Ndërlidhjet

Polonia merr presidencën e BE-së


Presidenti i Polonisë, Bronisllav Komorovski, para pallatit presidencial në Varshavë, 1 korrik 2011.
Presidenti i Polonisë, Bronisllav Komorovski, para pallatit presidencial në Varshavë, 1 korrik 2011.
Pas shekujsh duke qenë toka e rëndë e Evropës dhe vite të tjera duke qenë rrethimi i bezdisshëm me gjemba, Polonia merr përsipër udhëheqjen e Evropës.

“Themelet e Evropës janë të kërcënuara dhe lidership i fuqishëm është i nevojshëm”, ka thënë kryeministri polak, Donald Tusk, kohëve të fundit, për të shtuar se “presidenca polake do ta rikthejë besimin në institucionet evropiane”.

Polonia ka bërë një transformim gjatë viteve të fundit, nga një vend i margjinalizuar në një vend me peshë sipas analistit Piot Maciej Kaçinski, i cili punon në Bruksel me Qendrën për Studime të Politikave Evropiane.

Koha kur ky shtet ka qenë më së shumti në konfrontim me Bashkimin Evropian është kur vendi udhëhiqej nga binjakët, Leh dhe Jarosllav Kaçinski, të cilët e kontrollonin presidencën dhe qeverinë. Gjërat ndryshuan kur në pushtet erdhi partia pro biznesit, Platforma Qytetare, dhe Donald Tusk u bë kryeministër.

Një nga gjërat që bëri kryeministri Tusk ishte përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë dhe në veçanti me Gjermaninë, duke punuar ngushtë me kancelaren Angela Merkel.

Bartek Novak, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Varshavë, thotë se Polonia dhe Gjermania tani diskutojnë politikat evropiane rregullisht.

“Ne e kemi kuptuar dhe më pas implementuar thënien e vjetër: ‘njeriu mund të bëjë shumë së bashku me Gjermaninë, por asgjë kundër saj’. Pra, ne e implementuam këtë gjë praktikisht në të gjitha politikat tona, duke u konslutuar me Gjermaninë”, thotë Novak.

Në anën tjetër, përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë, sipas analistit Novak, ka edhe arsye praktike.

“Ne e kemi kuptuar gjithashtu se nuk jemi efektivë nëse brenda BE-së konsiderohesh një luftëtar i luftës së ftohtë kundër Rusisë, sepse për shumë anëtarë të BE-së Rusia është një vend shumë i rëndësishëm. Pra, tani jemi shumë më tepër pragmatikë, duke e krijuar një marrëdhënie mjaft stabile me Rusinë”, vazhdon më tej Novak.

Përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë ka çuar drejt përmirësimit të lidhjeve edhe me Francën, pasi kjo e fundit e konsideron shtetin rus një partner esencial.

Kredibiliteti i Polonisë në BE është rritur edhe më shumë kur e kaloi me sukses krizën ekonomike të vitit 2008, duke shënuar bile edhe rritje pozitive në vitin 2009, kur shumë ekonomi evropiane ishin duke shënuar vetëm humbje.

Katarzina Pelçinska Nalezh, nga Qendra për Studime Evropiane, sqaron:

“Ka qenë shumë me rëndësi për Poloninë që ne nuk jemi në mesin e shteteve që janë goditur nga kriza. Gjatë kësaj kohe, qeveria doli me një definicion që thotë se ne jemi ‘ishulli i gjelbër në detin e kuq të krizës ekonomike’”.

Gjatë presidencës së saj gjashtëmujore, Polonia pritet të shtyjë para agjendën e saj tradicionale të integrimit të komuniteteve që janë në kufirin lindor të BE-së, si Ukraina dhe Gjeorgjia.

Sipas analistëve, Polonia ka dëshirë të përqëndrojë agjendën e saj drejt lindjes, mirëpo ka frikë se krizat si ato nëpër të cilat po kalojnë Greqia, Irlanda dhe Portugalia, mund të jenë pengesë për këtë. Polonia gjithashtu do t’iu kushtojë vëmendje zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. (a.h.)
XS
SM
MD
LG