Ndërlidhjet

Nuk ka kthim prapa!


Ura në Mitrovicë, 28 korrik 2011.
Ura në Mitrovicë, 28 korrik 2011.
Durimi i institucioneve të Kosovës lidhur me çështjen e vënies së rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës, është keqkuptuar nga komuniteti ndërkombëtar, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit me shefin e EULEX-it, Ksavier De Marnak, ku kanë shqyrtuar ngjarjet e fundit, të cilat kanë ndodhur në veri të Kosovës, dhe, siç është thënë, domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve për vendosjen e rendit dhe ligjit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përsëriti se veprimet e qeverisë për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, kanë qenë dhe janë veprime kushtetuese, ligjore dhe legale.

“Kosova ka hapur një kapitull të ri që bazohet në sundimin e plotë të ligjit”, tha Thaçi.

Ai theksoi se është e qartë se Kosova mëton të integrohet në Bashkimin Evropan, por institucionet e Kosovës, siç tha, nuk mund të qëndrojnë indiferente dhe të tolerojnë mosrespektimin e ligjit në një pjesë të territorit të saj.


Kryeministri Hashim Thaçi
“Komuniteti ndërkombëtar, miqtë tanë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë ditur se ne nuk mund të jenë indiferente dhe përjetësisht të tolerojmë që një pjesë e territorit tonë të mbetet vrimë e zezë, jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës. Durimi ynë është keqkuptuar, e nganjëherë edhe është keqpërdorur. Diçka të tillë nuk mund të toleronim më tutje“, tha Thaçi.

Kryeministri kosovar tha se njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës, tash e 12 vjet “janë të dërmuar nga krimi, paramilitarët, strukturat paralele dhe kontrabanda”.

Sipas tij, situata e tillë ishte e padurueshme dhe qytetarët në atë pjesë të vendit meritojnë një jetë më normale.

Pavarësisht situatës së krijuar, Thaçi tha se “Kosova ka qenë dhe është gati për dialog ndërshtetëror me Serbinë, për çështje praktike, me intreres të popujve, paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë”.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se partneriteti me faktorët ndërkombëtarë në vend, vazhdon edhe më tutje.

Pavarësisht rrethanave jo edhe të lehta që i kemi kaluar këto ditë, partneriteti ynë mbetet çelësi kyç për forcimin e shtetësisë sonë, konsolidimin dhe forcimin e shtetit dhe integrimin në strukturat euro-atlantike. Mirëpo, ndodnjëherë ndodh që, përkundër objektivave të përbashkëta që kemi, dinamika drejt përmbushjes së qëllimeve tona të përbashkëta, të jetë e ndryshme”, tha Thaçi.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka mirëpritur bashkëpunimin e ngushtë me EULEX-in në shërbim të sundimit të rendit dhe të ligjit në tërë territorin e Kosovës, e jo vetëm në një pjesë të saj.


Ksavier de Marnak
Në anën tjetër, shefi i EULEX-it, Ksavier de Marnak, tha se nuk do të lejohet asnjë formë e dhunës dhe e frikësimit dhe se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet përmes dialogut.

“E vetmja rrugë drejt gjetjes së zgjidhjes është dialogu. Përmes dialogut, dy palët mund të gjejnë zgjidhje. EULEX-i githmonë e ka mbështetur vendosjen e kontrollit doganor në gjithë Kosovën”, tha Marnak.

Sipas tij, EULEX-i po punon ngushtë me KFOR-in për të rivendosur lirinë e lëvizjes. Çdo kundërshtim i lirisë së lëvizjes do të trajtohet si jo i ligjshëm dhe nuk do të tolerohet.

“EUELX-i po punon me partnerët e vet për të luftuar kontrabnabdën dhe për t’iu siguruar qytetarëve një të ardhme më të mirë. EULEX-i respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Marnak.

Kryeministri i Kosovës ftoi qytetarët për mirëkuptim, qetësi, tolerancë dhe besim në institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG