Ndërlidhjet

Ashpërsohen sanksionet ndaj Iranit


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, shpall sanksionet e reja kundër Iranit, 21 nëntor 2011.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, shpall sanksionet e reja kundër Iranit, 21 nëntor 2011.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja zbatuan sanksione të reja ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj ambicieve rreth programit të tij bërthamor.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se masat paraqesin “një mekanizëm të rëndësishëm për rritjen e presionit ndaj Iranit, burimeve të të ardhurave dhe aktiviteteve ilegale të tij”.

Presidenti amerikan, Barak Obama, nënshkroi një urdhër ekzekutiv, me të cilin zgjerohen sanksionet ndaj industrive të naftës dhe gazit natyror të Iranit, që vlerësohet se përbëjnë 70 për qind të të ardhurave vjetore të Teheranit.

Uashingtoni shtoi gjithashtu 11 emra në listën e individëve dhe kompanive, asetet e të cilave do të ngrihen.

Klinton tha se Irani po përdor gjithnjë e më shumë industrinë petrokimike për të përpunuar naftën, duke hapur rrugën për sanksionimin e mëtejmë të kësaj industrie.

“Presidenti Obama nënshkroi një urdhër ekzekutiv që, për herë të parë, shënjestëron në mënyrë specifike industrinë petrokimike të Iranit - një burim i rëndësishëm i të ardhurave nga eksporti dhe një mbulesë për importin e aktiviteteve të sanksionuara”, tha ajo.

Klinton tërhoqi gjithashtu vërejtjen për sanksione të mëtejme ndaj Republikës Islamike.

“Ndikimi (i presionit ndërkombëtar) vetëm do të rritet, derisa liderët e Iranit do të vendosin ta ndërrojnë kursin dhe t’i përmbushin kriteret ndërkombëtare. Më lejoni të sqaroj: Me aksionet e sotme nuk janë shterrur mundësitë tona për ta sanksionuar Iranin. Ne po vazhdojmë në mënyrë aktive të marrim parasysh një varg masash më agresive”, tha Klinton.

Sanksionet e reja pasojnë publikimin, më 8 nëntor, të një raporti të mekanizmit përgjegjës të Kombeve të Bashkuara për armë bërthamore, i cili flet për ambiciet e Teheranit për krijimin e armëve bërthamore.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Jukia Amano, tha se ekzistojnë dëshmi “kredibile” që flasin për tentimet e Iranit rreth krijimit të armëve bërthamore dhe se përpjekje të tilla mund të jenë duke vazhduar.

Mirëpo, Teherani i ka hedhur poshtë këto akuza, duke e quajtur të pabazuar raportin në fjalë dhe, në të njëjtën kohë, duke theksuar qëllimin paqësor të programit bërthamor të vendit.

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, në uzinën bërthamore të Natanzit, e cila ndodhet në pjesën qendrore të Iranit. (Foto nga arkivi)
Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, në uzinën bërthamore të Natanzit, e cila ndodhet në pjesën qendrore të Iranit. (Foto nga arkivi)
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast, tha në një konferencë për media se sanksionet nuk përbëjnë asgjë më shumë “sesa një propagandë të luftës psikologjike”.

Rusia denoncoi sanksionet e reja ndaj Iranit duke i quajtur të papranueshme dhe ilegale. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse thuhet se sanksionet rrezikojnë humbjen e një shansi për dialog me Iranin.

Katër raunde të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara - përfshirë më të rreptat në qershor të vitit 2010 - kanë qenë deri më tani të pasuksesshme.

Qeveria britanike, në ndërkohë, mori masa edhe më të ashpra të hënën, duke ndërprerë të gjitha lidhjet ndërmjet sektorit të saj financiar dhe të gjitha bankave iraniane. Sanksionet, që hynë në fuqi menjëherë, përfshijnë edhe ndalimin e marrëdhënieve me Bankën Qendrore të Iranit.

Ministri britanik i Financave, Xhorxh Ozborn, tha se me këtë veprim Mbretëria e Bashkuar, për herë të parë, ka ndërprerë marrëdhëniet me sektorin e tërë bankar të një shteti, përfshirë nëndegët e bankave.

Ozborn i tha BBC-së se ndërprerja e marrëdhënieve me bankat iraniane do të pengojë krijimin e dyshuar të armëve bërthamore nga Irani, duke e bërë botën një vend më të sigurt.

“Ne i kemi ndërprerë të gjitha kontaktet ndërmjet sistemit financiar të Mbretërisë së Bashkuar dhe sistemit bankar të Iranit. Ne po e bëjmë këtë për shkak të dëshmive ndërkombëtare për përfshirjen e bankave iraniane në zhvillimin e programit bërthamor të Iranit, me qëllime ushtarake. Ne po e bëjmë këtë për të përmirësuar sigurinë jo vetëm në tërë botën, por edhe sigurinë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai.

Kanadaja paralajmëroi gjithashtu se “do t’i bllokojë virtualisht të gjitha transaksionet me Iranin, përfshirë ato me Bankën Qendrore”.

Qeveria kanadeze theksoi se do të ndalojë menjëherë eksportin e të gjitha mallrave të Iranit, që përdoren në industritë petrokimike, të naftës dhe në atë të gazit.

Në ndërkohë, Franca ka kërkuar sanksione “të një shkalle të paprecedentë” për të detyruar Iranin të negociojë mbi programin e tij bërthamor. Parisi propozoi ndërprerjen e blerjes së naftës iraniane dhe ngrirjen e aseteve të Bankës Qendrore të Iranit.

Diplomatët thanë se masat e përbashkëta evropiane ndaj Iranit pritet të formalizohen gjatë një takimi ministror më 1 dhjetor. (e.p.)
XS
SM
MD
LG