Ndërlidhjet

Holanda, përgjegjëse për tri vrasje në Srebrenicë


Srebrenicë 1995
Srebrenicë 1995
Një gjykatë e apelit në Holandë ka publikuar vendimin, sipas të cilit Holanda është përgjegjëse për vrasjen e tre myslimanëve në Bosnjë, gjatë masakrës në Srebrenicë në vitin 1995.

Rasti në Gjykatën e Apelit ishte ngritur nga Hasan Nuhanoviq, përkthyes i batalionit holandez, që në masakër e kishte humbur vëllanë, babanë, dhe ishte i afërm viktimës së Srebrenicës, Rizo Mustafiq, i cili po ashtu ishte elektricist në bazën holandeze në Potoçar.

Gjykata e Apelit në Hagë ka konfirmuar se batalioni holandez është dashur t’ia ruajë jetën anëtarëve të familjes Nuhanoviq dhe Rizo Mustafiqit, dhe t’i mbrojë ata nga njësitë e Ushtrisë së Republikës Serbe, që komandoheshin nga Ratko Mlladiqi.

Kjo Gjykatë ka vendosur ndaj ankesës kundër aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut, e cila më parë vendosi që shteti holandez nuk ishte përgjegjës.

Gjykata ka gjetur se Qeveria e Holandës është përgjegjëse për vrasje, sepse, siç ka shpjeguar zëdhënësja e gjykatës, paqeruajtësit holandezë të vendosur atje “nuk do të duhej t’i dorëzonin ata” te forcat invaduese serbe të Bosnjës.

Hasan Nuhanoviq ka thënë se gjykata e shkallës së dytë i ka konfirmuar të gjitha akuzat, të cilat ai dhe familja e Rizo Mustafiqit i kishin bërë kundër shtetit të Holandës.
Hasan Nuhanoviq


“Nga ajo se çfarë kanë bërë forcat holandeze gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, ato kanë qenë përgjegjës për vdekjen e familjes sime dhe të Rizo Mustafiqit. Që të dy familjet kanë qenë në bazën e UNPROFOR-it në Potoçar, me disa mijëra refugjatë tjerë. Aktgjykimi përmend se Holanda është përgjegjëse për vdekjen e familjes sime dhe të Rizo Mustafiqit. Aktgjykimi, po ashtu, përmend edhe refugjatët tjerë, por nuk e di se si do të vazhdojë të trajtohet më tej kjo”, ka thënë Nuhanoviq.

Batalioni holandez, në kuadër të forcave të OKB-së, ka qenë përgjegjës për sigurinë në zonën e Srebrenicës në vitin 1995, kur forcat e serbëve të Bosnjës nën komandën e Mlladiqit, morën enklavën dhe ekzekutuan 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Përkthyesi Nuhanoviq, si dhe familja e të afërmit të tij, elektricistit Rizo Mustafiq, i cili punonte për batalionin holandez, por qe vrarë në Srebrenicë, ngrenë padi kundër Holandës me kërkesën për kompensim.

Gjykata ka marrë vendim se ushtarët holandezë ishin përgjegjës për vdekjen e këtyre njerëzve, sepse nuk është dashur që ata t’ua dorëzojnë forcave të serbëve të Bosnjës. Qeveria e Holandës ka thënë se ushtarët e saj ishin braktisur nga OKB-ja gjatë incidentit.

Vendimi është mirëpritur nga Zumra Shehomeroviq nga Srebrenica, e cila ishte e pranishme në seancën dëgjimore kundër Mlladiqit në ditën e hënë, ku ai pritej të deklarohej për akuzat.
Varret e viktimave të masakrës së Srebrenicës...

“Me këtë aktgjykim, kemi edhe një provë tjetër për atë që është bërë. Ne shpresojmë që edhe viktimat tjera mund të ngrenë padi dhe të marrin kompensim për shkak të humbjes së më të afërmve të tyre”, u shpreh Shehomeroviq.

Tash disa vjet para një gjykate në Holandë gjendet edhe një padi civile kundër shtetit të Holandës dhe OKB-së, e ngritur nga Gratë e Srebrenicës.

Gjykata ka vërtetuar se OKB-ja ka imunitet absolut dhe se nuk mund të vazhdojë procesi kundër saj. Megjithatë, procesi vazhdon në padinë kundër shtetit të Holandës.

“Pas vendimit të sotëm në rastin Nuhanoviq, shanset janë shumë më të mëdha”, ka thënë avokati që përfaqëson kërkesën, Semir Guzin.

“Në këtë mënyrë, edhe rastit tonë i ‘janë hapur dyert’ dhe ndoshta për herë të parë që nga ngritja e aktakuzës, mund të ketë bisedime serioze për zgjidhje jashtë gjyqësore. Kjo nënkupton, se mbase nuk do të vazhdojmë me proces gjyqësor, sepse do të ishte e pakuptimtë, meqë është vërtetuar përgjegjësia e Holandës, dhe jashtë gjyqit do të mund të arrihej zgjidhja”, ka thënë Guzin.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Holandës ka thënë të jetë befasuar nga vendimin e gjykatës në Hagë.

Agjencia holandeze e lajmeve, ANP citon zyrtarë të kësaj ministrie, të kenë thënë se aktgjykimi do të shqyrtohet me kujdes, para se të vendoset për hapat e ardhshëm.

Holanda mund të apelojë vendimin e së martës.

Zyrtarët kanë kujtuar vendimin e para disa ditëve të një Gjykate të Apelit, që ka vlerësuar se trupat holandeze kanë imunitet dhe se në Srebrenicë kanë vepruar nën ombrellën e OKB-së, duke hedhur kështu poshtë kërkesën për kompensim të të afërmve të viktimave.(a.i)

Lexoni edhe këtë:
Mlladiqi injoron, gjykata e përjashton nga salla
XS
SM
MD
LG