Ndërlidhjet

Krasniqi: Më shumë bashkëpunim për siguri në Ballkan


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, fajësoi “praninë e strukturave të organizuara kriminale në veriun e Kosovës” për rrënimin e ekonomisë dhe për rrezikimin e stabilitetit dhe sovranitetit të vendit.

“Krimi i organizuar askund nuk ofron siguri, as në pjesën Veriore të Kosovës. Para së gjithash po e rrezikon jetën e qytetarëve serbë dhe perspektivën e tyre, e cila nuk mund të jetë në barrikada dhe në izolim nga siguria dhe nga perspektiva për jetë të lirë”, u shpreh Krasniqi gjatë konferencës së parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillon punimet në Budapest.

Krasniqi theksoi nevojën për një bashkëpunim më intensiv në fushën e sigurisë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore dhe formave të tjera të shfaqjes së krimit, janë jo vetëm obligim i strukturave tona për t’ju garantuar siguri qytetarëve tanë, janë obligim para së gjithash për vendet dhe popujt tanë, por edhe para organizmave, ku ne tashmë aderojmë, mbi të gjitha, edhe para vetë komunitetit ndërkombëtar dhe strukturave euroatlantike, ku ne dëshirojmë të integrohemi”, tha ai.

Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës bëri të ditur se bashkëpunimi rajonal, ai fqinjësor, si dhe kriteret për integrime në Bashkimin Evropian janë temat kryesore të kësaj konference.

Mësohet se konferencën po e kryeson kryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Lazso Kover, ndërsa në të po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e parlamenteve të Malit të Zi, Shqipërisë dhe ata të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG