Ndërlidhjet

Vritet numri dy i Al Kaidës


Besnikët e Al Kaidës
Besnikët e Al Kaidës
Zyrtarët amerikanë thonë se Al Kaidës i është shkaktuar një tjetër humbje e madhe, me vrasjen e numrit dy të rrjetit terrorist në Pakistan.

Atijah Abe dal-Rahman, i cili ka qenë i përfshirë në organizimin e operacioneve të Al Kaidës, është vrarë më 22 gusht në rajonin e Vaziristanit.

Raportet thonë se Rahman, me shtetësi libiane, ka pësuar nga sulmi me raketa i Shteteve të Bashkuara.

Rahman konsiderohej bashkëpunëtor i besueshëm i kryeterroristit aktual, Ajman al-Zavahiri. Ai është rritur në hierarkinë e Al Kaidës pas vrasjes së Osama bin Ladenit nga komandot e Shteteve të Bashkuara, në muajin maj.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Abubakar Sidik, i cili mbulon Afganistanin dhe Pakistanin, tha se Rahman ka pasur rol edhe në sulmet ndaj personelit amerikan në Afganistan.
Rahman ka qenë i përfshirë në planifikimin e sulmeve ndaj stacionit të CIA-s në Khost.

“Nga të dhënat që posedojmë, duket se Rahman ka qenë i përfshirë në planifikimin e sulmeve ndaj stacionit të CIA-s në Khost, në dhjetor të 2009-ës”, tha Sidik.

I njëjti e përshkroi Rahmanin si një ndihmës të besueshëm të ish-udhëheqësit të Al Kaidës, Osama bin Laden.

“Ai ka qenë i dërguar i Al Kaidës në Iran. Ka spekulime se ai ka negociuar çështje shumë të rëndësishme, përfshirë sjelljen e disa anëtarëve të familjes së bin Ladenit që jetonin në Iran për kohë të gjatë”, tha Sidik.

Muhamed Sad, ish-brigadier i ushtrisë pakistaneze, tani analist, tha se vdekja e Rahmanit do të ketë ndikim në Al Kaidën, porse “organizata do të mbijetojë edhe pa të”.

“Një udhëheqës i shquar ka kapacitet dhe aftësi. Kur një person i tillë vdes, ai ka ndikim në organizatë. Nuk ka dyshim. Por, një organizatë si Al Kaida është më shumë se një ideologji. Për të shtypur këtë ideologji, ju duhet të dilni me një kundër-ideologji”, u shpreh Sad.

Analistët e sigurisë thonë se Al Kaida nuk ka shumë zgjedhje për zëvendësimin e Rahmanit.

“Kur është vrarë Osama bin Laden, secili priste që al-Zavahiri do ta zëvendësonte në postin e kreut të Al Kaidës. Kanë mbetur vetëm edhe disa emra të rëndësishëm. Mendoj se Al Kaida ka shumë pak zgjedhje. Shumë pak njerëz të aftë i kanë mbetur”, thotë Rahimullah Jusufzai, analist i specializuar në çështjet e xhihadizmit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, gjatë vizitës në Afganistan muajin e kaluar, tha se strategjia e goditjes së Al Kaidës do të jetë e mundur nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vrasin apo kapin rreth 20 liderët e mbetur të rrjetit terrorist, për të cilët Paneta tha se përbëjnë thelbin e tij. (v.t.)
XS
SM
MD
LG