Ndërlidhjet

Tahiri: Marrëveshja është arritur në parim, pritet konfirmimi


Bruksel
Bruksel
Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, tha se, “në parim është arritur marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, por ajo nuk është konfirmuar ende”.

Më tutje në intervistën për RTK-në, ajo vlerësoi se kjo është një “ngjarje e madhe”.

Bisedimet ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë vazhduan edhe të premten, në ditën e tretë, në Bruksel. Ndërmjetësues në këtë dialog është Bashkimi Evropian.

Sipas Edita Tahirit, me menaxhimin e integruar të kufirit, përfshihen 6 vendkalime kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë. Me këtë marrëveshje, sipas saj, “janë mbrojtur interesat kombëtare të Kosovës dhe është respektuar Kushtetuta e Kosovës”.

Ajo theksoi, se duke pasur parasysh qëndrimin konstruktiv të Kosovës në këto bisedime, tash pritet udhërrëfyesi për liberalizim të vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale me Kosovën.

Raundi maratonik i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar deri në mbrëmjen e së premtes në Bruksel, në kohën kur burime të Bashkimit Evropian thoshin se palët janë jashtëzakonisht afër arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Dialogu kishte rifilluar në orët e pasdites pasi që mbrëmë ishte ndërprerë diku kah mesnata, ndërsa pala kosovare e përfaqësuar nga Edita Tahiri kishte thënë se Prishtina ka pranuar marrëveshjen, porse Beogradi nuk e kishte pranuar atë.

Pala kosovare ka kërkuar nga BE-ja që të thotë qartë se kush është fajtor për mosarritjen e marrëveshjes dhe ka fajësuar edhe një herë Beogradin për obstruksion në implementimin e marrëveshjeve që ishin arritur më parë.

Gjatë ditës së premte shumë diplomatë në Bruksel kanë pohuar se deklarata e kancelares gjermane Angela Merkel se Serbia nuk i ka përmbushur kriteret për të marrë statusin e kandidatit, pothuajse ka humbur gjasat e Serbisë që të ndodhë një gjë e tillë.

Kjo ka shërbyer si një tronditje për delegacionin e Serbisë dhe shefi i këtij delegacioni, Borisllav Stefanoviq, të premten, para se të fillojë dialogu kishte thënë se vetë kthimi i Serbisë në këtë dialog dëshmon se Serbia dëshiron t’i përmbushë kushtet dhe është e gatshme të arrihet marrëveshje në mënyrë q ë Serbia të mos fajësohet si palë, e cila pengon marrëveshjen.
XS
SM
MD
LG