Ndërlidhjet

Merkel: Serbia s'i ka përmbushur pritjet


Kancelarja gjermane duke iu adresuar Bundestagut gjerman, 2 dhjetor 2011.
Kancelarja gjermane duke iu adresuar Bundestagut gjerman, 2 dhjetor 2011.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka dënuar Serbinë për shkak të, siç ka thënë ajo, “kontributit që ka dhënë në përplasjet që kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës, gjatë të cilave janë lënduar disa ushtarë paqeruajtës gjermanë".

“Në një periudhë afatgjatë, ne duam ta udhëheqim jo vetëm Serbinë, por edhe Kosovën drejt Bashkimit Evropian, si dhe ta mbajmë BE-në plotësisht funksionale”, ka thënë Merkel gjatë fjalimit të saj të rëndësishëm para Parlamentit të Gjermanisë, lidhur me të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Sipas saj, “një gjë e tillë nënkupton se rruga e Serbisë drejt BE-së mund të realizohet vetëm nëse i normalizon marrëdhëniet me Kosovën”.

“Bashkimi Evropian dhe Qeveria gjermane kanë formuluar shumë herët pritjet e tyre në formën e hapave konkretë. Ndjej keqardhje që Serbia, deri më tash, nuk i ka përmbushur ashtu siç duhet këto pritje”, ka thënë zonja Merkel, transmeton agjencia e lajmeve DPA.

Kancelarja gjermane ka dënuar edhe sulmin e serbëve ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it.

“Serbia gjithashtua akuzohet për kontributin që ka dhënë ditët e fundit në këtë atmosferë, në të cilën paqeruajtësit gjermanë në veri u sulmuan dhe u plagosën. Unë them se kjo është e papranueshme”, është shprehur zonja Merkel. (v.k.)
XS
SM
MD
LG