Ndërlidhjet

Ivanoviq: Mallrat serbe do të hyjnë në Kosovë


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq thekson se masat e reciprocitetit apo ndalimi i importit të mallrave serbe në Kosovë nga Qeveria e Kosovës, është i motivuar politikisht. Sipas tij, nëse Bashkimi Evropian nuk e zgjidhë këtë problem atëherë është gjithçka e mundur, përveç rinisjes së dialogut.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, Kosova ka vendosur masat e reciprocitetit lidhur me importimin e mallrave të Serbisë. Si e shihni ju këtë veprim të Qeverisë së Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Këto masa janë të motivuara politikisht dhe asgjë tjetër. Ato janë të dëmshme për të gjithë bashkëpjesëmarrësit në këtë punë. Janë të dëmshme, para së gjithash, për Serbinë. Por, janë të dëmshme edhe për Kosovën, e cila do të ketë qarkullim shumë të vogël dhe do ta ketë problem që t’i zëvendësojë këto produkte, ndonëse këtë ua paralajmërojnë dhe premtojnë qytetarëve më shumë në mënyrë populliste, se sa që realisht mendojnë ashtu.

Janë të dëmshme për tregtarët që kanë siguruar mallrat dhe janë të dëmshme skajshmërisht për qytetarët që jetojnë në Kosovë, sepse tregu kosovar është në masë të konsiderueshme inert dhe njerëzit janë mësuar me llojin e caktuar të produkteve, të cilat i kanë konsumuar në 50 vjetët e fundit. Vështirë se do të adaptohen në çfarëdo oferte të zëvendësimit. Për këtë arsye, në fund, do të kemi të gjithë dëme dhe kurrfarë dobie nuk do të ketë askush.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se kjo është e motivuar politikisht. A mund ta sqaroni këtë?

OLIVER IVANOVIQ
Qeveria e Kosovës e ka problem që të pozicionohet në bashkësinë e vet, që atje të tregojë se është e vyer dhe efikase. Ajo nuk po mundet që t’i zgjidhë problemet e shumta sociale, prandaj në vazhdimësi po i stimulon komplikimet dhe problemet politike. Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës e kanë shpallur pavarësinë e Kosovës.

Por, Serbia këtë nuk e ka pranuar. Me vetë faktin që Serbia nuk e ka pranuar, ndërkaq që shqiptarët po përpiqen të ndahen nga Serbia, kjo në mënyrë automatike e zvogëlon validitetin e këtij veprimi. Unë nuk e nënçmoj faktin që 77 vende e kanë njohur. Por, derisa Serbia të mos e pranojë, nuk do ta pranojnë as vendet e mëdha në Kombet e Bashkuara dhe jam i sigurt që me këtë fakt, pavarësia e Kosovës nuk ekziston në kuptimin faktik.

Në mënyrë teorike ndoshta ekziston, por praktikisht jo. Tash, duke i ndërlidhur këto dy fakte, do të thotë, Qeveria e Kosovës, e cila është vetëdijesuar për këtë çështje, po përpiqet që popullit t’i shesë mjegull, me faktin që në vazhdimësi do t’i ngritë tensionet politike dhe nuk do t’i zgjidhë çështjet sociale dhe ekonomike, të cilat e mundojnë njeriun e thjeshtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Ivanoviq, në mjaft raste, zyrtarët serbë kanë thënë se këto masa më shumë do ta dëmtojnë ekonominë kosovare se sa atë të Serbisë. Por ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë të kundërtën, duke thënë se Serbia brenda 1 viti mund të humbas prej 300 deri në 500 milion euro, si pasoj e masave të reciprocitetit. Si do të reflektoj՝ kjo në ekonominë serbe?

OLIVER IVANOVIQ
Unë mendoj që humbja nuk do të jetë e tillë, madje edhe me kushtin që kjo gjendje të jetë afatgjatë. Thjeshtë, pres që Bashkimit Evropian do t’i duhet të intervenoj, sepse kjo mënyrë e veprimeve të njëanshme e të përdorurit të ekonomisë për qëllime politike, është në kundërshtim me principet që i mbron Bashkimi Evropian, madje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Do të thotë, këto janë principe në të cilat bazohet shoqëria moderne evropiane. Aspiratat, të cilat i kanë të rinjtë shqiptarë të Kosovës, në këtë mënyrë, thjeshtë, janë të rrezikuara. Sa i përket mallrave dhe efekteve ekonomike në Serbi, nuk do të jenë të mëdha, sepse ai mall do të hyjë në Kosovë, në mënyrë legale apo ilegale. Vetëm se në këtë mënyrë do të shtohet mënyra ilegale e hyrjes së mallit, sepse, unë po them, se tregu nuk do të heq dorë nga produktet vetëm pse dikush në pushtet dëshiron kështu.

