Ndërlidhjet

Priten rritje të këmbimeve tregtare


Kamionët që ngarkojnë mallra nga Serbia, presin para pikës doganore në kufirin Kosovë-Serbi.
Kamionët që ngarkojnë mallra nga Serbia, presin para pikës doganore në kufirin Kosovë-Serbi.
Pas vendosjes së masave të reciprocitetit për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinë, këmbimet tregtare mes Kosovës dhe vendeve tjera pritet të rriten, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike. Ndërkaq, përfaqësues të Doganave të Kosovës konsiderojnë se kanë kapacitete të mjaftueshme për të pritur fluksin e mallrave, që eventualisht do të vinë nga vendet tjera të rajonit dhe botës.

Bllokimi i produkteve serbe dhe taksimi për 10 për qind i produkteve të Bosnjës e Hercegovinës do t’iu hapë rrugën vendeve të rajonit që të importojnë mallrat e tyre në Kosovë.

Ekspertë të çështjeve ekonomike duke e vlerësuar reciprocitetin si një vendim të qëlluar, thonë se Kosova duhet të krijojë këmbime tregtare të mira me vendet e rajonit.

Profesori i ekonomisë Bedri Selmanaj, thotë se pas këtij vendimi, do të ketë rritje të këmbimeve tregtare me vendet tjera të rajonit dhe botës.

Fluksi në pikat doganore me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi do të rritet. Doganat kanë kapacitete të mjaftueshme për të pritur këtë fluks. Dilema rreth kësaj se çfarë do të ndodhë nuk ka, dhe se nuk do të ketë problem në tregun e mallrave në Kosovë”, thekson Selmanaj.

Ai e vlerëson të domosdoshëm bashkëpunimin rajonal në aspektin ekonomik, pasi që, siç thotë ai, ky kriter duhet të përmbushet nga të gjitha vendet, të cilat synojnë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian

Sipas ekspertëve, bashkëpunimi ekonomik i Kosovës me disa nga vendet e rajonit ende mbetet në nivele modeste.

Politika tregtare, sipas tyre, duhet të fokusohet në ngritjen e kapaciteteve konkurruese në tregun e brendshëm, si dhe në promovimin e eksportit.

Këmbimi tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë është në favor të Shqipërisë. Shqipëria në Kosovë eksporton rreth 35 milion euro mallra dhe shërbime, kurse prodhuesit kosovarë eksportojnë rreth 13 milion euro”, shprehet Selmanaj.

Ndërkaq, nga doganat, thonë se janë të gatshëm të presin çfarëdo ndryshimi që mund të ndodhë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavilevci, thotë se gjatë 10 viteve të fundit nuk kanë pasur ndonjë problem dhe, siç thotë ai, edhe fluksin e mallrave që do të vinë nga vendet tjera do ta përballojnë.

Dogana e Kosovës ka përballuar të gjitha ndryshimet në masat doganore dhe në taksat e ndryshme. Nuk do të jetë ndonjë problem që të zbatojmë një vendim të tillë si dhe të kontrollojmë sa ma mire rritjen e importit nga vendet tjera”, bën të ditur Stavilevci.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për masa reciprociteti të plotë për produktet e Serbisë, ndërsa për Bosnjë e Hercegovinën taksë doganore prej 10 për qind.

Vendimi është bazuar në "faktin se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel".

Ndryshe, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë shtetet, të cilat që nga viti 2008 kanë bllokuar produktet kosovare, në kuadër të marrëveshjes për tregtinë e lirë CEFTA.
XS
SM
MD
LG