Ndërlidhjet

Task-forca për akuzat e Martit s’është gati


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Në fund të këtij muaji pritet të nisë punën Task-forca e EULEX-it për hetimin e akuzave të përfaqësuesit zviceran të Këshillit të Evropës, Dik Marti. Njohësit e së drejtës penale në Kosovë thanë se, për shkak të ndjeshmërisë së procesit, Task-forca duhet t’i kushtojë rëndësi të posaçme mbrojtjes së dëshmitarëve.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ende nuk e ka të gatshme listën e emrave që do të jenë pjesë e Task-forcës përgjegjëse për hetimin e akuzave që dalin nga raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti.

Edhe pse kjo Task-forcë një muaj më parë mori dritën jeshile për veprim nga Brukseli zyrtar, procesi për krijimin e Task-forcës thuhet se ende është në fazën e rekrutimit.


Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë, se Task-forca pritet të jetë e gatshme deri në fund të muajit korrik. Megjithatë, ende nuk dihet se sa anëtarë do t’i ketë ekipi i hetuesve dhe ekspertëve, të cilin do ta udhëheqë një prokuror ndërkombëtar.

“Nuk mund të themi për momentin se sa do të jetë numri i saktë i personave që do të punojnë në këtë Task-forcë. Ajo që mund të themi është se kjo Task-forcë do të udhëhiqet nga një prokuror dhe, po ashtu, do të ketë hetues, zyrtarë ligjorë dhe përkthyes, që do të jenë pjesë e kësaj Task-force”, bëri të ditur Krasniqi.

Task-forca, e cila do të hetojë akuzat për rrëmbime, zhdukje, ekzekutime, trafikim organesh dhe krime të tjera serioze, thuhet se do të punojë në hetimin preliminar që filloi nga EULEX-i më 27 janar të këtij viti.

Hetimi pritet të sjellë qartësi lidhur me bashkëpunimin e pretenduar të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të liderëve aktualë të Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Deri më tani, nuk dihet forma e veprimit të Task-forcës, e as selia e saj. Përfaqësues të EULEX-it patën paralajmëruar që, siç thuhej, për shkak të dimensionit ndërkombëtar të hetimeve, Task-forca të jetë pjesërisht me seli në Bruksel.


Mirëpo, njohësit e së drejtës penale në Prishtinë theksuan rëndësinë që hetuesit ta kenë qendrën në Kosovë. Profesori në Universitetin e Prishtinës, Ismet Salihu, shpjegoi:

“Me faktin që EULEX-i e ka marrë përsipër bërjen e hetimeve për pretendimet e pohimet e Dik Martit, kjo nënkupton që selia e këtij ekipi të hetuesve do të jetë në Kosovë. Në Kosovë do të jetë, por gjithsesi do të ketë edhe raporte, marrëdhënie dhe instruksione edhe prej Brukselit”.

Salihu theksoi rëndësinë për një program të sofistikuar për mbrojtjen e dëshmitarëve gjatë procesit hetues të kësaj Task-force.

“Gjithsesi, për rastin e hetimeve të pretendimeve e pohimeve të Dik Martit do të jenë edhe dëshmitarët e mbrojtur. Përndryshe, kurrsesi nuk mund të zhvillohen hetime pa dëshmitarë me status të dëshmitarit të mbrojtur”, theksoi Salihu.
XS
SM
MD
LG