Ndërlidhjet

Serbët arrijnë marrëveshje me KFOR-in?


Një marrëveshje për lejimin e qarkullimit në rrugën që çon nga Zveçani në Zubin Potok, përkatësisht në Jangnenicë, raportohet të jetë arritur në mes të përfaqësuesit të Zubin Potokut, Slavisha Ristiqi dhe atij të KFOR-it, Adolf Konrad.

Ky informacion i bërë publik nga mediat serbe, nuk konfirmohet nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, zyrtarë të të cilit, kanë bërë me dije se do të deklarohen gjatë pasdites së sotme në lidhje me këtë.

Sipas marrëveshjes së cituar nga mediat serbe, në Jangenicë do të ngritet një postbllok, nga ku pjesëtarët e KFOR-it së bashku me policët nga stacioni i Zubin Potokut do të kontrollojnë trafikun.

Ristiq, pas takimit me përfaqësues të KFOR-it, ka thënë se “kjo nuk do të thotë se do të hiqen barrikadat dhe se nga to do të largohen njerëzit”.

“Ata do të mbesin aty”, ka thënë Ristiq.

Sipas sekretarit shtetëror të Ministrisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviqit, me këtë marrëveshje, hapet rruga për heqjen e barrikadave.

Por, lideri i Partisë Liberale Serbe, Çedomir Jovanoviq, ka thënë se me këtë marrëveshje nuk hiqen barrikadat, por i lejohet qarkullimi KFOR-it, gjë që sipas tij, ka qenë i mundur edhe me marrëveshjet e mëhershme.

Që nga vera e sivjetme, serbët kanë ngritur barrikadat nëpër rrugët në veri në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinë.

Duke kundërshtuar përpjekjet e KFOR-it për heqjen e barrikadave në javën e kaluar, protestuesit serbë plagosën me armë zjarri dy ushtarë gjermanë, dhe lënduan dhjetëra të tjerë me mjete shpërthyese.
XS
SM
MD
LG