Ndërlidhjet

Dokufest, festë ndërkombëtare e filmit


Aliriza Arënliu, drejtor i festivalit “Dokufest”
Aliriza Arënliu, drejtor i festivalit “Dokufest”
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest” - edicioni i dhjetë i të cilit ka nisur dje në Prizren - ka shënuar rritje të suksesit gjatë 10 vjetëve dhe tashmë ka arritur të tërheqë vëmendjen jo vetëm të artistëve të filmit në rajon, por në mbarë botën, vlerëson Aliriza Arënliu, drejtor i festivalit “Dokufest”.

Ai thotë se gjatë 9 ditëve, sa do të zgjasë festivali, do të shfaqen mbi 200 filma - prej tyre 181 filma në programe dhe gara, si dhe mbi 30 filma për fëmijë në seksionin “Doku-kids”.

“Ajo çka e karakterizon edicionin e sivjetmë është pak a shumë sikurse në vitin e kaluar. Struktura e garave është e njëjtë sikur vitin e kaluar, mirëpo ka më shumë programme speciale që nuk janë në kuadër të programit të garave. Festivali karakterizohet me kinema të hapura, të cilat janë në kino ‘Lumbardh’, kino ‘Lum’, kino ‘Kalaja’”.

“Këtë vit kemi shtuar edhe një pikë, që është kinoja te Lidhja e Prizrenit, që është një kinema e vogël. Qëllimi ynë kryesor është promovimi i objekteve historike dhe muzeve, si dhe shtimi i numrit të vizitorëve në këto objekte historike”,
thotë Arënliu.


Arkiv
Sipas tij, përveç vizitorëve të shumtë që pritet të vizitojnë festivalin “Dokufest”, janë ftuar edhe 160 mysafirë të huaj nga e gjithë bota, kryesisht autorë filmash, regjisorë, dizajner dhe profile të ndryshme që punojnë në art.

Në kuadër të festivalit do të organizohen edhe dy punëtori, për produksionin e filmit dokumentar dhe për animacione, të cilat kryesisht do të fokusojnë fëmijët dhe adoleshentët.

Arënliu bën të ditur se në këtë edicion të “Dokufest”-it do të kenë rëndësi të posaçme debatet me artistë dhe vizitorë, të cilët do të trajtojnë tema si: dizajni grafik dhe ndikimi i tij në çështjet politike dhe sociale; liberalizimi i vizave dhe ndikimi në kulturën dhe artin në Kosovë; potencialet e energjisë së rigjenerueshme, si dhe debate lidhur me çështjen se çfarë i bën festivalet të mira dhe të sukseshme në kuptimin e programimit.

Por, çfarë e bën festivalin “Dokufest” në Prizren të jetë një festë e filmit dhe e kulturës, tërheqës për pjesmarrësit nga e gjithë bota, si dhe për vizitorët në përgjithësi, Arënliu shpjegon:

“Ne gjithmonë provojmë ta shfrytëzojmë këtë bukuri që e kemi përreth nesh, që rezulton të jetë atraktive për shumicën e vizitorëve që vijnë në festival. Ndërsa, e dyta, është energjia e stafit të vullnetarëve. E gjithë kjo energji e diku rreth 200 njerëzve që janë duke punuar momentalisht për ta realizuar këtë festival, në njëfarë mënyre është një histeri në kuptimin pozitiv, që po shpërndahet edhe përreth, përtej stafit dhe vizitorëve tjerë”.

“Është një atmosferë mjaft e relaksuar, e cila përcillet me shfaqjen e filmave prej orës 12 të ditës e deri në orën 24 të mbrëmjes, e cila pastaj vazhdon edhe me argëtim”,
thotë Arënliu.

Suksesin e këtij festivali në mënyrë të ngjashme e shohin edhe regjisorët kosovarë. Regjisori Agim Selimi thotë se mënyra se si organizohet dhe zhvillohet festivali “Dokufest” është shebull mjaft i mire.
Festivali ka përkrahje edhe nga jashtë, edhe nga brenda, sepse vërtet po ofron vlera të qëndrueshme, i ka thyer të gjitha tabutë dhe është një shembull i mirë se si mund të organizohet kultura te ne.

"Është një festival, i cili nga stafi realizues po punohet me përkushtim. Mendoj se vendi është shumë mirë i gjetur – Prizreni - një qytet muze i Kosovës mund të themi”.

“Festivali ka përkrahje edhe nga jashtë, edhe nga brenda, sepse vërtet po ofron vlera të qëndrueshme, i ka thyer të gjitha tabutë dhe është një shembull i mirë se si mund të organizohet kultura te ne”,
shprehet Selimi.

Mendim të ngjashëm ka edhe regjisori i njohur i filmit kosovar, Ekrem Kryeziu. Sipas tij, është fakt që filmi dokumentar pasqyron një pjesë të së kaluarës dhe si i tillë shfaqet në një vend që ka një histori që nga antikiteti e deri më sot.

“Është shumë normale se ata njerëz që vijnë në festival, vijnë ta shohin historinë e gjallë, ta prekin me dorë dhe t’i shohin filmat dokumentarë që flasin për histori të ndryshme, që besoj se do të lënë gjurmë për kohërat e ardhshme”.

“Nga ky aspekt, mendoj se Prizreni është një qytet magjik dhe mund të them se jam xheloz që ai festival nuk po mbahet në Prishtinë. Por, vetë fakti që nuk po mbahet në Prishtinë, është fakt se Prizreni e meriton dhe i uroj sukses”,
shprehet Kryeziu.

Festivali "Dokufest" do të zgjasë deri më 31 korrik.
XS
SM
MD
LG