Ndërlidhjet

Todoriq: Ka opsione që rrisin autonominë e serbëve


Vlladimir Todoriq
Vlladimir Todoriq
“Mund të themi se mesazhet e Angela Merkelit dhe zyrtarëve të tjerë evropianë flasin për vazhdimin e dialogut dhe përjashtojnë nga tryeza e bisedimeve disa opsione si për shembull ndarjen e veriut të Kosovës. Mirëpo, në prapavijë këto mesazhe lënë të kuptojnë se ka opsione të tjera mbi tavolinë si për shembull amandamentimi apo shtimi i planit të Ahtisaarit, që mund të rriste autonominë e serbëve kosovarë”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Drejtori i Qendrës për Politika të Reja në Beograd, Vlladimir Todoriq. Ai tha se qëndrimet e Beogradit apo të Prishtinës lidhur me veriun nuk kanë një rëndësi domethënëse, por se Bashkësia Ndërkombëtare ka rolin kryesor në këtë gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Todoriq, dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit është planifikuar të rifillojë në fillim të shtatorit. Cili është, në fakt, perceptimi i përgjithshëm në skenën politike të Serbisë lidhur me raundin e ardhshëm të këtyre bisedimeve?

VLLADIMIR TODORIQ
Besimi që është fituar nga raundet e para të dialogut është zvogëluar- në mos shkatërruar nga ngjarjet në veri të Kosovës, në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Edhe pse zyrtarët në Beograd shprehen në mbështetje të dialogut, ata në fakt ndjejnë se pala tjetër nuk është e gatshme të hyjë në dialog me pritje të mira. Vizita e paralajmëruar e Angela Merkelit do të qartësojë situatën lidhur me qëndrimin e Bashkimit Evropian karshi dialogut.

Mund të themi se mesazhi i Angela Merkelit dhe zyrtarëve të tjerë evropianë flasin për vazhdimin e dialogut dhe përjashtojnë nga tryeza e bisedimeve disa opsione si për shembull ndarjen e veriut të Kosovës. Mirëpo, në prapavijë këto mesazhe lënë të kuptojnë se ka opsione të tjera mbi tavolinë, si për shembull amandamentimi apo shtimi i planit të Ahtisaarit, që mund të rriste autonominë e serbëve të Kosovës.




RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët vizitën e Merkelit në Beograd...mesazhet që kanë ardhur deri më tani nga Berlini, a do të kenë ndikim në qëndrimin e Serbisë?

VLLADIMIR TODORIQ

Nëse ka një gatishmëri në Beograd për të nisur bisedime mbi një ‘Ahtisaari plus’, atëherë kjo do të mund të ishte një vizitë e rëndësishme dhe e suksesshme e Angela Merkelit në Beograd. Kjo për shkakun se do të arrihej një pajtim i përbashkët se si të ristrukturohet dialogu i ardhshëm.

Pavarësisht se çfarë thotë çfarëdo zyrtari, çdokush e di se nuk mund të ketë strategji për të nxitur bisedimet lidhur me detajet teknike. Asgjë nuk është teknike, gjithçka është politike. Nuk mund të zgjidhen problemet e vogla pa i zgjidhur ato më të mëdha, e që në fakt, janë raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, ose njohja apo normalizimi i marrëdhënieve politike.

Çdokush në BE ndjen që Serbia është nën presion për shkak të statusit të vendit kandidat dhe se është koha e përshtatshme për ta shtyrë Serbinë në këtë drejtim. Mirëpo, nuk dihet se a do të jetë e suksesshme kjo apo do dështojë. Askush nuk mund të thotë se a do të ecin punët në njërin apo tjetrin drejtim, por ka një konsensus në skenën politike serbe në të cilën përfshihet koalicionin qeverisës dhe partitë kryesore opozitare që mendojnë se nuk duhet të ketë ndonjë radikalizim të rrethanave ndaj Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
I përmendet disa opsione lidhur me veriun. Prishtina ka kundërshtuar çfarëdo opsioni që do të mund të çonte në ndarjen e veriut. A ka, në fakt, hapësirë për kompromis ndërmjet të dyja palëve kur bëhet fjalë për veriun?
Nuk mendoj se qëndrimet e Beogradit apo të Prishtinës kanë një rëndësi domethënëse. Bashkësia Ndërkombëtare ka rolin kryesor në këtë veprim.

VLLADIMIR TODORIQ

Nuk mendoj se qëndrimet e Beogradit apo të Prishtinës kanë një rëndësi domethënëse. Bashkësia Ndërkombëtare ka rolin kryesor në këtë veprim. Natyrisht se Prishtina është e pavarur nga Serbia, por nuk është e pavarur nga anëtarë të tjerë shumë më të rëndësishëm të Bashkësisë Ndërkombëtare. Ato do të jenë autoritetet përgjegjëse në periudhën e ardhshme.




RADIO EVROPA E LIRË
Kur prisni më shumë qartësi lidhur me problemet të cilat Prishtina e Beogradi kanë në mes vete?







VLLADIMIR TORODIQ
Pas vizitës (së Angela Merkelit) do të jetë më e qartë se çfarë pritet nga Beogradi - se a ka të bëjë kjo me doganat, vulat e gjyqësinë në veri, ristrukturimin e policisë dhe kështu me radhë. Përgjigja e Beogradit do të ishte precize për këto çështje, por nuk mendoj se dialogu është mjeti i duhur për të zgjidhur çështje të tilla.
XS
SM
MD
LG