Ndërlidhjet

Tahiri: Pala serbe u tërhoq nga projekt-marrëveshjet


Edita Tahiri
Edita Tahiri
Pala serbe është tërhequr në elemente të ndryshme të projekt-marrëveshjeve. Madje, ka pasur raste edhe kur për propozimet e veta ka rënë në kundërshtim me vetveten, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri. Ajo thotë se marrëveshjet e mundshme do të jenë në formë të standardeve evropiane, që do t’i obligojnë të dyja palët. Sa u takon kritikave që kryetari i Kuvendit ka bërë në drejtim të platformës së bisedimeve, zonja Tahiri thotë se Qeveria i ka kryer të gjitha obligimet ndaj Parlamentit.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse ishte paralajmëruar se kah mesi i këtij muaji, do të mbahej takimi i radhës për bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kjo është shtyrë. Keni thënë se pala serbe është tërhequr prej disa çështjeve. Prej çfarë çështjeve është tërhequr?
EDITA TAHIRI
Në takimet që i kemi pasur përmes video-konferencës, pala serbe ka bërë tërheqje në elemente të ndryshme të këtyre projekt-marrëveshjeve. Madje, ka pasur raste që edhe për propozimet që i ka dhënë vetë, ka rënë në kundërshtim me vetveten dhe është tërhequr.

Nga ana tjetër, unë kam shprehur mirëkuptim për atë që ata kanë nevojë për t’i studiuar tutje vendimet e tyre. Mirëpo, po ashtu kam kërkuar që të nxitojnë në vendimmarrje, sepse është në interes të mbarëvajtjes së dialogut që të kemi vendime ashtu siç ne, pala e Kosovës, për këto draft-marrëveshje të cilat janë në tavolinë, kemi dhënë pajtimin në parim, kemi marrë vendime dhe mbetemi seriozë në angazhimet tona për të çuar përpara dialogun dhe për të pasur zgjidhje në të mirë të qytetarëve.

Gjithashtu, në bisedat me diplomatët perëndimorë kemi bërë të qartë se dialogu duhet të ketë afatet e veta dhe para pushimeve verore duhet të ketë marrëveshje, në mënyrë që të fillojë zbatimi i tyre. Me këtë rast, palët do të dëshmojnë edhe vullnetin politik për t’i zbatuar zotimet që i marrin në kuadër të marrëveshjeve të dialogut.

RADIO EVROPA E LIRË
Për çfarë çështjesh mund të flitet pas këtyre kontakteve përmes video-konferencave që keni pasur?

EDITA TAHIRI

Nuk do të kemi tema të reja, por do të përpiqemi që të rrumbullakojmë një pako të marrëveshjeve që përfshin çështjet e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, çështjet e energjisë, të telekomunikacionit, si dhe çështjet e kthimit të dokumentacionit kadastral dhe regjistrave civilë. Ndërkohë, që çështjet tjera të hapura, do të vazhdojnë të diskutohen në raundet vijuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast se arrini pajtim për çështjet e diskutuara me palën serbe, si do të kontraktoheshin këto marrëveshje - ndërshtetërore apo mbi baza të statusit neutral?

EDITA TAHIRI
Ky proces i dialogut teknik është një proces tre-palësh, pra ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Për sa u takon modaliteteve se si do të duken marrëveshjet, këtë do ta sugjerojë pala e tretë, pra Bashkimi Evropian. Është me rëndësi që këto do të jenë obligative, edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Do të jenë formë e standardeve evropiane, siç janë edhe standardet tjera evropiane për shtetet që duan të bëhen pjesë e BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Kreu i Kuvendit të Kosovës, por edhe përfaqësues të partive politike opozitare ju kanë kritikuar për jotransparencë, për faktin se nuk ua keni dorëzuar platformën e bisedimeve. Si i shihni ju këto kritika?

EDITA TAHIRI

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të jetë pjesë e dialogut teknik, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, si dhe duke iu përgjigjur obligimit ndërkombëtar që ka dalë nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së e shtatorit 2010, dhe mbi këto obligime shtetërore e ndërkombëtare, ne po veprojmë. Në kuadër të bashkëpunimit midis Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kemi për bazë rezolutën, e cila edhe i ka kërkesat dhe obligimet ndaj nesh.

Ne raportojmë rregullisht në Kuvend - po ua them disa shembuj, kryeministri ka qenë në interpelancë në Kuvend për çështjen e dialogut, ka njoftuar gjerësisht për platformën, për qëllimet tona, për dialogun, për angazhimin tonë që përmes këtij dialogu të përmirësojmë jetën e qytetarëve, t’i kontribuojmë bashkëpunimit rajonal dhe ta afrojmë Kosovën me BE-në.

Po ashtu, unë, si kryenegociatore, kam raportuar në Komisionin për politikë të jashtme të Kuvendit, në Komisionin për komunitete dhe për çështjen e të pagjeturve. Vazhdimisht jap përgjigje në pyetjet parlamentare që më vijnë, madje jam shumë e elaboruar në kuptimin e asaj që varësisht nga pyetja, unë shpalos platformën për çështjen e caktuar që pyetem dhe çdo herë do ta bëjmë këtë sa herë që kemi kërkesë nga Kuvendi i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A do t’ia dorëzoni platformën-dokument Kuvendit të Kosovës?
EDITA TAHIRI
Në fakt, gjithë ky bashkëpunim që po e bëjmë është konform Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe platformën. Mendimi im është që kërkesat që janë bërë nga ana e Kuvendit, janë kërkesa për një angazhim dhe bashkëpunim edhe më të shtuar. Natyrisht, se ne do t’u përgjigjemi obligimeve.

Theksoj se unë si kryenegociatore, i përgjigjem kryeministrit, pra Qeveria në raport me Kuvendin do t’i kryejë dhe i ka kryer obligimet. Me rëndësi është që kemi një bashkëpunim konstruktiv, të vazhdueshëm dhe gjithsesi se institucionet e Kosovës, nëse vërejnë elemente apo sfida të ndryshme, ato duhet t’i tejkalojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju patët paralajmëruar se Bashkimi Evropian mund të japë garancitë për zbatimin e marrëveshjeve eventuale me Serbinë, po ku do të mbetet roli i Kuvendit në këtë rast?
EDITA TAHIRI
Besoj se duhet të presim kohën kur Bashkimi Evropian, përkatësisht ndërmjetësi Kuper do t’i propozojë modalitet. Në qoftë se rezultatet e marrëveshjeve do të konsiderohen sikur standarde obligative për të dyja palët, mund të jenë në formë standardesh.

Po, në qoftë se zoti Kuper propozon që të jenë marrëveshje të nënshkruara, ne do t’i nënshkruajmë dhe nëse i nënshkruajmë, atëherë ato duhet të ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës, ashtu siç i kërkon Rezoluta e Kuvendit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG