Ndërlidhjet

Kuper bisedon me Prishtinën për temat e 2 shtatorit


Robert Kuper
Robert Kuper
Përfaqësuesi i baroneshës Kethrin Eshton në bisedimet Kosovë - Serbi, Robert Kuper, ka qëndruar sot në Prishtinë, me ç’rast është pritur nga kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

Kuper, pas takimit, është larguar pa dhënë ndonjë deklaratë.

Një ditë më herët, ndërmjetësuesi evropian qëndroi në Beograd, ku ka diskutuar për temat e radhës që do të bisedohen në dialogun Kosovë – Serbi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se krerët e Qeverisë së Kosovës zhvilluan një takim konsultativ me Robert Kuperin, para vazhdimit të bisedimeve me Serbinë, në fillim të shtatorit.

“Është një takim konsultativ që sot ka zhvilluar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Është një takim parapërgatitor do të thosha, për dialogun që do të zhvillohet më 2 shtator. Natyrisht që aty do të shprehen qëndrimet e Kosovës dhe me siguri që do të ketë harmonizim të qëndrimeve edhe me përfaqësuesin e BE-së”, deklaroi Kuçi.

Këto komente, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i bëri pas një takimi që zhvilloi me përfaqësuesit e shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur të luftës, që u mbajt në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Fati i këtyre personave pritet të jetë një nga temat e radhës në bisedimet Kosovë – Serbi.

Ndërkaq, në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryenegociatorës së palës kosovare në këto bisedime, Edita Tahiri, thuhet se në takimin e radhës në Bruksel, që do të mbahet më 2 shtator, temat që do të diskutohen do të jenë: tregtia e lirë, përkatësisht njohja e vulave të Doganave të Kosovës, telekomunikacioni, energjia, kthimi i dokumenteve kadastrale si dhe bashkëpunimi rajonal.

Zëvendëskryeministrja Tahiri, sipas komunikatës, ka siguruar ndërmjetësuesin Kuper se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve praktike me shtetin fqinj përmes dialogut, duke respektuar plotësisht Kushtetutën, ligjet dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe parimet euro-atlanike. (z.g.)
XS
SM
MD
LG