Ndërlidhjet

Gordon: Jo ndarje, por ndryshim të status quo-së


Filip Gordon
Filip Gordon
Ndarja do të kishte pasoja që do të ishin negative për tërë rajonin. Kufijtë aktual të shteteve në rajon duhet të respektohen - nuk duhet të ndryshojnë, tha në Prishtinë, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë e Euroazi, Filip Gordon. Këto komente ai e bëri gjatë një takimi me gazetarë, ku foli edhe për gjendjen në veri të Kosovës, bisedimet Prishtinë-Beograd dhe hetimet e Task-forcës së EULEX-it për raportin e Dik Martit.


Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Gordon, theksoi domosdoshmërinë që Beogradi zyrtar ta ndryshojë qasjen ndaj veriut të Kosovës, po qe se Serbia synon ta jetësojë planin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë bisedës me një grup gazetarësh në Prishtinë, një ditë pas vizitës në kryeqytetin serb, diplomati amerikan e quajti të papranueshëm status quo-në në veri.

Ai tha se duhet të bëhen ndryshime në gjendjen aktuale në atë pjesë të vendit dhe se duhet të ndryshojë roli politik e financiar i Beogradit në veri po qe se autoritetet serbe duan të jenë anëtarë të plotë në Bashkimin Evropian.

Takimi me gazetarë në Ambasadën Amerikane në Kosovë

Mendoj se qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe ai i shteteve kryesore anëtare të Bashkimit Evropian është i qartë se, po qe se Serbia dëshiron të ecë në këtë rrugë - gjë që thotë së dëshiron ta bëjë, ajo duhet të fillojë ta pranojë dhe të nisë zgjidhjen e kësaj situate me Kosovën sa i përket veriut. Kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”, u shpreh Gordon.

Ai ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ndërsa u shpreh kundër zbatimit të ideve që flasin për ndarjen e Kosovës apo bashkimin me Shqipërinë.

Gordon tha se ndarja e veriut mund të prodhonte pasoja negative në tërë rajonin, andaj, sipas tij, duhet të respektohen kufijtë aktualë në Ballkan.

Kufijtë aktualë të shteteve në rajon duhet të respektohen, nuk duhet të ndryshojnë. Kjo vlen, qoftë për shqiptarët, qoftë për serbët”, tha Gordon.

Duke folur për planet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në kuadër të misionit të NATO-s, në Kosovë, Gordon hodhi poshtë mundësinë për reduktimin e trupave amerikane në vend.

Ndërkohë, në takimet me udhëheqësit e Kosovës - presidenten, Atifete Jahjaga, dhe kryeministrin Hashim Thaçi, diplomati amerikan përçoi mesazhin e Uashingtonit zyrtar për rëndësinë që Kosova të shihet në botë si shtet që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, që është i përkushtuar për ndërtimin e demokracisë dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Gordon tha se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ndërsa mbështesin të dyja palët në gjetjen e zgjidhjeve pragmatike dhe praktike për qytetarët e tyre. Megjithatë, ai nuk saktësoi idenë se si mund të duken zgjidhjet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Roli i Shteteve të Bashkuara në këtë proces nuk është t’u tregojë palëve se çfarë duhet të diskutojnë, apo se cilat duhet të jenë kompromiset, por vetëm të mbështesë dhe të inkurajojë procesin. Jam i inkurajuar se këtë po e bëjnë në mënyrë direkte që të dyja palët”, u shpreh Gordon në një konferencë të përbashkët me kreun e ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi.

Filip Gordon dhe Hashim Thaçi, Prishtinë.

Emri i këtij të fundit apostrofohet në raportin e përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili përmban një varg akuzash lidhur me "trafikim të organeve nga pjesëtarë të UÇK-së në Kosovë", gjatë periudhës së vitit 1999.

I pyetur për vlerësimin e tij lidhur me hetimet që do t’i zhvillojë Task-forca e misionit evropian për sundimin e ligjit për këto akuza, ndihmëssekretari amerikan u shpreh:

“Akuzat duhet të hetohen sa më parë, por ato duhet të hetohen në mënyrë të duhur. Andaj, le ta mbështesim këtë proces ndërkombëtar për të krijuar një grup serioz që mund ta bëjë punën si duhet”.

Mbështetjen për hetimet e Task-forcës evropiane e ofroi dhe kryeministri Thaçi, i cili tha se është në interesin e Kosovës që të përfundojnë sa më parë këto hetime.

Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe është në interesin e Kosovës që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur. Pra, ne kemi besim të plotë në drejtësinë dhe do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me autoritetet ndërkombëtare të drejtësisë”, tha Thaçi pas nënshkrimit të një Memorandumi të Mirëkuptimit me zyrtarin amerikan - marrëveshje kjo e cila parasheh një ndihmë financiare prej 9.7 milionë dollarësh për fushën e arsimit në Kosovë.
XS
SM
MD
LG