Ndërlidhjet

Largohet “forca krijuese”


Stiv Xhobs
Stiv Xhobs
Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Apple ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.

56-vjeçari, Stiv Xhobs, është parë si forcë krijuese që ndihmoi Apple-n të jetë njëra nga kompanitë më të suksesshme në botë.

Vite më parë, ai ka vuajtur nga kanceri në pankreas, ndërsa që nga janari ka qenë në pushim mjekësor, për shkaqe ende të pazbuluara.

Xhobs njoftoi për dorëheqjen e tij në një letër drejtuar Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Apple.

Ai shkroi: “Gjithmonë kam thënë se nëse vjen dita kur unë nuk mund t’i përmbush detyrat e mia si kryeshef ekzekutiv, do të jem i pari që do t’ju njoftoj. Fatkeqësisht, ajo ditë ka ardhur”.

Xhobs kërkoi që të lejohet për të shërbyer si kryetar i bordit, drejtor dhe punonjës i kompanisë Apple.

Ai po ashtu i rekomandoi kompanisë të emërojë Tim Kukun në postin e shefit ekzekutiv. Kuk, që është zyrtari më i lartë operativ në Apple, ka zëvendësuar Xhobsin gjatë mungesës së tij.

Analistët e sektorit të teknologjisë thonë se vizioni i Xhobsit ka qenë çelësi thelbësor për suksesin e kompanisë.
Ata thonë se Apple duhet t’i bindë investitorët dhe konsumatorët se kompania nuk ka nevojë për Xhobsin – që ishte forca prapa iMac-ut, iPod-it, iPhone-it dhe iPad-it – për të vazhduar futjen e produkteve të tjera të suksesshme.

Mark Njumën është analist i elektronikës së konsumit në firmën Sanford C. Bernstein në Hong Kong.

Mendoj se për një kohë afat-shkurtër, nuk është ndonjë ndryshim i madh. Është një ndjenjë negative, një faktor i frikës, sepse Stiv Xhobs, kohët e fundit, ka sjellë ndryshime masive. Por, megjithatë, mendoj se në një afat të shkurtër nuk është një ndryshim i madh. Apple ka një cikël të madh produktesh dhe të gjitha produktet e ardhshme tashmë janë projektuar”, thotë Njumën.

Por, investitorët e kanë trajtuar ndryshe largimin e tij. Pas publikimit të letrës së dorëheqjes, çmimi i aksioneve të Apple ka rënë për shtatë për qind në tregjet e mbarë botës.

Të shumtë janë ata që Xhobsin e kanë konsideruar si ikonë të industrisë së teknologjisë.

Stiv Xhobs ishte Leonardo da Vinçi i epokës sonë.
Shkrimtari britanik, Toni Parsons, tha se “Stiv Xhobs ishte Leonardo da Vinçi i epokës sonë”.

Erik Shmit, kreu i kërkimeve në internet i kompanisë Google, e ka quajtur Xhobsin “një nga udhëheqësit më të mëdhenj amerikanë”, duke thënë se ai ka kombinuar ndjenjën e artistit me vizionin e inxhinierit, për të ndërtuar një kompani të jashtëzakonshme”.

Një konsumator në kompaninë Apple, Kliv Ollkok, thotë:

Ai ka bërë një punë të madhe, duke e bërë Apple një kompani udhëheqëse. Kjo është një mburrje e madhe personalisht për të. Ai do të mbahet mend në botën e informatikës”.

Xhobs ka folur rrallë para publikut prejse është diagnostikuar me kancer. Por, ai ka folur gjerësisht për përvojën e tij me kancer gjatë fjalimit në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni, në qershor të 2005-ës:

Të menduarit se do të jem i vdekur së shpejti, është mjeti më i rëndësishëm që kam hasur ndonjëherë e që më ka ndihmuar të bëj zgjidhje të mëdha në jetë, sepse pothuajse çdo gjë – të gjitha pritjet, e gjithë krenaria, e gjitha frika e turpit ose e dështimit – duket e largët në prag të vdekjes”, pat thënë Xhobs.

Ai pat folur edhe për ndikimin filozofik të kancerit.

Askush nuk dëshiron të vdesë. As njerëzit që duan të shkojnë në parajsë, nuk duan të vdesin. Por, megjithatë, vdekja është destinacioni i të gjithë neve. Askush nuk i ka ikur asaj”, ishte shprehur Xhobs. (v.t.)


Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Apple ka dhënë dorëheqje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00
XS
SM
MD
LG