Ndërlidhjet

Çfarë do të ndodhë nëse shpërbëhet eurozona?


Ilustrim
Ilustrim
Shumë ekspertë besojnë se nëse eurozona do të shkatërrohet, kjo do të jetë pasojë e vendimit të shteteve të pasura anëtare, që më tepër ia vlen të shkatërrohet se sa të vazhdohet përpjekja për dhënien e ndihmave shteteve të varfra.

Në fakt, tashmë ekzistojnë disa shenja se shtetet e pasura, të ashtuquajtura “bërthama” ose vendet veriore të zonës, tashmë po e shqyrtojnë një mundësi të tillë.

Lidhur me këtë temë, Piter Bun, ekspert nga Shkolla Ekonomike në Londër, thotë:

“Ata kanë diskutuar për të pasur marrëveshje ndërmjet një numri më të vogël të vendeve, që do të kenë shumë më tepër koordinim fiskal dhe financa të centralizuara, madje edhe flet-obligacione “Eurobond”, në fund të gjithë kësaj. Mendoj se gjërat do të lëvizin në këtë drejtim. Ndër këto shtete do të jenë Gjermania, Franca, Holanda, me gjasë Finlanda, dhe një numër i vogël i shteteve të tjera, por aty nuk do të përfshihen vendet në periferi”.

Por, nëse eurozona shpartallohet, asnjëra nga vendet anëtare nuk mund të shpresojë se do t’i shmanget trazirës masive ekonomike, që do të pasojë.

Po ashtu, do të goditet edhe secili vend në botë, që është i ndërlidhur me eurozonën nga sistemi bankar ose tregtia.

Por, vendet që do të goditen më së tepërmi, do të jenë shtetet e dobëta të eurozonës, po ato vende, qeveritë e të cilave ishin tejngarkuar me borxhe, që e kanë përhapur krizën tashmë dyvjeçare të euros.

Banka e njohur komerciale, UBS, aktualisht ka vlerësuar se çmimi i largimit nga eurozona, për një vend me financa të “buta”, do të jetë i barabartë me 9500 – 11500 euro për kokë banori, vitin e parë. Kjo është e barabartë me 40-50 për qind të GDP-së së një vendi.

Ky çmim i lartë krijohet nga kthimi në monedhën kombëtare dhe shtypja e parave për pagesën e rrogave të sektorit publik dhe për pagesën e borxheve.

Monedha e re do të devaluohej në krahasim me vlerën e euros, pasi njerëzit do të kenë pak besim në të. Po ashtu, vendi i cili i kthehet monedhës kombëtare do të goditet nga inflacioni i çmimeve.

Panos Tsakloglou, ekonomist politik në Universitetin Ekonomik dhe të Biznesit në Athinë, thotë se fillimisht standardi i jetesës në vendet siç është Greqia, do të shënonte rënie dramatike.

“Nëse ne gjykojmë nga pozicioni i vendeve të tjera që janë larguar nga unionet monetare, atëherë mund të themi se është një periudhë fillestare dy ose trivjeçare, kur situata ekonomike do të përkeqësohet në mënyrë dramatike. Kjo ndodhi, për shembull, në situatën me Argjentinën kur ajo u largua nga lidhja me dollarin amerikan në vitin 2002. Pas kësaj rënieje të fuqishme në standardin e jetesës, pason një periudhë e shpejtë e ripërtëritjes se sa në rastin nëse Greqia mbetet në eurozonë dhe i zbaton masat e kursimit. Megjithatë, fillon nga baza substancialisht më e ulët”, thotë eksperti Tsakloglou.

Ky ekspert personalisht shpreson se Greqia do të dalë nga kriza duke qëndruar në eurozonë, që është një ndjenjë që e kanë edhe shumica e bashkëkombësve të tij.

Por, edhe vendet veriore të eurozonës, mund të kenë një periudhë të vështirë të harmonizimit të sërishëm, nëse euroja shkatërrohet, me gjithë dëshirën e tyre eventuale që së bashku ta krijojnë një monedhë të re, emri i së cilës ende nuk është propozuar.

Eksperti Piter Bun thotë se shpartallimi eventual i eurozonës, do të ketë ndikimi edhe në mbarë botën.

“Me siguri do t’i dëmtojë Shtetet e Bashkuara, pasi bankat amerikane janë mjaft të ekspozuara ndaj Gjermanisë dhe Francës dhe bërthamës së bankave. Ato nuk janë të ekspozuara në periferi. Rrjedhimisht, unë pres se do të përfundojmë me një tjetër recesion global dhe do të nevojiten një ose dy vjet për të dalë nga kjo situatë”, vlerëson eksperti Bun.(f.b.)
XS
SM
MD
LG