Ndërlidhjet

Veriu – i paevitueshëm në dialog


Pa i zgjidhur problemet që ndërlidhen me veriun e Kosovës, nuk mund të pritet normalizimi i raporteve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, vlerësojnë njohësit e çështjeve të Ballkanit dhe përfaqësues të opozitës kosovare.

Ata shprehen pesimistë lidhur me zgjidhjet eventuale që kanë të bëjnë me doganat, vulat, gjyqësinë dhe kufijtë në veri të vendit, ndërsa i bëjnë thirrje misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit të jetë më pro-aktiv në këtë drejtim.

Drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, tha se pa zgjidhjen e problemit të veriut Kosova e Serbia nuk mund të arrijnë një marrëveshje të përgjithshme në mes vete.

Veriu është alfa dhe omega i mosmarrëveshjes ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Mendoj se është arsyeja e pothuaj të gjitha tensioneve ndërmjet tyre”, theksoi Prelec.

Mirëpo, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës hodhën ditë më parë poshtë mundësinë që me Beogradin të bisedohet për, siç thanë ata, çështje të rregullimit të brendshëm shtetëror.

Zëvendëskryeministri i vendit, njëherazi ministër i drejtësisë, Hajredin Kuci, në një konferencë për media të mbajtur të dielën u shpreh:

Çështja e organizimit të brendshëm dhe çështja e vendosjes së policëve dhe doganierëve në Republikën e Kosovës në pikat tona nuk është çështje që ndikohet nga dialogu. Dialogu është çështje tjetër, e raporteve ndërshtetërore”, tha Kuçi.

Autoritetet serbe, ndërkaq, theksuan gjatë ditës rëndësinë që për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës e Serbisë të gjendet një, siç thuhet, model i ri.

Prelec tha se duhet të shmangen deklaratat që do të nxitnin tensione të serishme në veri.

Mendoj se situata është aq e tensionuar dhe emocionale te të dyja palët sa që duhet të merren me rezervë apo të injorohen deklaratat që bëhen nga të dyja palët. Nuk mendoj se është koha kur mund të presim zgjidhje të mëdha. Çështja më e rëndësishme tani është që të shmanget dhuna e organizuar, dhuna e armatosur”, u shpreh ai.

Sidoqoftë, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, shefat e delegacioneve të Prishtinës e Beogradit, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe kreu i delegacionit serb, Borko Stefanoviq, nuk deshën të prononcohen për dialogun duke thënë se është ende herët të flitet për raundin e ardhshëm që pritet të nis në fillim të muajit të ardhshëm.

I painformuar për ecurinë apo planet e dialogut duket se ka mbetur edhe Kuvendi i Kosovës. Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, mohoi që legjislativi kosovar të jetë i informuar për këtë çështje.

E vetmja formë e informimit të Kuvendit mbeten mediat për shkak të mosraportitmit të rregullt të qeverisë në Kuvend të Kosovës dhe mosafrimit të një platforme ose dokumenti mbi të cilin sqarohet secili raund veç e veç-se çfarë do të bisedohet dhe synohet që të arrihet në ato bisedime”, tha ai.

Aksioni policor për rikthimin e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Mitrovicës, i cili u zhvillua më 25 korrik, shkaktoi një valë reagimesh të ashpra të protestuesve serbë.

Aktualisht, situata në veri është nën kontrollin e misionit të NATO-s në Kosovë i cili, bazuar në të ashtuquajtura pajtueshmëri me palën serbe dhe atë kosovare, synon ta mbajë stabile gjendjen deri kah mesi i muajit të ardhshëm.

Zhvillimet në veri vlerësohet të kenë shkaktuar humbjen e besimit të cilin delegacionet e arritën gjatë raundeve të mëparshme të dialogut.
XS
SM
MD
LG