Ndërlidhjet

Veriu e dialogu (s') ndikojnë Raportin e Progresit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Dialogu në mes të Prishtinës e Beogradit mund të shkaktojë hezitim në Bashkimin Evropian gjatë vlerësimit të përmbushjes së kritereve evropiane, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë.

Në vjeshtën e këtij viti, Komisioni Evropian pritet të publikojë Raportet e radhës të Progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE, mirëpo zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, sipas ekspertëve, do të shkaktojnë telashe rreth vlerësimit për bashkëpunimin rajonal dhe shtrirjen e autoritetit në pjesën veriore të vendit, që figuronte në radhët e kritikave të Raporteve të kaluara të Progresit.

Megjithatë, eksperti Shenoll Muharremi thotë se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë kontradiktor kur bëhet fjalë për veprimet e Prishtinës zyrtare lidhur me vendosjen e autoritetit shtetëror në veri.

Komisioni Evropian duhet të sigurojë që është konsistent dhe vazhdon ta përkrahë Prishtinën dhe bën thirrje që ta shtrijë autoritetin dhe sundimin e ligjit në të gjithë territorin e saj”, shprehet ai.

Eksperti Avni Mazreku thekson rëndësinë që në radhët e kritereve politike, ekonomike dhe pjesës që flet për përmbushjen e standardeve evropiane, në Raportin e radhës të Progresit për Kosovën të specifikohet roli i misionit EULEX lidhur me veprimet për rikthimin e sundimit të ligjit në veri të Mitrovicës.

“Unë do të dëshiroja shumë që ky Raport i Progresit, përveç pjesës përshkruese të rolit të EULEX-it në Kosovë, t'i ketë edhe konkludimet për sa i përket rolit konkret të EULEX-it”, thotë ai.

Përveç Raporteve të Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian pritet të publikojë dhe paketën e strategjisë së zgjerimit të BE-së.

Mungesa e, siç e quan Muharremi, sjelljes konstruktive të Beogradit ndaj Kosovës, "duhet të merret parasysh në procesin e integrimit të shtetit serb në Bashkimin Evropian".

Shenoll Muharremi
“Bashkimi Evropian nuk guxon të tolerojë që Serbia, me qasje të tilla, të avancojë më tutje në procesin e saj të integrimit, për shkak se do ta inkurajonte Serbinë që të vazhdojë me qasje destruktive dhe ta pengojë zhvillimin e Kosovës si një shtet fqinj të sajin”, thekson Muharremi.

Kur bëhet fjalë për përmirësimin e kritikave të Raportit të fundit të Progresit, zyrtarët evropianë janë shprehur deri më tani pesimistë për vlerësimet e Komisionit Evropian për institucionet kosovare për vitin 2011.

Në këtë, siç thuhej, ka ndikuar mungesa e kohës në punën e përmbushjes së kritereve, e shkaktuar nga kriza politike e vitit të kaluar, e cila e çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Reagimet ndaj aksionit policor të 25 korrikut në veri u kritikuan nga disa përfaqësues evropianë, të cilët kritikuan ekzekutivin vendor për mungesën e koordinimit me EULEX-in në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG