Ndërlidhjet

Të shpërbëhen strukturat paralele në veri


Mitrovicë (Foto arkiv)
Mitrovicë (Foto arkiv)
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës që po zhvillon në Bruksel, ka mbajtur një ligjëratë në Qendrën për Politikë Evropiane me temën “Kosova në Evropë dhe Ballkani”.

Para shumë diplomatëve, studentëve dhe profesorëve të pranishëm, ministri Hoxhaj ka thënë se projekti i Evropës së Bashkuar mund të jetë i plotë vetëm nëse në të përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit.

Ai ka kërkuar një dinamikë të re në këtë proces, duke potencuar se Bashkimi Evropian duhet të përçojë mesazhe të qarta për qytetarët e Republikës së Kosovës, brenda këtij viti.

“Është vetëm një shtet në Ballkan që nuk ka marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe ky shtet është Kosova. Është vetëm një shtet në Ballkan që nuk e ka të drejtën e lëvizjes së lirë në Evropë dhe ky shtet është Kosova. Kjo duhet të ndryshojë”, citon ministrin Hoxhaj një komunikatë e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Duke iu përgjigjur shumë pyetjeve të diplomatëve, profesorëve dhe studentëve për gjendjen në veri të Kosovës, ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se Serbia duhet të dorëzohet, duhet ta pranojë realitetin në Kosovë, duke shtuar se politikanët serbë fatin e tyre duhet ta kërkojnë brenda kufijve të Serbisë.

“Zoti Tadiq më shumë e promovon veten si president i serbëve në Ballkan, sesa si president i Serbisë. Kontrolli administrativ jashtë kufijve shtetërorë, prodhimi i krizave jashtë kufijve shtetërorë janë veprime kundër parimeve, idesë dhe politikës evropiane. Prandaj, strukturat paralele serbe në Kosovë duhet të shpërbëhen një herë e përgjithmonë”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë vizitës në Bruksel, ministri Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim edhe me Miroslav Lajçak, drejtor menaxhues për Rusi, Fqinjësi Lindore dhe Ballkanin Perëndimor në shërbimin e jashtëm të BE-së.

Gjatë takimit, ai ka kërkuar përkrahjen e këtij Komisioni për proceset integruese evropiane të Kosovës, thuhet në komunikatë.

Hoxhaj ka theksuar rëndësinë që mes Kosovës dhe institucioneve të BE-së të nënshkruhen marrëveshje tregtare, të cilat do të kishin ndikim të madh në avancimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Në anën tjetër, Miroslav Lajçak, ka përshëndetur punën e madhe që është bërë në muajt e fundit nga Kosova në përmbushjen e kritereve evropiane, në drejtim të krijimit të kushteve për procesin e liberalizmit të vizave.

Lajçak ka thënë se është bërë një punë shumë e mirë në këtë drejtim, duke u shprehur optimist për perspektivën evropiane të Kosovës, veçanërisht rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Bruksel, ka zhvilluar takime edhe me ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të akredituar në Bashkimin Evropian.(z.g.)
XS
SM
MD
LG