Ndërlidhjet

Hooper: Dialogu mbase ka vdekur


James Hooper
James Hooper

"E gjithë kjo tregon se ky proces është dhe ka qenë i zbrazët", thotë James Hooper, ish diplomat amerikan, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, Kosova po përballet me tensione të reja etnike në veri. Cili mendoni se do të jetë eiplogu i këtyre ngjarjeve, sipas mendimit tuaj, gjykuar nga zhvillimet e deritashme?

JAMES HOOPER
Problemi qëndron se dhuna tash është kthyer dhe po i udhëheqë ngjarjet në këtë pjesë të Ballkanit, midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe kur dhuna gjendet në krye, kjo do të thotë se fillojnë të ndryshojnë teoritë politike, të cilave njerëzit u janë përmbajtur deri vonë.

Dhuna e ka kapacitetin për ta shmangur diplomacinë. Që prej sot (e enjte), dhuna duket se është zvogëluar, por mund të shpërthejë sërish në çdo çast dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, Serbinë dhe për komunitetin ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, Bashkimi Evropian ka kritikuar qeverinë e Kosovës për aksionin e ndërmarrë në veri dhe ka kërkuar kthim në gjendjen e mëhershme, së cilës kërkesë qeveria e Kosovës i është përgjigjur duke refuzuar ta bëjë një gjë të këtillë. Si i shihni raportet në këtë drejtim?

JAMES HOOPER
Serbia dhe ndërkombëtarët do të donin kthimin në gjendjen e mëhershme, sepse një situatë e këtillë do t’i konventonte Serbisë. Derisa ndërkombëtarët në vazhdimësi kanë përsëritur se veriu është territor i Kosovës dhe nën sovranitetin e Kosovës, ata në fakt e kanë trajtuar atë pjesë si de-facto pjesë të Serbisë, duke e lejuar në vazhdimësi Serbinë të kontrollojë çdo gjë që ndodhte në veri të lumit Ibër.

Është kërkuar më shumë se ç’duhej nga kosovarët që të lejojnë që Serbia të shkelë qëllimisht kushtet e marrëveshjes CEFTA dhe njëkohësisht duke e pa Serbinë tek shpërblehej me udhëzime për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

E kuptoj plotësisht frustrimin e kosovarëve, kjo thjesht ishte e tepruar. Mendoj se ka qenë politikë e arsyeshme për kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e tij, të dërgojnë forcat e rendit në veri, për të mundësuar zbatimin e vendimit për reciprocitetit në tregti.

Unë nuk mendoj se kryeministri mund të kthehet në gjendjen e mëparshme. Më së paku që duhet të ndodhë, është që Serbia të pranojë reciprocitetin mbi CEFTA-n: mundet ose të lejojë hyrjen e artikujve nga Kosova në Serbisë ose të pranojë që artikujt nga Serbia të mos depërtojnë në Kosovë.

Mbi të gjitha, e gjithë kjo, paraqet një mundësi të rrallë për kosovarët, faktorin ndërkombëtar dhe për serbët, paraqet një dritare të hapur, nëse kosovarët duan ta bëjnë një gjë të këtillë, që ta nxisin ndërkombëtarët për të negociuar një zgjidhje përfundimtare të situatës në veri. Nuk jam duke propozuar kushtet e asaj zgjidhjeje, vetëm jam duke thënë se tani kosovarët duhet të vendosin nëse duan të zgjidhin të gjitha problemet, dallimet…

Nëse po, kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të ripërfshihet në këtë proces negociator si palë kryesore. Kjo nuk është diçka të cilën BE-ja do të mund ta negocionte.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina me vendosmëri ka akuzuar Beogradin për koordinimin e sulmeve në veri, nëpërmjet liderëve të strukturave paralele. Beogradi ka dënuar sulmet atje, por si e shihni në fakt rolin e Beogradit në ngjarjet e fundit?

JAMES HOOPER
Ishte një situatë jo e qartë. Stefanoviq dhe Bogdanoviq qëndronin haptazi në veri, duke lëvizur lirshëm në atë pjesë të Kosovës, të cilën ata e shohin si pjesë të Serbisë. Ata ishin aty, duke folur me njerëzit që barrikadonin rrugët.

Në njërën anë, ata tregonin mbështetje për parimin thelbësor, të cilin njerëzit në veri e përqafojnë, se veriu pra është pjesë e Serbisë. Në anën tjetër, ata gjithashtu përpiqeshin të parandalonin dhunën dhe t’i kthenin gjërat në gjendjen e mëparshme.

Derisa situata në veri të mos zgjidhet, do të ndodhin edhe situata të këtilla, në të cilat shefi i delegacionit serb në bisedime, gjendet tek barrikadat, duke trimëruar serbët atje dhe duke biseduar me ndërkombëtare, në përpjekje për të arritur një marrëveshje që përmbush kushtet e serbëve dhe mundëson kthimin në status-quo.

Mendoj se Serbia po luan rol të dyfishtë, duan t’i tregojnë Perëndimit se duan ta moderojnë situatën, kurse në fakt sforcojnë synimet e tyre dhe de-facto kontrollojnë veriun.

E gjithë kjo duhet të jetë thellësisht frustruese të shohësh në territorin e Kosovës, njeriun me të cilin Kosova po bisedonte, teksa trimëron njerëzit nëpër barrikada.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë gjasash ka dialogu tani?

JAMES HOOPER
Sipas pikëpamjes sime, dialogu mbase ka vdekur. Është e natyrshme në situata të këtilla për diplomatët të thonë se duhet kthyer në tavolinë, dhuna duhet të ndalet, bisedimet duhet të vazhdojnë, etj. E gjithë kjo tregon se ky proces është dhe ka qenë i zbrazët.

Destinimi kryesor i këtij procesi, është të trajtojë çështje të dobishme, por minore, për të shfrytëzuar Kosovën si mbështetje për përpjekjet e BE-së për ta rreshtuar Serbinë drejt anëtarësimit. Arsyeja pse BE-ja ka reguar, duke kritikuar vetëm qeverinë kosovare pse ka dërguar policinë në veri, në vend se të lëshojë deklarata ku kjo do të mund të përmendej, por edhe duke iu referyuar përzierjes së Beogradit në veri, dëshmon se BE-ja nuk ka politikë tjetër, pos anëtarësimit për të joshur Serbinë.

Brukseli s’ka politika tjera për t’u marrë me problemet e këtij lloji. Kjo do të thotë se sytë do të kthehen kah Uashingtoni. Kjo gjendje është e ngjashme me ato që ka ndodhur në Kroaci dhe Bosnjë në vitet e 90’ta, kur njerëzit nga Beogradi zbarkonin dhe vendosnin barrikada me serbët lokalë.

Për Shtetet e Bashkuara, kjo do të thotë se duhet të ndërhyjë dhe të merret me këtë çështje të statusit të veriut, e cila është shumë serioze, problematike dhe e vështirë.
XS
SM
MD
LG