Ndërlidhjet

Si është të jesh infermiere sot?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Infermieret në Qendrën Klinike Universitare thonë se edhe përkundër kushteve të vështira të punës dhe pagave të ulëta, të ushtrosh profesionin në fjalë, është kënaqësi. Ndërkaq, drejtoresha e infermierisë, thotë se puna që bëjnë infermieret është shumë e madhe, derisa pagat që marrin ato për punën e tyre është shumë e vogël.

Të jesh infermiere sot në Kosovë, është kënaqësi e madhe edhe përkundër kushteve shumë të vështira dhe pagave shumë të ulëta. Një infermiere, sot paguhet 290 euro për një muaj, deri sa kujdestaria për një natë u paguhet 17 euro.

Kështu thonë vetë infermieret, të cilat punojnë në Qendrën Klinike Universitare.

Hilmije Havolli, infermiere kryesore në repartin e sallës së lindjes, në këtë profesion punon që 30 vite.

Sipas, saj profesioni që ajo e ushtron i jep shumë kënaqësi.

Zonja Havolli thotë se brenda 24 orëve në repartin e gjinekologjisë kryhen deri në 60 lindje.

Jam e punësuar që nga viti 1981 dhe gjithmonë kam qenë në sallën e lindjes. Të jesh motër medicionale (infermiere) është kënaqësi dhe është një profesion shumë i mirë, nëse ke kushte të mira pune dhe nëse ke mundësi t’iu ofrosh shërbimin e duhur pacientit, por profesioni din të ballafaqohet edhe me shumë telashe, por pavarësisht nga telashet që ballafaqohemi me to, kujdesi asnjëherë nuk është i mangët për pacientin. Ne gjithmonë jemi afër pacientit. Gjatë ditës, në repartin e gjinekologjisë ka nga 35 deri në 60 lindje për 24 orë”, thotë ajo.

Ndërkaq Ajmane Tafilaj, kryeinfermiere e qendrës diagnostike në QKUK, thotë se profesioni i infermieres është shumë human.

Edhe zonja Tafilaj, këtë profesion e ushtron qe 30 vite.

Sipas saj, nëse krahasohet puna si infermiere sot me të kaluarën, tash është shumë më mirë, për shkakun se, siç thotë ajo, tani infermieret kanë shumë të drejta.

Motrat trajtohen nga mjekët shumë më mirë sot se në të kaluarën. Motra sot e ka të drejtën e vet.
Kënaqësi më e madhe se të jesh infermiere nuk ka. Çdo punë e motrës (infermieres) është e pa zëvendësueshme. Motra kryen shumë punë, prej pranimit, e deri në sallën e operacionit, gjitha punët i kryen motra medicionale. Motrat trajtohen nga mjekët shumë më mirë sot se në të kaluarën. Motra sot e ka të drejtën e vet”, shprehet Talifaj.

Por, Tafilaj shton se për punën që e kryejnë, paguhen shumë pak.

Megjithatë, ajo thotë se kënaqësia për të qenë afër pacientit dhe për t’i ndihmuar në rastet kur i duhesh, është shumë e madhe.

Me paga ne jemi rast social, nëse krahasohet me vendet tjera të Evropës e më gjerë, është shumë pak, për paga që marrim asnjë motër nuk do të punonte, mirëpo kur e do profesionin, është kënaqësi e madhe. Mendoj se është profesion i shenjtë, kur e mendon se ia lehtëson jetën një pacienti, ia ndal dhimbjen, është vërtetë punë shumë humane”, bën të ditur ajo.

Mendoj se është profesion i shenjtë, kur e mendon se ia lehtëson jetën një pacienti, ia ndal dhimbjen, është vërtetë punë shumë humane.
Në Qendrën Klinike Universitare janë gjithsej 1813 infermiere.

Lirije Beqiri, drejtoreshë e infermierisë, thotë se puna që bëhet në këtë institucion nga ana e infermiereve është shumë e madhe.

Por të drejtat e tyre në çdo aspekt mbrohen me shumë kujdes.

QKUK-ja ka një numër të madh infermieresh, prej 1813 infermiere në 2050 shtretër, kur i ndan në specifika i bie që 600 infermiere punojnë në ndërrime. Unë punoj që 30 vite, nëse krahasohet me të kaluarën tash është më mire, sepse tash zërin e infermieres e përfaqëson drejtoresha e infermiereve. Andaj, ankesat nga ana e motrave medicionale janë shumë më të vogla”, sqaron Beqiri.

Por megjithatë, zonja Beqiri thotë se vështirësitë që infermieret ballafaqohen nuk mungojnë.

Ka shumë gjëra që mund t’i bësh si motër medicionale, sidomos një komunikim i mirë dhe një pranim i mirë i pacientit, ai të beson dhe i jep shumë shpresë për jetë. Por, mungesa e kushteve të punës, është evidente, por kur është në pyetje jeta e pacientit edhe një fjalë e mirë e stafit shëndetësorë është shumë e madhe”, shprehet ajo.

Puna gjatë natës, sipas infermiereve, është shumë e lodhshme.

Por, sipas tyre, tani pagesat e kujdestarive janë shumë më të mira se në të kaluarën, andaj kjo konsiderohet si një pikë e ndritshme dhe shpresëdhënëse për to.
XS
SM
MD
LG