Ndërlidhjet

Mungesë barnash në treg


Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme për barna nga ana e qytetarëve, barnatoret vazhdojnë të mos kenë furnizim të mjaftueshëm.

Zyrtarë nga shoqata e farmacistëve të Kosovës, thonë që kjo vjen si pasojë e mos regjistrimit të barnave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Besnik Nura, farmacist, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri në 30 pacientë gjatë ditës dalin nga barnatorja që ai udhëheq, pa i marrë ilaçet që u duhen.

Sigurisht që ka mungesa. Mungesat kanë qenë edhe para reciprocitetit, e tash shumë më shumë. Për të ardhur prej vendeve të rajonit barnat, duhet një procedurë e regjistrimit të tyre. Është problemi më i madh mos regjistrimi i barnave që nuk kanë autorizim marketingu. Kemi deri në 30 kërkesa të pacientëve gjatë ditës, që kthehen për shkak të mungesës së barnave të cilat nuk kanë autorizim marketingu”, shprehet ai.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë , Ferid Agani, pranon se janë disa lloje të barnave që mungojnë, sepse nuk janë të regjistruara dhe nuk kanë autorizim të marketingut, edhe përkundër kërkesës së pacientëve.

Përkundër asaj që pacientët e kërkojnë, barnat nuk mund të gjenden, por ajo nuk ka autorizim marketingu. Ato barna mund të merren vetëm nëse merret një vendim i veçantë nga qeveria, si e kemi pasur rastin me importin emergjent që e lejuam për disa lloje të barnave”, thotë Agani.

E për vendimin në fjalë, Kadri Bytyqi, kryetar i shoqatës së farmacistëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se me aktivitetin e tyre kanë bërë që të hartohet lista me barna, të cilat nuk janë të regjistruara e që janë të nevojshme për tregun e Kosovës, si dhe për produkte që janë të regjistruara por që nuk janë prezentë në treg.

Sipas tij, as kjo metodë nuk ka funksionuar.

Pikërisht nga kjo listë është nisur dhe është përpiluar një listë e importit me leje të posaçme nga AKPM-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Por e meta e kësaj ka qenë se iu ka dhënë një kohë shumë e shkurtë importuesve, dhe sasia ka qenë shumë e limituar. Këtë leje kanë pasur të drejtë të marrin vetëm një herë”, thotë ai.

Sipas zotit Bytyqi, rekomandimi i shoqatës së farmacistëve, për Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për të dalë nga kjo situatë, ka qenë importi i barnave nga Shqipëria.

Ne kemi dhënë një propozim shumë të mirë në AKPM dhe Ministri të Shëndetësisë, se ne duhet të kemi një marrëveshje bilaterale me shtetin e Shqipërisë, sepse Shqipëria është një ndër vendet në rajon që e ka të kompletuar tregun farmaceutik në shtetin e vet, dhe në mënyrë automatike barnat që nuk janë në Kosovë të merren nga Shqipëria, sepse Shqipëria ju ka nënshtruar procedurave të regjistrimit”, sqaron Bytyqi.

Ndërsa ministri Agani thotë për Radion Evropa e Lirë se me ndryshimet ligjore do të rregullohet edhe çështja e furnizimit me barna.

Shpresoj të përmirësojmë gjendjen aktuale, me ndryshimet ligjore, ku me ardhjen e zyrtarëve të Bankës Botërore, qysh javën e ardhshme, do t’i finalizojmë ligjet mbi sigurimet shëndetësore, dhe projektligjin e shëndetësisë, atëherë me miratimin e tyre në Parlament do të ndryshohet gjithçka”, shprehet Agani.

Sidoqoftë, deri në ndryshimet ligjore nga ana e zyrtarëve qeveritarë, pacientëve u mbetet të kërkojnë ilaçet që u duhen nëpër vendet e rajonit dhe më gjerë.
XS
SM
MD
LG