Ndërlidhjet

Përfundoi me njohje diplomash


Edita Tahiri dhe Borisllav Stefanoviq
Edita Tahiri dhe Borisllav Stefanoviq
Në Bruksel, sot ka përfunduar raundi i shtatë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Në dy ditët e këtij raundi është arritur vetëm një marrëveshje – ajo për njohjen e diplomave universitare.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit nga ana e Bashkimit Evropian thuhet se palët, duke avancuar pas marrëveshjes në parim që ishte arritur më 2 korrik të këtij viti, janë pajtuar që nga Asociacioni Universitar Evropian të kërkohet certifikimi i diplomave të lëshuara nga universitetet e secilës palë, për përdorim nga pala tjetër, lidhur me shkollim apo punësim publik.

Shefi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se kjo marrëveshje është e pranueshme për shtetin serb, pasi ajo “nuk kërkon që të njihen diplomat apo dokumentet e lëshuara në Kosovë, që do të kenë vula apo shenja të së ashtuquajturës Republikë të Kosovës”.

Sipas ndërmjetësve të Bashkimit Evropian, përparim është arritur edhe në çështjet e bashkëpunimit efikas dhe inkluziv rajonal.

Është rënë dakord që palët t’iu kthehen këtyre në takimin e radhës, me qëllim arritjen e marrëveshjes.

Gjatë raundit të shtatë...
Gjatë raundit të shtatë...
Këtu, para së gjithash, bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në takime rajonale dhe nisma rajonale. Nga delegacionet e të dyja palëve u kuptua se problemi mbetet ende tek emërimi i delegacioneve të Kosovës në takimet e tilla, sepse Serbia insiston që kjo të bëhet në mënyrë asimetrike – pra, të mos vihen shenja që i japin mundësi Kosovës të trajtohet si shtet i pavarur.

Në deklaratën e BE-së thuhet se palët, gjatë dialogut, kanë mirëpritur edhe përparimin e arritur nga ana e grupeve teknike punuese, përfshirë dhe ato për regjistrin civil dhe lirinë e lëvizjes.

Në të njëjtën thuhet se, në këtë kontekst, koncepti i menaxhimit të integruar të kufijve është diskutuar si një rrugë drejt gjetjes së një zgjidhjeje evropiane për pikat e vendkalimeve.

Nga BE-ja, por edhe nga palët është thënë se takimi i radhës do të zhvillohet para fundit të këtij muaji.

Ndërkohë, për Kosovën është diskutuar edhe në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ashtu si edhe për raportin e përgatitur nga raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek.

Kjo e fundit ka kërkuar që të mbështetet Kosova në procesin e liberalizimit të vizave dhe të hidhet poshtë ideja për ndarje. Lunacek ka thënë se njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë bërë ende një hap të tillë, do të mirëpritej.
XS
SM
MD
LG