
LG