Ndërlidhjet

Gadafi fton për “çlirim”



Luftëtarët kryengritës në Libi pretenduan se e kanë bllokuar liderin Muamer Gadafi në kryeqytetin Tripoli, pasi ata kanë avancuar në qytetet kryesore strategjike.

Një zëdhënës i kryengritësve tha se ata janë në “kontroll të plotë” të qyteteve Sorman, në perëndim të Tripolit, dhe në Ghariyan, 80 kilomentra në jug të kryeqytetit.

Kryengritësit kishin avancuar edhe në drejtim të qytetit Zavija, që është 50 kilometra në perëndim të Tripolit.

Marrja e kontrollit në këtë qytet do të ishte një goditje e rëndësishme psikologjike ndaj regjimit të Gadafit, i cili tash e gjashtë muaj po zhvillon fushatë të përgjakshme kundër kryengritësve, që mbështeten nga NATO-ja.

Të dielën, kryengritësit e vendosën flamurin e tyre afër tregut kryesor në qytetin Zavija, dhe afro 50 luftëtarë kundër qeverisë janë dëgjuar duke brohorutir “Allahu është i Madh”, duke sugjeruar se qyteti kanë rënë nën kontrollin e tyre.

Megjithatë, forcat e Gadafit kishin mbetur, ndërsa disa prej snajperistëve të tyre ishin vendosur nëpër kulme.

Të shtënat e kryengritësve ishin të fuqishme, ndërsa dëgjoheshin edhe brohoritje.

Avancimi i kryengritësve gjatë disa ditëve të kaluara drejt qytetit Zavija në bregdetin e Mesdheut dhe në qytetet e afërta, shënon të arriturat më të rëndësishme gjatë disa muajve të tyre në këtë luftë civile.

Liderët e kryengritësve shfaqin besim në rritje duke thënë se shpresojnë që ta marrin kryeqytetin Tripoli deri në fund të këtij muaji, që është një qëllim ambicioz.

Koloneli Xhuma Ibrahim, zëdhënës i kryengritësve në malet perëndimore, tha se luftëtarët kundër qeverisë po lëviznin më afër bllokimit të rrugëve kryesore për furnizim të Tripolit, nga jugu dhe perëndimi.

Rrugët kanë rëndësi kritike për furnizim me ushqim, karburante dhe armatime.

Omar Obeid, komandant në terren i hapësirës Sabrata, 32 kilometra në perëndim të qytetit Zavija, tha se kryengritësit i kanë marrë pozicionet në shtëpitë përgjatë rrugës kryesore furnizuese që lidhet me Tunizinë fqinje.

Por, në në fjalimin e parë publik që prej ofensivës së fundit të kryengritësve, kolonel Gadafi, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që ta “çlirojnë Libinë nga tradhtarët” dhe theksoi se revolucioni Fateh, me të cilin ai e mori pushtetin në vitin 1969, do të mbetet.

“Populli i Libisë do të qëndroj dhe revolucioni Fateh do të qëndrojë. Lëvizni përpara, merrni armët dhe luftoni për çlirimin e Libisë, milimetër për milimetër, nga tradhtarët dhe nga NATO-ja. Të jeni të gatshëm për luftë. Gjaku i martirëve është karburant për arenën e betejës”, tha Muamer Gadafi.

Por, ky fjalim ishte me cilësi të dobët telefonike dhe duke u transmetuar nga Televizioni shtetëror vetëm në formë të audios. Kjo cilësohet si shenjë e qartë e izolimit në rritje të Gadafit.

Të dielën vonë në mbrëmje agjencia Reuters ka raportuar se përfaqësuesit e Gadafit kanë mbajtur takime me kryengritësit, në një hotel në ishullin Gjebra në Tunizi.

Por, zëdhënësi i qeverisë, Musa Ibrahim, i ka kritikuar ashpër liderët perëndimorë dhe mediat duke i akuzuar për përhaje të thashethemeve.

“Kjo informatë është absolutisht jokorrekte dhe është pjesë e luftës së mediave kundër neve”, tha ai.

“Caku i tyre është që të na bëjnë të ndjehemi konfuzë dhe të lëkundet morali ynë. Lideri ynë është këtu në Libi, duke luftuar për lirinë e vendit tonë. Ai nuk do të largohet nga Libia”, tha zëdhënësi Musa Ibrahim. (f. b.)
XS
SM
MD
LG