Ndërlidhjet

Vazhdojnë bisedimet, akuza rreth veriut


Mitrovicë
Mitrovicë
Shefja e delegacionit kosovar në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka konfirmuar se më 27 dhe 28 shtator do të vazhdojë dialogu në Bruksel. Sipas saj, temat që do të diskutohen janë telekomunikacioni dhe energjia.

Tahiri për agjencitë serbe ka thënë se në këtë raund do të diskutohet edhe bashkëpunimi rajonal.

Në kuadër të bisedimeve Prishtinë-Beograd, sipas zyrtarëve serbë, do të duhej të figuronte edhe çështja e veriut të Kosovës.

Pas zbatimit të planit operacional të autoriteteve kosovare për rihapjen e tërësishme të pikave doganore në veri të Mitrovicës, shefi i delegacionit serb në bisedimet Kosovë-Serbi, Borisllav Stefanoviq, tha se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut, por jo me doganierët kosovarë në veri.

Stefanoviq akuzoi kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe një pjesë të komunitetit ndërkombëtar për zbatimin “siç u konvenon atyre" të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Stefanoviq mësohet t'i ketë bërë këto komente para gazetarëve në Leposaviq.

"Marrëveshja ka tri fjali - bazohet vetëm në vula dhe në dokumentet përcjellëse", tha Setfanoviq, për të shtuar se nuk bëhet fjalë për vendkalimet kufitare, meqë, siç u shpreh ai, Prishtina nuk ka dashur një gjë të tillë.

Ndryshe e ka komentuar Lëvizja Vetvendosje aksionin e së premtës në veri të Mitrovicës.

Vetëvendosje tha se ekzekutivi kosovar, me koncesione të reja, po i bën qejfin Qeverisë së Serbisë.

"Kjo u dëshmua edhe të premten, edhe të shtunën, kur ata kamionë të paktë të Kosovës që u nisën për në Serbi, u kthyen në kufi, sepse në disa dokumente kishte shkruar Republika e Kosovës", thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sipas së njëjtës, Qeveria e Kosovës është përgjigjur "me një vendim arbitrar për të lejuar mallrat serbe deri të hënën, e më pastaj, në qoftë se nuk rregullohet, do të ndërmerren masa të tjera".

"Kjo qeveri është e interesuar veçse në mbijetesën sot për nesër, e jo për zhvillimin afatgjatë politik dhe ekonomik të shtetit të Kosovës", thuhet ndër të tjera në kumtesën e Lëvizjes Vetëvendosje.
XS
SM
MD
LG