Ndërlidhjet

Prodhimet vendore: Cilësi pa standarde


Ilustrim - Prodhime vendore
Ilustrim - Prodhime vendore
Bizneset në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Disa përfaqësues thonë se në mungesë të infrastrukturës së nevojshme, shumë herë produktet e tyre nuk mund të jenë konkurrente në treg.

Kompania “Pestova” në Vushtrri, e cila merret me kultivimin e patates, ka prezantuar produktet në panairin shitës të prodhimeve ushqimore në Prishtinë. Përfaqësuesi i saj, Sokol Hajdari, thotë se mungon ende vetëdijesimi i nevojshëm i popullatës për të konsumuar produkte vendore.

“Njerëzit ende nuk janë vetëdijesuar për prodhimet vendore. Vetëm në kohën e fundit ndoshta kanë filluar të kuptojnë se prodhimet vendore janë të mira”, thotë ai.

Prodhime vendore
Prodhime vendore
Vështirësitë me të cilat përballen bizneset në Kosovë, kanë të bëjnë me furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike dhe me ujë. Barrierë për zhvillim të shpejtë është thënë të jetë edhe qasja e kufizuar në financa, si dhe normat e larta të interesit për kredi.

Në panairin shitës të prodhimeve ushqimore janë prezantuar edhe prodhimet e kompanisë “Liri” nga Prizreni. Blerta Hajdari, përfaqësuese e kësaj kompanie, flet për vështirësitë me të cilat përballet ky biznes vendor.

“Për momentin ka vështirësi për shkak se nuk ka përkrahje të prodhimeve vendore. Ne nuk kemi depërtuar shumë me prodhimin e ri të keksit ‘Sempre’, por jemi duke shikuar mundësitë që në të ardhmen të jemi më të pranishëm me këtë produkt”, thotë Hajdari.

Se ekzistojnë vështirësi për veprimtarinë e bizneseve pohon edhe kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Megjithatë, ky i fundit i kritikon ato për cilësinë e dobët të produkteve që fusin në treg.
...është më mirë të punojnë për kënaqësinë e konsumatorit; ta kenë parasysh edhe konsumatorin e Bashkimit Evropian, edhe atë amerikan.

“Derisa gjëmojnë dhe ankohen bizneset kosovare për treg, për tregun e ngushtë është më mirë të punojnë me standardet ndërkombëtare; është më mirë të punojnë për kënaqësinë e konsumatorit; ta kenë parasysh edhe konsumatorin e Bashkimit Evropian, edhe atë amerikan. Të mos e kenë parasysh vetëm konsumatorin e Kosovës, të cilit janë mësuar t’i mbesin borxh”, thotë Kaçaniku.

Sipas tij, me standardet që i aplikojnë sot prodhuesit vendorë, nuk mund të mendohet tregu i Evropës, ku mund të jenë rreth 800 milionë konsumatorë.

Për mospërmbushje në tërësi të standardeve ndërkombëtare flet edhe vetë Blerta Hajdari, përfaqësuese e kompanisë “Liri”.

“Janë cilësore, por a i plotësojnë standardet ndërkombëtare apo jo? Nuk i plotësojnë standardet e plota”, thotë ajo.

Bizneset kosovare vazhdimisht janë ankuar për ambient të pafavorshëm biznesor. Por, deri më tani nuk është bërë diçka konkrete në këtë drejtim, ndërkohë që edhe prodhuesit vendorë janë kritikuar për prodhime jocilësore.
XS
SM
MD
LG