Ndërlidhjet

Kërkojnë qartësi nga Tadiqi


Në veri
Në veri
Përfaqësuesit e komunave veriore të Kosovës sërish kanë kthyer sytë kah presidenti serb Boris Tadiq, siç bënë edhe kohë më parë, në lidhje me veprimet që duhet të ndërmarrin karshi kërkesës së autoriteteve ndërkombëtare për heqjen e barrikadave në veri.

Ata takohen me presidentin e Serbisë Boris Tadiq për të biseduar mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës në veri.

Këta politikanë u kanë thënë mediave serbe se nga presidenti Tadiq kërkojnë një përgjigje të qartë se cila është politika shtetërore e Serbisë ndaj Kosovës.

“Presidentin Tadiq do ta njoftojmë për situatën në veri të Kosovës dhe në lidhje me bisedimet që i kemi pasur të shtunën me krerët e KFOR-it dhe EULEX-it në Mitrovicë”, ka thënë përfaqësuesi i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq.

Ai ka vlerësuar se krizën në veri nuk mund ta zgjidhin përfaqësuesit e komunave dhe se është e domosdoshme që këtu të përfshihet edhe udhëheqja shtetërore e Serbisë.

Për takimin e sotëm, barrikaduesit në fshatin Jagnjenicë i ka njoftuar përfaqësuesi i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq.

Autoritetet në Prishtinë janë të bindura se prapa ngritjes së barrikadave qëndron politika zyrtare e Beogradit. Por, nuk janë vetëm zyrtarët kosovarë të mendojnë kështu.

Kryetari i Partisë Liberal- Demokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviq ka akuzuar qeverinë e Beogradit se i ka “prodhuar barrikadat në Kosovë, ashtu siç ka bërë 20 vjet më parë në Kroaci” dhe se është e paaftë që të propozojë zgjidhje në këtë hapësirë.

“Nuk është problem Kosova, problem është Beogradi. Problem është edhe presidenti ynë, të cilin duhet ta ndihmojmë”, ka thënë Jovanoviq në një takim të organeve drejtuese të partisë së tij.

Ai ka vlerësuar se “katër kryetarët e vetëshpallur të komunave në veri të Kosovës po e sfidojnë presidentin e shtetit”.

Serbët në veri të Kosovës janë peng të pafuqisë së Beogradit, pasi që qeveria nuk ka fuqi që të propozojë zgjidhjen”, ka thënë Jovanoviq, duke shtuar se zgjidhja për problemet në veri të Kosovës është përdorimi i planit të Ahtisarit.

Ndryshe një ditë më parë, kreu i EULEX-it, Ksavie De Marnjak, dhe komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, takuan përfaqësuesit e komunitetit të serbëve të veriut të Kosovës në Shtëpinë e BE-së në këtë pjesë të vendit.

Takimi thuhet të ketë pasur për qëllim diskutimin rreth lirisë së lëvizjes si “parim kryesor të Bashkimit Evropian”.

Liria e lëvizjes duhet të rivendoset shumë shpejt duke larguar bllokadat rrugore për të mirën e popullatës lokale dhe pranisë ndërkombëtare-përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhej në komunikatën e EULEX-it.

Pas takimit me Drevsin, Marnjak citohet të ketë thënë:

Ne presim që të rivendoset liria e lëvizjes për të gjithë në mënyrë që njerëzit të vazhdojnë jetën e tyre normale pa kufizime. Njerëzit e duan lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit. Ata që vendosin bllokadat rrugore duhet t’i zhvendosin ato. Këtë e presin edhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.

Barrikadat në rrugë kanë filluar të vendosen që nga 25 korriku, kur Qeveria e Kosovës ndërmori aksionin për dërgimin e policëve dhe doganierëve në të dy pikat kufitare në veri.

Pengesat në rrugë janë shtuar dhe përforcuar pas 16 shtatorit, kur nismën e qeverisë për të futur nën kontroll dy pikat në veri, e mbështetën edhe autoritetet ndërkombëtare.

Transportimin e doganierëve dhe policëve në Jarinë e Bërnjak po e siguron KFOR-i përmes helikopterëve ushtarakë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG