Ndërlidhjet

Dënohen shumë protestues dhe gazetarë


Bjellorusi
Bjellorusi
Së paku 140 janë dënuar me periudha të shkurtra me burg, ose janë gjobitur për pjesëmarrje në protestat anti-qeveri në Bjellorusi, thanë veprimtarët për të drejtat e njeriut në këtë vend.

Grupi për të drejta të njeriut, me seli në kryeqytetin Minsk, Vjasna, dhe organizatat e tjera rajonale, thanë se afro 100 vetë janë dënuar në kryeqytet dhe 40 të tjerë në qytetet Brest, Homel dhe Mahileu.

Dënimet janë me burgim në kohëzgjatje prej dy e deri në 15 ditë, ndërsa ata që i shpëtuan burgut, u dënuan me të holla deri në 200 dollarë amerikanë.

Më se 200 raste janë në pritje të procedurave gjyqësore në gjithë Bjellorusinë.

Dënimet u bënë pasi afro 400 vetë ishin arrestuar të dielën, derisa qytetarët kishin dalë në rrugë për ta shprehur pakënaqësinë e tyre me politikat e presidentit autoritar, Aleksander Llukashenka. Pakënaqësinë e tyre e kishin shprehur me duartrokitje.

Por, tubimet ishin shpërndarë me forcë nga policia, e cila kishte hedhur gaz lotsjellës dhe i kishte rrahur aktivistët. Dëshmitarët thanë se disa nga protestuesit ishin arrestuar nga forcat speciale.

Sipas televizionit shtetëror të Bjellorusisë, shumica e protestuesve ballafaqohen me akuza për mosrespektim të rendit publik dhe pjesëmarrje në demonstrata të palejuara.

Korrespondenti i shërbimit për Bjellorusinë i Radios Evropa e Lirë, Mikhal Karnievich, ishte arrestuar derisa raportonte për protesta në qytetin perëndimor, Hrodna.

Ai më vonë ishte liruar, por duhet të paraqitet në gjykatë.

Disa gazetarë bashkëpunëtorë të këtij shërbimi, po ashtu, janë arrestuar nga policia speciale derisa raportonin, përfshirë edhe gazetaren, fotoaparati i së cilës u thye gjatë përleshjes me policinë.

Goditja e policisë ndaj demonstruesve është dënuar nga OSBE-ja dhe Bashkimi Evropian.

Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kërkoi që Bjellorusia ta ndalë goditjen kundër rivalëve të presidentit Aleksander Llukashenka.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Audronius Azubalis, që aktualisht është kryesues i OSBE-së, kërkoi nga Qeveria e Bjellorusisë, që t’i “lirojë të arrestuarit dhe të përmbahet nga përdorimi i dhunës kundër shtetasve paqësorë”.

Kryetar i Parlamentit Evropian, Jirzi Buzek, bëri thirrje për lirim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të protestuesve të arrestuar.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për politikë të Jashtme të BE-së, Ketrin Eshton, i tha Radios Evropa e Lirë se BE-ja po i ndiqte zhvillimet në Bjellorusi me “shqetësim ekstrem”.

“Ne dënojmë goditjen e rëndë dhe jopërkatëse ndaj pjesëmarrësve paqësorë, përfshirë gazetarët, në protestat që i pamë në Minsk dhe në qytetet e tjera të Bjellorusisë. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve t’i respektojnë të drejtat e shtetasve të vet për liri të shprehjes së pikëpamjeve të tyre, të shqetësimeve dhe pakënaqësisë për situatën në vend”, tha Maja Kocijanciq.

I cilësuar si “diktatori i fundit në Evropë”, presidenti Llukashenka e ka sunduar këtë ish-republikë sovjetike me dorë të hekurt për 17 vjet. Ai ishte rizgjedhur në dhjetor të vitit të kaluar, në zgjedhjet që patën shkaktuar protesta masive.

Disa veprimtarë opozitarë u burgosën, përfshirë edhe rivalin kryesor të Llukashenkos në zgjedhje, Andrey Sanikau, i cili u dënua me pesë vjet burgim.

Grupi Revolucioni Nëpërmjet Rrjetin Shoqëror në Internet premtoi t’i vazhdojë protestat “nën çfarëdo kushtesh”. Ky grup tha se Llukashenka “nuk mund t’i ndalë aktet paqësore të protestave dhe luftën për liri”.

Nga ana tjerët, korrespondenti bjellorus i së përditshmes polake, “Gazeta Viborça”, Andrzhej Poçobut, u dënua me tri vjet burgim me kusht, njoftoi avokati i gazetarit.

Sipas këtij avokati, gazetari Poçobut ishte liruar nga akuzat për ofendim të presidentit, por ishte shpallur fajtor për shpifje në artikujt e tij.

Ai ishte liruar menjëherë pas shpalljes së vendimit në procesin e mbyllur gjyqësor në qytetin Hrodna.

Duke folur me gazetarët para ndërtesës së gjykatës, Poçobut tha se lirimi i tij ishte bërë në saje të sanksioneve, që qeveritë perëndimore ia kanë vënë regjimit të Llukashenkas, për shkak të goditjes së tij brutale kundër protestuesve, shoqërisë civile dhe gazetarëve, prej zgjedhjeve të dhjetorit.

“Jam absolutisht i lumtur, pasi nuk kisha shpresë se do të lirohesha. Mendova se do të dërgohesha përsëri në burg. E di se ajo që ndodhi ishte rezultat i presionit ndaj regjimit dhe ky është rezultati i parë i sanksioneve ekonomike kundër regjimit të Llukashenkas”, tha gazetari Poçobut, i cili më parë i kishte vuajtur dy javë dënim për dyshime për pjesëmarrje në protestat pas zgjedhore. (f. b.)


Lirimi i korrespondentit Andrzhej Poçobut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00
XS
SM
MD
LG