Ndërlidhjet

Pak barna për të diagnostikuarit me kancer


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Kosova nuk ka kancer-regjistër, nga i cili do të dihej saktë se sa është numri i personave të prekur me këtë sëmundje. Si pasojë e kësaj, pacientët kanë ankesa të kohëpaskohshme për mungesë të terapisë.

Tjetër qëndrim kanë zyrtarët shëndetësorë, të cilët thonë se mungesa e barnave ndodh për shkak të rritjes së numrit të personave që preken me këtë sëmundje – gjë kjo që shkakton edhe vonesa në planifikim.

Ndryshe, një e katërta e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë ndahet për pacientët e prekur me kancer. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, 4 milionë euro u dedikohen citostatikëve - terapi kjo me të cilën trajtohen personat e diagnostikuar me kancer.

Por, përkundër një fakti të tillë, pacientja Hilmije Bajrami ankohet për mungesë të terapisë.

“Ministria thotë se e ka marrë përgjegjësinë për ta siguruar këtë terapi, që është esenciale, por kur unë shkoj në Institutin Onkologjik, ajo mungon”, thotë Bajrami.

Onkologia Mejreme Krasniqi Maloku pranon se, muajin e fundit, ka pasur një “mungesë të lehtë të herceptinës”, por, sipas saj, nuk bëhet fjalë për zvogëlim të furnizimit. Ajo flet për detaje të tjera:

“Muajin e fundit shihet një mungesë e herceptinës dhe pacientët shprehin pakënaqësitë e veta. Por, nuk është fjala për mosplanifikim të mirë; është në pyetje rritja e numrit të pacientëve të diagnostikuar”.

“Edhe po të bëjmë një planifikim më të mirë, kemi probleme buxhetore, sepse Ministria e Shëndetësisë i ka vetëm 4 milionë euro për citostatikë, ndërsa 2 milionë shkojnë për herceptinë”, thotë Krasniqi Maloku.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë sqarojnë se vetëm një ampulë e herceptinës kushton 1,500 euro. Sipas burimeve të njëjta, një pacient që duhet t’i përfundojë ciklet e kësaj terapie, i kushton Ministrisë 25 mijë euro.

Faik Hoti, drejtor i departamentit të informimit në këtë ministri, shpjegon:

“Mund të them se këtë vit, furnizimi me herceptinë ka qenë më i miri prejse aplikohet kimioterapia në Kosovë. Herceptina është një citostatik shumë i shtrenjtë. Ministria e Shëndetësisë e ka furnizuar Institutin e Onkologjisë me këtë ilaç sipas planifikimeve të fillimvitit, që janë bërë nga instituti”.

“Normalisht, asnjë vonesë nuk është e favorshme për shëndetin e pacientëve, por edhe pacientët, edhe familjarët e tyre duhet ta kenë parasysh situatën në të cilën gjendet shëndetësia kosovare - me një buxhet shumë të kufizuar”,
thotë Hoti.

Onkologia Krasniqi Maloku kritikon qytetarët, ndërsa shpreh besimin se pa rritje të buxhetit për barna, është e pamundur të mbulohen të gjitha nevojat e pacientëve, marrë parasysh, sipas saj, koston e sëmundjes së kancerit dhe rritjen e të prekurve me të çdo ditë e më shumë.

“Qytetarët mendojnë se ky shtet i varfër, pa sigurime shëndetësore, duhet t’ua sigurojë 100 për qind terapinë. Kjo është një logjikë e gabuar e qytetarëve. Ka edhe sëmundje të tjera joonkologjike, për të cilat duhet të furnizohen pacientët, edhe pse ato janë shumë më pak të mbuluara me barna nga lista esenciale”, thotë Krasniqi Maloku.

Komentet (1)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG