Ndërlidhjet

Policia i dëboi protestuesit nga kampi


Një nga protestat e lëvizjes "Okupimi i Wall Street"
Një nga protestat e lëvizjes "Okupimi i Wall Street"


Policia e Nju Jorkut, të martën në mëngjes, i ka larguar protestuesit e lëvizjes “Okupimi i Wall Street-it”, nga pjesa e qytetit, ku ata e kishin ngritur kampin prej muajit shtator.

Autoritetet e qytetit të Nju Jorkut thanë se protestuesit duhet të “largohen përkohësisht” nga parku dhe t’i largojnë tendat e tyre.

Ky veprim i policisë u bë pas dëbimeve të ngjashme të protestuesve edhe në disa qytete të tjera amerikane, gjatë ditëve të fundit.

Linjat e gjata policore ishin vendosur në sheshin kryesor të protestuesve të lëvizjes “Okupimi i Wall Street-it”, duke i larguar tendat dhe kuzhinat e improvizuara, që janë përdorë prej muajit shtator, si kamp bazë i protestuesve.

Ndërhyrja e policisë u bë pas dëbimeve të ngjashme gjatë ditëve të fundit, në qytetet Portlend, Oregon, Denver, Kollorado, Solt Lejk Sity, Utah dhe Oklend.

Korrespondentët thonë se policia e Nju Jorkut kishte arritur në parkun Zukoti në orët e para të mëngjesit me megafona dhe kishte shpallur se protestuesit i kanë 10 minuta për t’u larguar nga kjo hapësirë ose rrezikojnë të arrestohen.

Korrespondentët kanë thënë se shumica e qindra protestuesve, ishin larguar aty rreth orës dy të mëngjesit, ndërsa në qendër të kampit kishte mbetur një masë e vogël e rrethuar nga policia.

Policia e kishte shtyrë grupin e protestuesve të mbetur nëpër kamionë. Të tjerët i çmontuan tendat.

Zyra e prefektit të Nju Jorkut, Majkël Blumberg, ka kërkuar nga protestuesit “që përkohësisht të largohen dhe t’i çmontojnë tendat”, duke thënë se ata do të lejohen të kthehen më vonë, “pasi parku të pastrohet”.

Por, autoritetet kanë thënë se nuk do të lejohet përsëri ngritja e kampit në park.

Protestuesit thonë se aksioni i policisë u arsyetua me pretendime të rrejshme për higjienë dhe siguri.

Xhoni Sagan, që ishte për javë të tëra në kamp, i tha Sky News-it, se goditja policore ishte pjesë e përpjekjeve të gjera nga autoritetet për largimin e kampeve protestuese të lëvizjes “Okupimi i Wall Street-it”, nga qytetet në gjithë Shtetet e Bashkuara.

Policia zgjodhi që sonte, në harmoni me forcat policore në gjithë vendin, t’i largojë protestuesit nga parku.

Policia zgjodhi që sonte, në harmoni me forcat policore në gjithë vendin, t’i largojë protestuesit nga parku. Ata e bënë këtë dhe tash ne po e përjetojmë bllokimin e sheshit dhe refuzimin e lejimit të mediave ose të qytetarëve në qytet, që të shohin vetë se çka po bëjnë ata për pastrimin e parkut nga protestuesit”, tha Sagan.

Të hënën, policia speciale në Oklend të Kalifornisë, e ka çmontuar një kamp të protestuesve, duke arrestuar më se 30 protestues, si pjesë e një linje të ashpër të autoriteteve kundër protestuesve.


Prefektja e Oklendit, Xhin Kuan, tha se operacioni ishte i nxitur nga një vrasje, që kishte ndodhur afër demonstratave.

Fushimi u bë në vend ku ne kishim dhunë të përsëritur, e këtë javë një vrasje. Ne duhet ta mbyllim kampin, para se më tepër njerëz të dëmtohen”, tha Kuan.

Por, këshilltari i lartë i prefektes Kuan, avokati për të drejtat civile, Dan Zigel, shpalli se ka dhënë dorëheqje në shenjë proteste kundër goditjes.

Jan Klosen, banore e Nju Jorkut, që e mbështet lëvizjen “Okupimi i Wall Street-it”, ka paraparë kthimin e protestuesve:

Unë isha në shtëpi duke e shikuar transmetim në Internet nga Oklendi dhe njerëzit brohorisnin duke thënë se ‘ne po largohemi sot, por ne do të kthehemi nesër’. Mendoj se ne nuk do të tërhiqemi. Ata do të na largojnë neve, por ne do të kthehemi”, tha Jan Klosen.

Natan Stiv, protestues në kuadër të lëvizjes “Okupimi i Wall Street-it”, që ishte në kampin në parkun Zukoti në Nju Jork, mendon se ndërhyrjet e policisë po i zemërojnë njerëzit dhe se kjo do të shkaktojë që më tepër njerëz t’u bashkohen tubimeve në rrugë.

Me të vërtetë nuk është arritur qëllimi i policisë në Oklend, pasi e gjitha që ndodhi, është se më tepër njerëz iu bashkuan protestave dhe ato u bënë më tepër militante, më të përkushtuara dhe më të mëdha”, tha Natan Stiv.

Në demonstratat kundër lakmisë së korporatave dhe kundër korrupsionit, janë parë grupe të të rinjve, që kanë krijuar tenda në sheshet e qyteteve në gjithë Amerikën.

E organizuar para zgjedhjeve presidenciale dhe për kongres, lëvizja “Okupimi i Wall Street-it”, e ka krijuar një koalicion të butë të njerëzve që nuk janë të kënaqur me pabarazinë ekonomike në rritje në Shtetet e Bashkuara.

Ata thonë se e kundërshtojnë “një për qind” të elitave biznesore dhe politike, që po bëhen më të pasur, ndërsa pjesa tjetër e vendit e sheh veten në pozitë më të vështirë.

Demonstruesit i akuzojnë politikanët në Uashington se i kanë ndihmuar bankierët, që e kanë sjellë rënien ekonomike në Amerikë, në vitin 2008.

Protestuesit thonë se ishin inspiruar nga revolta e Pranverës Arabe, që e kishte përfshirë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. (f. b.)


XS
SM
MD
LG