Ndërlidhjet

Thirrje për qetësi


Në Bërnjak
Në Bërnjak
Policia e Kosovës ka kryer bastisje në kërkim të autorëve të vrasjes së një serbi dhe plagosjes së dy të tjerëve, incident ky që ndodhi një natë më parë në lagjen Kroi i Vitakut.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Besim Hoti ende nuk ka as të dyshuar dhe as të arrestuar për incidentin që filloi si përleshje fizike mes shqiptarëve dhe serbëve në veriun e tensionuar të Mitrovicës.

Gjatë natës së mbrëmshme janë bërë kontrolle të gjashtë shtëpive, të banorëve shqiptarë dhe serbë të lagjes Kroi i Vitakut. Një operacion i tillë i rishikimit të vendit të ngjarjes dhe vazhdimit të kontrollit të shtëpive ka vazhduar edhe sot. Policia ka bastisur edhe një shtëpi tjetër dhe në këtë fazë kemi në proces të intervistimit një person, por kurrsesi nuk mund të thuhet që ai është arrestuar, siç është raportuar në disa media”, tha për Radion Evropa e Lirë, Besim Hoti.

Ai shpjegoi se policia ka marrë deklarata nga qytetarët, banorë të kësaj lagjeje, në cilësinë e dëshmitarëve për të përshkruar atë çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

Krejt kjo ka filluar, sipas asaj që policia ka marrë informacionin, se ka ndodhur një rrahje në progres në mes të banorëve shqiptarë dhe serbë në atë lagje. Sipas pretendimeve të disa banorëve thuhet se grupi i personave janë futur në përleshje fizike, për qëllime, siç thonë ata, tentativë të vjedhjes, të disa shtëpive të banorëve shqiptarë aty. Përkundër krejt kësaj, sigurisht se një akt i tillë nuk justifikon përdorimin e armëve”, tha Hoti.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në përgjithësi incidenti i mbrëmshëm nuk ka reflektuar në aspektin e sigurisë.

Në anën tjetër, udhëheqja paralele e Mitrovicës ka shpallur, siç thuhet, ditë zie me rastin e vdekjes së Sava Mojsiqit, i cili u varros sot në Zveçan.

I ashtuquajturi kryetar i Mitrovicës së veriut, Kërstimir Pantiq, ka akuzuar njësinë speciale të Policisë së Kosovës për incidentin.

Të gjithë e dinë të vërtetën, se ndaj serbëve kanë gjuajtur pjesëtarët e njësisë paraushtarake, ROSU, por të gjithë heshtin në lidhje me këtë”, transmetojnë deklaratën e Pantiqit, mediat serbe.

Kjo gjë është hedhur poshtë nga Policia e Kosovës, ndërkaq, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka bërë thirrje që të mos politizohet incidenti dhe mos të shërbejë për nxitje të dhunës.

...ky incident të mos jetë një pretekst për dhunë të mëtejme dhe incidente të tjera, por të jetë i izoluar dhe i menaxhuar nga organet e drejtësisë
Po punojmë me intensitet të plotë dhe mbrëmë e keni parë një prani të shtuar të Policisë së Kosovës, që ky incident të mos jetë një pretekst për dhunë të mëtejme dhe incidente të tjera, por të jetë i izoluar dhe i menaxhuar nga organet e drejtësisë”, tha Kuçi.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë hedhur fajin për incidentin te misionet ndërkombëtare.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq ka thënë se tensionet në veri të Kosovës, pas incidentit në Kroin e Vitakut, mund t’i qetësojë një reagim i shpejtë i KFOR-it, EULEX-it, të cilët sipas tij deri më tash kanë qenë të butë ndaj veprimeve të siç ka thënë ai ‘ekstremistëve shqiptarë’.​

Është vështirë të thuhet se incidenti në Kroin e Vitakut ka qenë i planifikuar, por ka qenë i pritur, pasi që KFOR-i dhe EULEX-i janë përqendruar plotësisht në diçka që nuk është detyrë e tyre, e kjo është zbatimi i vendimit politik të Prishtinës në një situatë shumë të tensionuar”, ka thënë Ivanoviq.

Veriu i Kosovës, që nga përfundimi i luftës më 1999, ka qenë shpesh arenë e incidenteve ndëretnike, të cilat fokusin kryesisht e kanë në Mitrovicë, qytet ky i ndarë nga lumi Ibër në pjesën shqiptare në jug dhe atë serbe në veri.

Zëvendëskryeministri Kuçi, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që t’u besojnë institucioneve kosovare dhe ndërkombëtare të drejtësisë dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

Ne punojmë shumë që t’i bindim qytetarët tanë që t’u besojnë institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që t’i besojnë drejtësisë dhe ky akt të mos ndikojë në raportet ndëretnike në Kosovë dhe të merret si një akt i izoluar, i cili nuk ka dhe nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në raportet shqiptaro-serbe në Kosovë”, tha Kuçi.

Njëri nga të plagosurit e djeshëm është pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Incidenti është dënuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare, të cilat kanë kërkuar qetësi dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë.

Tensionet ndëretnike në veriun e Mitrovicës kanë qenë më të shprehura në muajt e fundit, që kur Qeveria e Kosovës ndërmori aksionin për kthimin e kontrollit në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinë, përkatësisht vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë.

Ky veprim u pasua me ngritjen e barrikadave nga ana e serbëve lokalë.

Në javët e fundit janë shënuar incidente edhe mes serbëve dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s, të cilat po përpiqen të heqin barrikadat e vëna për të penguar qarkullimin e lirë drejt pikave kufitare 1 dhe 31 në veri, që lidhin Kosovën me Serbinë.
XS
SM
MD
LG