Ndërlidhjet

Dobësohet fuqia e uraganit


Pamjet tregojnë Nju Xhersin gjatë goditjes së uraganit.
Pamjet tregojnë Nju Xhersin gjatë goditjes së uraganit.
Ndonëse vazhdojnë erërat, uragani Ajrin është dobësuar. Ai pritet të lërë Nju Jorkun për të lëvizur drejt Kanadasë mbrëmjen e së dielës.

"Aktualisht, qielli duket më i hapur", tha Xhozef Bruno, komisionar i Menaxhimit të Emergjencave.

"Ka disa pjesë të qytetit që vazhdojnë të kenë përmbytje dhe shi, por në përgjithësi mendoj se ia kemi dalë", tha Bruno për CNN.

Uragani Ajrin thuhet se përbën fatkeqësinë rekorde të Shteteve të Bashkuara në vitin 2011.


Stuhia mbërthen Nju Jorkun

Uragani Ajrin (Irene) ka përfshirë Nju Jorkun, me erëra të ashpra dhe kërcënime për përmbytje.

Qyteti më i populluar i Amerikës thuhet se i ngjan një qyteti fantazmë, pasi më shumë se 370 mijë njerëz janë evakuuar, ndërsa transporti publik është ndërprerë tërësisht.

Kryetari Majkëll Bllumberg tha se largimi nga stuhia nuk është më i mundur.

“Koha për evakuim ka mbaruar. Të gjithë duhet të futen brenda dhe të qëndrojnë brenda derisa të përmirësohet moti, çfarë nuk pritet të ndodhë deri të dielën pasdite. Qyteti ka ndërmarrë hapa të shumtë për t’u përgatitur”, tha Bllumbeg.

Së paku nëntë persona kanë humbur jetën në Karolinën e Veriut, Virxhina dhe Florida, si pasojë e aksidenteve me makinë, sulmeve në zemër dhe rrëzimit të pemëve.

Me kalimin e tij përgjatë bregdetit amerikan, uragani ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për më shumë se një milion njerëz, ka anuluar mbi tetë mijë fluturime dhe ka detyruar dy milionë njerëz të largohen nga shtëpitë – gjysma e tyre nga Nju Xhersi.

Zyrtarët në Nju Jork paralajmërojnë se rreziku më i madh vjen nga përmbytjet, të shkaktuara jo vetëm nga reshjet tropikale, por edhe nga baticat e larta të Oqeanit Atlantik.

Ajrin
Presidenti Barak Obama, i cili ka ndërprerë pushimet e tij vjetore për shkak të fatkeqësisë, ka vizituar qendrën e operimeve të Agjencisë Federale të Emergjencave.

“Do të jetë një goditje e fortë”, ka thënë Obama gjatë një telekonference, ku kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë federalë dhe agjenci të qeverisjes vendore.

Ekspertët thonë se dëmi që mund të shkaktojë uragani Ajrin, mund të kapë vlerën e 12 miliardë dollarëve.

Ajrin raportohet ta ketë zvogëluar fuqinë dhe aktualisht renditet në kategorinë 1, që është shkalla minimale në tabelën prej 1 deri në 5. Megjithatë, ai konsiderohet ende me potencial rreziku, ndërsa shpejtësia e tij, sipas meteorologëve, kap 75 kilometra në orë.

“Ne jemi përgatitur për këtë, kemi punuar fuqishëm, kemi paralajmëruar njerëzit dhe tani duhet të merremi me atë që vjen nga Nëna Natyrë. Njujorkezët duhet të mbeten në ambiente të mbyllura”, tha Bllumberg.

Me fuqinë e erës në 140 kilometra në orë, uragani Ajrin ka kaluar në Karolinën e Veriut para se të lëvizte drejt Virxhinias dhe Nju Jorkut.

Uraganet thuhet të jenë të rralla në verilindje të Shteteve të Bashkuara. I fundit që ka goditur Nju Jorkun ishte Gloria, më 1985, por këtë herë autoritetet thonë se janë më të përgatitura. (v.t.)


XS
SM
MD
LG