Ndërlidhjet

Gjermania miraton masat e shpëtimit


Kancelarja gjermane gjatë sesionit të votimit...
Kancelarja gjermane gjatë sesionit të votimit...
Bundestagu gjerman ka votuar në favor të marrëveshjes së arritur nga liderët e Bashkimit Evropian, për të zgjeruar kompetencat e Kapacitetit të Stabilitetit Financiar Evropian.

Me mbështetjen e Qeverisë dhe të opozitës Dhoma e Ulët e Parlamentit në Berlin ka votuar legjislacionin e mbështetur në marrëveshjen e 21 korrikut, me 523 vota për dhe 85 kundër. Nënkryetari i Bundestagut, Volfgang Tirse, ka shpallur rezultatet zyrtare pas votimit:

“Numri i votave është 611. Vota pro janë 523, kundër 85, ndërsa 3 janë abstenime. Me këto rezultate, projektligji është miratuar”.

Masa pritet të kalojë lehtë në Dhomën e Lartë të Parlamentit, ku pritet të votohet të premten.

Analistët politikë kanë ndjekur nga afër ngjarjen e sotme, për të parë nëse kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të marrë votat e mjaftueshme nga koalicioni i saj, për të heshtur rebelimin e aleatëve në lidhje me financimin e paketave për vendet si Greqia.

Pas një nate të lobimit intensiv, rezultatet e sotme treguan se një total prej 315 votash nga 330 anëtarët e koalicionit të Merkelit, ishin në favor të masës – njëherësh, të mjaftueshme për të siguruar kalimin e saj edhe pa mbështetjen e opozitës.

Suksesi apo dështimi i Merkelit do të matej nga ajo nëse do të arrinte të grumbullonte 311 apo më shumë vota “pro” brenda kampit të saj, çfarë është numri i njëjtë i votave, të cilat do t’i duheshin për të fituar votimin e besimit në parlament, nëse një i tillë do të mbahej.

Dështimi për të siguruar mbështetjen e të paktën 311 anëtarëve të koalicionit të Merkelit, do të shkaktonte zvarritjen e implementimit të ndryshimeve me muaj, si dhe do të pengonte fazat e ardhshme të planit të shpëtimit të euros.

Votimi i sotëm rrit garancitë gjermane në Kapacitetin e Stabilitetit nga 123 miliardë euro në 211 miliardë.

Merkel ishte në mesin e liderëve të BE-së që u pajtuan për planin, i cili parasheh rritje për 440 miliardë euro të Kapacitetit të Stabilitetit, përfshirë autoritetin e tij për të blerë bono qeveritare, për të ndihmuar bankat me probleme, si dhe për të kredituar qeveritë e trazuara para se të bien në krizë të plotë.

Me votimin në Gjermani, marrëveshja ka miratimin parlamentar të 10 nga 17 vendet e Eurozonës. Legjislacioni rrit garancitë gjermane në Kapacitetin e Stabilitetit nga 123 miliardë euro në 211 miliardë.

Të mërkurën, presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, gjatë fjalimit të tij vjetor para Parlamentit Evropian, tha se Eurozona ka nevojë për integrim ekonomik, për të shpëtuar nga kolapsi monedhën e përbashkët.

“Po përballemi me ndikime negative të një rivlerësimi global mbi rreziqet. Është përgjegjësi e jona të rindërtojmë besimin në euro dhe në gjithë unionin në tërësi”, tha Baroso.

Marrëveshja e korrikut mori edhe një shtysë të mërkurën, me miratimin e saj në Parlamentin e Finlandës. Votimi ishte i rëndësishëm sepse Finlanda, e mbërthyer në mosmarrëveshje për shkak të kërkesave të saj për garanci në këmbim të ndihmës për Greqinë, ishte parë si pengesë eventuale për ndryshimet e Kapacitetit të Stabilitetit.

Ndërkohë, inspektorët ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë nisur takimet në Athinë, për të vlerësuar nëse qeveria e këtij vendi ka zbatuar mjaftueshëm masat e premtuara, me qëllim marrjen e këstit të ardhshëm të ndihmës. (v.t.)
XS
SM
MD
LG