Ndërlidhjet

Regjimi refuzon ultimatumin


Në rrugët e Tripolit...
Në rrugët e Tripolit...
Zëdhënësi i Muamer Gadafit tha se trupat e regjimit refuzojnë ultimatumin e rebelëve për t’u dorëzuar deri të shtunën. Musa Ibrahim tha se asnjë “komb me dinjitet të ndershëm nuk do të pranonte ultimatum nga bandat e armatosura”.

Lideri i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdel Xhalil, ka dorëzuar ultimatumin të martën.

“Kjo dritare e mundësive mbyllet me fundin e Festës së Bajramit. Duke filluar nga e shtuna, nëse nuk ka tregues të qartë të zbatimit të ultimatumit, ne do të veprojmë ushtarakisht për t’i dhënë fund kësaj situate. Ne nuk dëshirojmë të bëjmë një gjë të tillë, por nuk mund të presim më gjatë”, tha Xhalil.

Ultimatumi kryesisht ka të bëjë me forcat e Gadafit në Sirte, e cila vazhdon të mbetet bastion i trupave të regjimit.

NATO-ja, e cila ka mbështetur rebelët me fushatën ajrore që nga muaji mars, tha se do të vazhdojë të qëllojë caqet në Sirte.

Ndërkohë, kryengritësit kanë akuzuar Algjerinë fqinje se ka kryer “akt agresioni” me strehimin që u ka ofruar anëtarëve të familjes së Gadafit, përkatësisht gruas dhe tre fëmijëve të tij.

Aisha - vajza e Gadafit
Ministria algjeriane e Shëndetësisë tha se e bija e Gadafit, Aisha, ka lindur vajzë, ndërsa ambasadori i Kombeve të Bashkuara në vend tha se “familja Gadafi është lejuar të hyjë në Algjeri për shkak të konsideratave humanitare”.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, shprehu shqetësimin se “veprimet e Algjerisë mund të shkelin rezolutën e OKB-së, e cila u ndalon udhëtimin anëtarëve të familjes Gadafi”.

“Ka shqetësime se një gjë e tillë nuk është në përputhje me kufizimet e udhëtimit që parasheh Rezoluta 1970 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, andaj ne duhet të shqyrtojmë shpjegimin e Qeverisë algjeriane”, tha Nuland, për të ritheksuar nevojën e vazhdimit të sulmeve të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se NATO-ja duhet të mbetet e angazhuar në Libi, derisa të kompletohet misioni për mbrojtjen e civilëve. Siç tha edhe NATO-ja, luftimet vazhdojnë në dhe përreth Sirtes, si dhe në jug të Tripolit. Pra, NATO-ja vazhdon të jetë e angazhuar në mbrojtjen e civilëve”, tha Nulnad.

Vendndodhja e Gadafit mbetet e panjohur, ndonëse ka njoftime të pakonfirmuara që thonë se ai fshihet në Sabha apo Bani Valid, në juglindje të Tripolit.

Kryengritësit druajnë se Gadafi dhe djemtë e tij mund të orkestrojnë trazira të reja, nëse ata nuk kapen.

Në frontin diplomatik, Kombet e Bashkuara i kanë dhënë dritën e gjelbër Britanisë për të lëshuar 1.6 miliard asete të ngrira të Libisë në duart e qeverisë së përkohshme.

Vendimi vjen pasi Kombet e Bashkuara, ditë më parë, ranë dakord për lirimin e një sasie të ngjashme të fondeve, të mbajtura në bankat e SHBA-së, për nevoja humanitare, shërbime sociale dhe rindërtimin e Libisë.

Këshilli i Sigurimit ka diskutuar po ashtu zhvillimet post-konfliktuoze në Libi. Mësohet se ky organ do të dërgojë rreth 50 vëzhgues të paarmatosur, për ta rritur gradualisht numrin e tyre në 200.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, tha se ka gjithnjë e më shumë pajtim në mesin e komunitetit ndërkombëtar, se Kombet e Bashkuara duhet të kenë rol të madh në Libinë e pas konfliktit.

“Populli i Libisë pret ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare. Qeveria kalimtare do të paraqesë kërkesa specifike në ditët e ardhshme. Qëllimi im është që, nën mandatin e Këshillit të Sigurimit, të dërgojmë personelin e OKB-së në terren sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Ban.

Një nga prioritetet e paqeruajtësve do të jetë parandalimi i hakmarrjes së rebelëve kundër besnikëve të mbetur të Gadafit.

Samiti ndërkombëtar për Libinë do të mbahet të enjten në Paris. (v.t.)
XS
SM
MD
LG