Ndërlidhjet

Rritja prej 5%, e pamjaftueshme


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Rritja ekonomike prej pesë për qind për këtë vit e paralajmëruar nga Banka Qendrore e Kosovës, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike është e pamjaftueshme që të ndihmojë përmirësimin e gjendjes ekonomike – sociale në vend. Ata thonë se kjo rritje duhet dyfishuar për të zbutuar papunësinë dhe varfërinë.

Që Kosova të përmirësojë gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duhet që rritja ekonomike të jetë 8 deri në 10 për qind, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Rritja aktuale ekonomike prej 5 për qind në vend, sipas Arian Zekës nga Oda Ekonomike Amerikane, është e pamjaftueshme.

Një rritje ekonomike prej 5 për qind e cila ka qenë e ngjashme me vitin e kaluar nuk është e mjaftueshme që të ndihmojë përmirësimin e gjendjes ekonomike – sociale të qytetarëve ne vend. Kemi thënë edhe më herët që Kosovës i nevojitet një rritje prej 8 deri në 10 për qind, një rritje dyshifrore që është në gjendje të përmirësojë gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve apo edhe luftimin e varfërisë”, shprehet Zeka.

Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar ditë më parë të dhëna që flasin për një rritje ekonomike për vitin 2011 prej 5 për qind.

Këto janë të dhënat e pritshme dhe të përafërta edhe ato institucionet tjera dhe parashikimet e FMN-së që flasin për rritje ekonomike prej 5.3 për qind.

Ndërkohë edhe Agron Demi nga Instituti për Hulumtime të Avancuara e quan të pamjaftueshme rritjen ekonomike prej 5 për qind.

Të gjitha raportet e bëra nga Banka Botërore apo FMN-ja kanë dhenë si shenjë pozitive rritjen ekonomike të Kosovës qoftë edhe 3 për qind, për shkak se ata e kanë krahasuar me rritjen ekonomike të vendeve tjera të rajonit, të cilat nuk po kanë rritje ekonomike për shkak të krizës globale. Mirëpo në rastin e Kosovës edhe pse duket rritje pozitive, kjo nuk është e mjaftueshme për shkak të problemeve të mëdha që ka Kosova me ekonominë dhe papunësinë”, thekson Demi.

Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se rritja ekonomike në Kosovë është rezultat i konsumit dhe investimeve në sektorin privat.

Por, ekspertët e ekonomisë nuk pajtohen më këtë.

Ata thonë se rritja ekonomike është si rezultat i investimeve publike dhe këtë siç e quajnë ato është joreale.

Edhe kjo rritje nuk është reale pasi që kjo rritje gjenerohet prej investimeve publike në infrastrukturë. Përderisa nuk fuqizohet sektori privat kjo nuk është rritje reale. Shteti i Kosovës në vitet në vazhdim, ashtu siç ka premtuar në marrëveshjen e FMN-së, do t’i ulë shpenzimet kapitale dhe pagat. Në momentin kur rritja ekonomike po ndikohet nga rritja kapitale, në momentin kur ato zvogëlohen kemi me pasur një zvogëlim të zhvillimit ekonomik”, thekson Agron Demi nga Instituti GAP.

Ekspertët e ekonomisë thonë se vetmja mundësi për të shënuar rritje ekonomike mbi 8 për qind është fuqizimi i biznesit privat.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë se rritja reale ekonomike do të vinte me zhvillimin dhe stimulimin e sektorit privat.

Pa fuqizimin e sektorit privat, pa stimulimin e zhvillimit të sektorit privat nuk presim që të ketë rritje ekonomike prej 8 deri 10 për qind. Kjo rritje e parashikuar nga BQK-ja është si rezultat i investime të bëra në infrastrukturë të bërë nga qeveria në sektorin publik”, thotë ai.

Ndryshe, ekspertët e ekonomisë thonë nëse rritet konsumi i prodhimeve vendore do të ketë rritje ekonomike.

Konsumimi i produkteve vendore thonë ata se mund të bëhet tani pas vendosjes së masave reciproke nda produkteve të Serbisë.
XS
SM
MD
LG