Edhe pse kjo nuk do të jetë arsyeja kryesore, por unë madje mendoj se kjo qeveri (e Kosovës) do të bie, për shumë arsye dhe kundërshti. Ndërkaq, kjo do të jetë vetëm një arsye më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si pasojë e masave të reciprocitetit, tashmë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar. A mendoni se mund të gjendet një rrugëzgjidhje, për të dalë nga kjo situatë?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se, sikur në mjaft raste të këtilla dhe të ngjashme, dalja është në faktin që Bashkimi Evropian duhet të thotë se kjo është në kundërshtim me frymën e dialogut, në kundërshtim me rezultatet e arritura, si dhe me intencat për një dialog në mes të dy bashkësive etnike më të mëdha në Ballkan, nga rezultati i të cilit varet stabiliteti i gjithë Ballkanit.

Mendoj se me veprime të këtij lloji, kjo vihet në pikëpyetje. Prandaj, mendoj se zgjidha është që bashkimi Evropian të na thotë, ashtu sikurse edhe disa herë më parë, se “kjo nuk bën dhe hiqni dorë nga kjo. Vjen muaji i shtatorit, të vazhdojmë dialogun dhe të shohim se ku na shpie ai”.

RADIO EVROPA E LIRË
E nëse këtë nuk e bën Bashkimi Evropian?

OLIVER IVANOVIQ
Unë kam frikë se do të forcohet tensionet dhe rast të tillë është gjithçka e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se mund të zgjidhet çështja e vulave, për të cilin shkak edhe ka lindur problemi i eksportimit të mallrave të Kosovës në Serbi, gjë që ka pasur me masat
reciproke nga Kosova?

OLIVER IVANOVIQ
Së pari, ekziston një problem, por problemin e kanë nxituar ata që e kanë ndryshuar vulën. Do të thotë, Serbia nuk e ka ndryshuar vulën. Por në një marrëveshje multilaterale sikurse është CEFTA për tregti pa dogana, njëra palë i ka ndryshuar vulat. Është krejtësisht logjike që ajo palë e bartë përgjegjësinë për situatën e krijuar. E dyta, mendoj se ajo vulë ka domethënie vetëm simbolike për shqiptarët e Kosovës. Kjo gati se është një tregti e parëndësishme.

Eksportimi apo shitja e mallit nga Kosova në Serbi ose në vendet tjera në rrethinë është shumë e vogël sa që është i parëndësishëm. Prandaj edhe përfaqësuesit e pushtetit në Prishtinë po e keqpërdorin në këtë mënyrë. Asgjë nuk është e rrezikuar në atë mënyrë. Këto janë vetëm fjalë, të cilat absolutisht nuk kanë bazë. Në kuptimin ekonomik, ky eksport është krejtësisht i parëndësishëm.

Mendimi im është se ata (drejtuesit e Qeverisë së Kosovës), duhet të heqin dorë nga ky veprim dhe deri te zgjidhja të arrijmë me marrëveshje të përbashkët. Zgjidhja duhet të jetë e tillë që Serbia të mos sillet në pozitë që të pranoj diçka që mund të nënkuptoj pranim të drejtë për drejtë ose jo të drejtë për drejtë. Serbia është shumë e vëmendshme që të mos bëj një veprim të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund zoti Ivanoviq, a prisni që në shtator të rinisë dialogu?

OLIVER IVANOVIQ
Në kushte të këtilla, nuk besoj. Mendoj se parakusht për vazhdimin e bisedimeve për temat, të cilat tashmë i kemi vënë në rend të ditës, Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë që ka bërë gabim dhe nuk është turp që ta pranoj se ka qenë gabim, për shkak të interesit të qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

Prandaj, le të jetë ky motivi kryesor. Mos ta bëj këtë për shkak të Serbisë, sepse ajo do ta gjej kompensimin për këtë gjë, fundja, edhe për shkakun që mallrat do të futen edhe përmes rrugëve tjera në Kosovë. Dëmin do ta pësojnë qytetarët në Kosovë.
XS
SM
MD
LG