Ndërlidhjet

Kërkohet maturi në shpenzime


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Paralajmërimit e Fondit Monetar Ndërkombëtar se ekonomia botërore është në një fazë të rrezikshme, kanë ngritur shqetësime të mëdha te njohësit e çështjeve ekonomike në Prishtinë. Ata thonë se vërejtët e tërhequra nga FMN-ja, duhet të merren parasysh edhe nga autoritetet kosovare.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kushtet e ekonomisë së tregut të hapur, secili vend që i takon një zone që preket nga kriza, do të bartte pasoja.

“Meqenëse Kosova, valutë zyrtare këmbimi ka euron dhe ajo është shumë e varur nga këmbimet dhe importi i mallrave, pasojat mund të jenë të shumëfishta, jo vetëm në një drejtim, jo vetëm në vështirësi të prodhimit të mallrave, por edhe në vështirësi të tjera. Kosova bart më shumë pasoja sesa vendet tjera që janë më të zhvilluara, pasi ato kanë rezervat e veta dhe mund t’i përballojnë pasojat dhe problemet”, thotë Shatri.

Ekonomia e Kosovës, sipas tij, me vite të tëra ka qenë në krizë ekonomike për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik. Por tani, shton Shatri, nëse një krizë ekonomike globale do ta prekte Kosovën, gjendja do të vështirësohej edhe më shumë.

Ai sugjeron autoritetet kosovare që të marrin masa konkrete dhe të bëjnë kujdes në harxhimin e parasë publike.
Nëse ka nevojë, duhet të parashihet edhe reduktimi i projekteve kapitale, duhet të parashihet edhe reduktimi i pagave...

“Nëse ka nevojë, duhet të parashihet edhe reduktimi i projekteve kapitale, duhet të parashihet edhe reduktimi i pagave dhe i të dhënave të tjera të natyrës sociale. Në këtë mënyrë, duhet të kemi kujdes të mos vijë deri te një krizë buxhetore”, thotë Shatri.

Në vështrimin e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron për rrezikun e recesioneve të reja në Eurozonë dhe Shtetet e Bashkuara, krizat e të cilave nuk do të arrijnë të vihen nën kontroll në hapësirën përkatëse ekonomike.

Në shkallë botërore, prodhimi, sipas FMN-së, do të rritet këtë vit me vetëm 4 për qind dhe po kaq edhe në vitin 2012. Vetëm pak muaj më parë pritjet ishin që rritja gjatë këtyre dy vjetëve të ishte 5 për qind.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Agron Demi, thotë se një krizë ekonomike, e cila prek vendet e Bashkimit Evropian, mund të prekë edhe Kosovën.

“Të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë në një krizë buxhetore - vendet e jugut janë më të rrezikuara nga kriza financiare. E njëjta mund të prekë Kosovën, por, fatmirësisht, deri më tani, për shkak të lidhjes që ka Kosova me sistemin monetar gjerman dhe për shkak se Gjermania nuk ka pasur ndonjë krizë - ka qenë shteti i vetëm i Eurozonës, i cili nuk është prekur nga kriza - Kosova ka pasur një stabilitet. Kjo mund të ndryshojë, sepse edhe bankat gjermane kanë filluar të lëkunden”, thekson Demi.
Qeveria e Kosovës nuk mund të ndikojë në shpëtimin e ekonomisë së vendit nga kriza ekonomike...

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, për shkak të mungesës së politikës monetare, nuk do të mund të ndikojë në shpëtimin e ekonomisë së vendit nga kriza ekonomike.

“I vetmi shpëtim është në rast se Gjermania merr masa për të shpëtuar ekonominë e saj prej kësaj lëkundjeje. Në atë pako përfshihet edhe ndihma për Kosovën - ne jemi të lidhur drejtpërdrejt me ta. Qeveria e Kosovës nuk do të ketë shumë zgjidhje për të ndikuar në këtë”, thotë Demi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se sistemi financiar në botë tani është më i prekshëm, sesa në kohën e krizës globale në vitin 2008.
XS
SM
MD
LG