Ndërlidhjet

Putin akuzon SHBA-në


 Vladimir Putin
Vladimir Putin
Kryeministri rus, Vlladimir Putin, akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për, siç tha ai, inkurajim të protestuesve për zgjedhjet parlamentare në Rusi, që rezultuan me qindra të arrestuar në qytetet e mëdha.

Në komentet e tij të para rreth protestave të përditshme të mijëra qytetarëve, të cilët pretendojnë se zgjedhjet e 4 dhjetorit u manipuluan dhe ishin të padrejta, Putin tha se është sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ajo që i ka dhënë sinjale opozitës në vend.

“I kam parë reagimet e para të partnerëve tanë amerikanë”, tha Putin.

“Gjëja e parë që sekretarja amerikane e shtetit bëri, ishte dhënia e një vlerësimi se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe as të drejta, dhe këtë e bëri madje para se të merrte materialet nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it. Ajo dha një sinjal dhe disa aktorë brenda vendit e dëgjuan dhe me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, filluan të punojnë në mënyrë aktive”, tha Putin.

Putin, i cili është më se i sigurt se do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në mars, tha se disa nga protestuesit po i ndjekin qëllimet e tyre politike egoiste.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian tha se zgjedhjet nxorën në pah një “konkurrencë të kufizuar politike dhe mungesë korrektësie”.

Klinton një ditë pas zgjedhjeve tha se kishte “shqetësime serioze” në lidhje më procesin zgjedhor në Rusi.

Në anën tjetër, Putin tha se shumica e rusëve nuk duan të shohin “kaos” në Rusi, ashtu siç, sipas tij, ndodhi në Ukrainë dhe Kirgizi. Putini në të kaluarën i kishte quajtur revoltat pro-demokratike në këto dy dhe në shtetet tjera ish-sovjetike si “revolucione me ngjyra të” të nxitura nga Perëndimi.

Zyrtarët rusë thanë se zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit u fituan nga partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, e cila shënoi rënie në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Qindra njerëz u arrestuan gjatë tri netëve të protestave në Moskë dhe Shën Petërsburg, kundër manipulimeve në zgjedhje dhe në demonstratat më të vogla në qytetet tjera.

Zyrtarët amerikanë, përfshirë edhe Klintonin, kanë shfaqur shqetësimin në lidhje me pretendimet për mashtrimet zgjedhore.(a.i.)
XS
SM
MD
LG