Ndërlidhjet

Imuniteti i deputetëve, problem politik?


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës
Çështja e imunitetit të deputetëve dhe drejtimi i Qeverisë së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese që të qartësojë këtë çështje, ka nxitur reagime të ekspertëve të çështjeve juridike-kushtetuese, si dhe analistëve të çështjeve politike.

Ata kanë mendime të ndryshme lidhur me veprimin e Qeverisë së Kosovës dhe për situatën që ka krijuar kjo çështje.

Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike-kushtetuese thotë se Qeveria e Kosovës në këtë rast ka devijuar nga rruga ligjore.

Qeveria nuk është dashur që të involvohej fare. Ja pse: Neni 9 i Ligjit për deputetët, për të drejtat dhe autorizimet, më pastaj edhe Kushtetuta, por ligji që e zbërthen, e përcakton se kush mund të kërkojë, dhe këtë, në qoftë se do të ishte çështje juridike penale. Prokurori i shtetit. Vetëm prokurori i shtetit, vetëm gjykata, jo tjetërkush. Në procedurën e caktuar, gjykata do të duhej të kërkonte nga Kuvendi. Kërkesën do të duhej ta bënte prokurori i shtetit. Nuk e di se si qeveria e mori këtë punë. Pse prokurori i shtetit nuk e bën këtë punë?”, thotë Smaka.

Por, mendim tjetër ka Mazllum Baraliu, gjithashtu ekspert për çështje juridike-kushtetuese.

Sipas tij, Qeveria ka vepruar përmes rrugëve ligjore dhe në këtë rast nuk ka bërë ndonjë shkelje të procedurave ligjore.

E drejtë e qeverisë është, sikurse edhe e Kuvendit dhe e presidencës, që në bazë të dispozitave të Nenit 113, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, kurdoherë kur ato institucione që i përmenda më sipër, kanë ndonjë shqetësim lidhur me interpretimin e Kushtetutës. Kështu që iniciativa, si e tillë është legjitime dhe legale. Unë nuk shoh asgjë kundër kushtetuese dhe të palejuar”, shprehet Baraliu.

Baraliu shtoi se më pas, inicimin e procedurës drejt Kuvendit të Kosovës për heqjen ose jo të imunitetit të deputetëve e ka prokuroria e shtetit.

Ndryshe, problemet të cilat kanë dalë nga çështja e qartësimit të imunitetit të deputetëve, sipas zotit Smaka, kanë më tepër karakter politik.

Sipas tij, në këtë problem është implikuar edhe misioni evropian i ligjit EULEX, i cili kohë më parë ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që me një rezolutë ta mbështes Qeverinë e Kosovës që të kërkojë sqarim për këtë çështje nga Gjykata Kushtetuese.

Problemi është i karakterit politik, sepse raportet politike në partitë politike, relacionet, xhelozitë, rivalitetet, janë të gjitha këtu. Grupet e interesave janë të involvuara, gjë që është keq për ne, në përgjithësi. Megjithatë, edhe EULEX-i nuk ka vepruar ashtu si do të duhej të vepronte. Jo të veprojë asisoj, t’i injorojë aktet ligjore tona”, thotë ai.

Por, Baraliu, nuk mendon se është politizuar çështja e qartësimit të imunitetit të deputetëve.

Nuk them se është politizuar. Por, kërkesa e EULEX-it gjithsesi, vështruar në aspektin përmbajtësor, qoftë edhe procedural, është më tepër një orientim, një qasje politike. Ndërkaq, çështja për të cilën bëhet kërkesa në Kuvend, është çështje juridike dhe ajo do të duhej të adresohej në mënyrën siç e shpjegova më parë”, bën të ditur Baraliu.

Ndërsa, analisti i çështjeve politike Ardian Arifaj nga Klubi për Politikë të Jashtme, thekson se të gjitha problemet që kanë dalë nga çështja e sqarimit të imunitetit të deputetëve, më tepër janë produkte të lojërave politike dhe rrethanave që aktualisht janë në Partinë Demokratike të Kosovës.

Krejt është çështje politike në PDK (Partia Demokratike e Kosovës). Krejt kjo është luftë në mes të dy fraksioneve në PDK. Asgjë tjetër. Kjo është shumë e thjeshtë. Por, normalisht, prej kësaj më së shumti pëson vet Kosova dhe ambicia jonë për ta ndërtuar një shtet të së drejtës, ku sundon ligji. Një gjë që vërehet më së shumti, është ndikimi i ndërkombëtarëve. Në Kosovë po bëhet qysh kanë qejf ndërkombëtarët e jo si thotë ligji e Kushtetuta”, thekson Arifaj.

Sidoqoftë, Arifaj ka thënë se një nga shtegdaljet është dorëheqja nga pozitat dhe imuniteti nga ana e vetë deputetëve, të cilët janë nën hetime.
XS
SM
MD
LG